Analiza/ Veliaj, modeli që ngjitet duke u zvarritur pas shefit

Analiza/ Veliaj, modeli që ngjitet duke u zvarritur pas shefit

60
0
Shares

Analisti Agron Gjekmarkaj shkruan sot se Erion Veliaj eshte modeli i vartesit qe ngjit shkallet e karrieres duke u zvarritur pas shefit.
Gjekmarkaj ka analizuar te gjitha daljet publike te diteve te fundit te kryebashkiakut, qe nga momenti kur paralajmeroi mot te keq ne Tirane, deri ne daljet e fundit ne qendren sociale duke sherbyer ushqimin.

 

NGA AGRON GJEKMARKAJ
Qysh me ikjen këso bote të Pal Vatës dukej sikur shoqërisë sonë i kishte humbur heroi vullnetmirë e zemërgjerë, duke lënë një boshllëk mundues për ndërgjegjet tona trazovaçe. Pikërisht atëherë kur ngjante se shpresa e bërë fërtele dhe idealizmi i dërrmuar brinjë më brinjë ishin fshehur në një skutë si Muji e Halili kur, sapo doli pushka dhe fuqia e krahut nuk u bënte më derman, mes nesh ia behu djali i mirë i portës për bri, Erjon Veliaj, duke na i kthyer ato me hov.
Na duhej një hero dhe ja tek e gjetëm. Ai nuk është njeriu që qesh, por hazërxhevapi që vazhdimisht buzëqesh. Kjo është tabloja që vjen nga kamerat e stafit të Bashkisë. Ato përvujtnisht i shërbejnë, e nxjerrin atë siç do që të duket dhe pa dashje, ashtu siç është, me sjellje hipokrite dhe të pavërtetë deri në komizëm. Veliaj është modeli i suksesit. Treguesi kokëfortë se si njeriu mund të ngjitet duke u zvarritur pas shefit është triumfi industrial i propagandës mbi faktin, i hiles mbi intelektin, i thashethemit virtual mbi kulturën vazhdimësi studimi, i zhargonit dhe slengut mbi gjuhën, i interesit privat mbi etikën dhe të mirën publike.
Ai dëmin ta shet si nevojë, abuzimin ta ofron si shpëtim, gënjeshtrën si shpresë, logorrenë si oratori. Skuqjen dhe zverdhjen i ka braktisur që kur shiste fiq për hall, e jo më tani dokrra për qejf. Një hulumtim i të gjitha punëve publike nga sheshi “Skënderbej” te zgjatimi i bulevardit, nga këndi i betontë i lodrave në Parkun e Liqenit te Plani i ri rregullues për Tiranën të çon pa mundim në përfundime të tilla. Betoni është misterioz, shëmton qytetin e askush nuk e ndalon. Arsyeja mund të merret me mend.
Me gjasë është lubrifikant i pakonkurrueshëm. Të gjithë personazhet e Rilindjes, së paku këto ditë, e mbyllën gojën dhe u zhdukën nga ekrani. Kjo ishte ndihma më e madhe që na dhanë. Mbase edhe po merren me ndonjë punë të vogël në kushtet e një katastrofe natyrore. Saimir Tahiri, nuk e teproi si gjithmonë me manierizmat e tij. Kësaj here u mjaftua me nja dy foto të ca policëve në rrugët plot dëborë, të cilët, për hir të së vërtetës, i shihje kudo duke bërë aq sa mundin. Meritojnë mirënjohje.
Erjon Veliaj bëri përjashtimin e madh, u shfaq gjatë dhe foli po kaq duke ua vjedhur katastrofën të tjerëve, më saktë Kukësit, Pukës, Dibrës, Bulqizës, Shkodrës, Korçës, Pogradecit etj., etj. Qytetarët e këtyre zonave kush mund të ketë pasur drita dhe ka parë Tiranën në TV kushedi sa janë drithëruar duke harruar veten. Me siguri nën zë do të kenë thënë, të mjerët ata ç’po u shohin sytë, po shyqyr së paku kanë Erjonin, e jona s’qenka gjë. Drejtuesit e këtyre njësive në pikë të hallit, nuk munden të na dhuronin spektakël mediatik.
Nuk e kishin atë luks e as atë shërbestari. Për ta nuk ka shumë interes. Ky është paradoksi korruptues i pushtetit kryesor. Velisë i duhej një kërcenim imagjinar për t’u përballur teksa të tjerët e kanë real. Një teatër i madh u luajt gjatë këtyre ditëve të karakterizuara nga temperaturat e ulëta. Regjisori dhe aktori Erjon Veliaj, i cili kësaj here nuk iku në Tajlandë, krijoji panikun dhe më pas luajti me menaxhimin e tij. Përshkruhej apokalipsi se këtu do të bëhej nami, ndonëse dielli na përkëdheli bujarisht me rrezet e veta hyzmeqare. Prishtina, kryeqyteti tjetër shqiptar, këto temperatura i konsideron normale për rreth tre muaj gjatë vitit, pa kujë, pa vaj, pa heroizëm.
Si dreqin ia dalin pa një kryetar si këtë tonin? Të parit të Tiranës i duhej edhe moti për të krijuar një ngjarje epike, ku ai si Gjergj Elez Alia ndeshej me Bajlozin e frikshëm. Ai e projektoi veten në mesin e kësaj beteje si shpëtimtar, që me fuqinë e buzëqeshjes shkrinte dëborën, teksa me mirësinë e tij si rrjetë nukleare mbronte qytetin nga kataklizmoja. Nuk do të ishte keq që mbrojtësin e Tiranës të na e merrnin ca ditë edhe qytetet e tjera të mbuluara nga bardhësia. Le ta shëtisin cep më cep dhe ta yshtnin në buzëqeshje mrekullibërëse dhe të shohin si akujt do të bëheshin ujë në çast, sa hap e mbyll sytë.
Të premten në sallën e Këshillit Bashkiak, ku kishte mbledhur vartësit e vet dhe disa rrjete televizive për të paralajmëruar qametin, ndonëse Tiranës nuk i kanosej asnjë rrezik, u konsumua episodi i parë. Pjesa tjetër e vendit ishte dhe ende është nën rrezikun që krijon bllokimi i rrugëve, mungesa e dritave sëmundjet e shtatzënitë. Pikëllues mbetet mbi të gjitha rreziku i paaftësisë që karakterizon qeverinë tonë, e cila prej muajsh e dinte se një dimër i vështirë do të kalonte këtej pari. Sinoptika njoftonte se Tiranën Hyu e kishte falur.
Por ajo shefit të saj i duhej në rrezik, më në rrezik se kurrë. Të gjithë në sallën e ngrohtë të Këshillit Bashkiak ishin mbërthyer mirë në pritje të kallkanit, përveç kryetarit me jelek dhe këmishë, ku spikasnin llërët e përveshura si mesazh sigurie dhe vetëmohimi përballë opinionit të tromaksur. Mesazh i qartë: “E keqja po vjen si ortek, por prisni, këtu jam unë dhe kini besim”. Veliaj, nëse duhet të japë një intervistë në ditë me diell apo me shi, zgjedh atë me shi dhe pa çadër, ku duhet të fiksohen supet e lagura. E bën këtë shpengueshëm, me shikim zhbirues dhe i ndan rrokjet me shqiptim të ngadaltë dhe plot patos, duke krijuar atmosferë solemne dhe aurë rëndesie.
Përshpirtjet nuk i ka kurrë personale, gjithmonë i ndodhet një kamera, si atëherë kur merrte romin e sëmurë për në spital, si pardje kur me përparëse të kuqe u ndante ushqim të pastrehëve, si kur gjuante me domate qeverinë socialiste të Fatos Nanos, ashtu kur me furçë në dorë i sapozgjedhur sefte lyente një shkollë. Ajo e uruar gjindet aty sa herë përqafon një fëmijë, sa herë i hip biçikletës, madje edhe një herë që udhëtoi në autobus, lëre më kur i paguan gjobën Ijes që shiste presh pa leje. E bekuara nuk mund të mungojë sidomos kur ngjesh kapele muratorësh në kokë dhe merr në dorë mistrinë që mbush me llaç themelet e Tiranës së mijëvjeçarit dhe tok qepallën me sportivitet me një kalimtar të hutuar.
Figurativisht mund të themi se ai është bir i kamerës, por harron se ajo i sheh njësoj si atë, si të pastrehët që përdori për skenë. Përthyerja e saj e sillte Velinë të kuruar mirë në të veshur, sigurisht pa kollare, me rroba firmato që mund t’i kalonin ca mijëra euro. Aty na tha se u shpëtoi jetën nja 135 vetave. Më pas u skuqi vezë e salsiçe, që i shërbeu vetë me dorë në zemër, sikur t’i kishte marrë në shtëpinë e vet me kursimet e pensionit të nënës, si gjest bujarie personale e jo si detyrim mbështetur në taksat tona. Qyfyre e skena kësodore janë një tallje e madhe për Shqipërinë e zënë në çark nga acari dhe ngrica.
Për të nuk ka as kripë e as makineri për të pastruar rrugët. Nuk ka superheronj që ndodhen në pesë vende të ndryshme në të njëjtën kohë, por njerëz të mrrolun nga halli që i ka zënë. Nuk ka kamera, por vetmi, rrezik dhe mjerim. Në Tiranë, ku fatmirësisht nuk pritej të ndodhte asgjë, së paku “rilindja” gjeti stakanovistin ose “Din Hykën” e vet, ndërsa shoqëria “heroin” lejfenist që kishte harruar prej kohësh veçse jo më naiv si të dikurshmit.
Ai pasi bëri tërbiet duhinë e mbyllur në shishe si shejtanin në darkën e së shtunës, u shfaq i shalangosur mbi divanin e një studioje televizive. I përhumbur nga gëzimi i fitores i këputi një të kërcyer, një valle si dëshmi që imazhi, përdorimi i tij po ndyn thelbin e politikës, duke e shndërruar atë në farsë. Ai është Erjon Veliaj që këput kumbulla tani që nuk shet fiq, i cili vuan nga sëmundja e pashërueshme e të qenit i pavërtetë, edhe kur thotë me insistim se 2+2=4.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY