ILIR SECI/Legjenda e Rozafës

ILIR SECI/Legjenda e Rozafës

1526
0
Shares

Në të tanë kulturat e botës ka rrëfime magjepsëse që nji herë e nji kohë besoheshin si të vërteta, por që sot thjesht janë të kufizueme në qarkun e “Miteve dhe Legjendave”. Mite dhe Legjenda që janë mbartun neper mijëvjeçarë, të cilat tradita popullore i ka percjellun si trashgimi gojore neper brezni, nga nji brez te tjetri … Gjithëhera asht shtrue me te drejte pyetja: – “Çka janë këto mite?! A kane baze historike këto mite apo janë thjesht fantazi që asht ngjizë në mendjen e të parëve tanë!? Athue vallë këto mite janë të bazueme në ngjarje të vërteta?!”…

Për studiesit të cilët i bazojne perfundimet e veta në kritere shkencore, Mitet, janë do produkte fiktive të imagjinatës së njeriut primitiv, në fillimet e njerezimit. Shkencetaret i kqyrin Mitet si fryt i nji imagjinatës së përndezun te njeriut në agun e qytetnimeve që duke mos pasun mundësi me i shpjegue fenomenet jetesore i mistifikonte ato. Mirepo cilesori “primitiv” na nxjerr pak si arrogantë ne njerëzve të sotëm në qoftë se ngutemi me i quejtë paraardhësit tanë “të pacivilizuem dhe injorantë”… Dalim arrogantë se harrojmë admirimin me të cilin – po na njerëzit e sotëm – i kundrojme monumentet, faltoret, ndërtesat, arkitekturen, skulpturat, artin ne tanësi, strukturat gjigande te ndertueme nga njerezit “primitive” te antikitetit!? Po i njajti gen krijues që ka realizue ato mrekulli antike, ka krijue edhe Mitet dhe Legjendat… E na Artin antik e admirojme kurse Mitet i quejmë “primitive”!? Kjo gja në fakt vetëm sa dëshmon që shoqnia jonë moderne ka qëndrime kundërthanese ndaj antikitetit, qëndrime kontradiktore ndaj të kaluemes tonë…E kalueme që në të vërtetë na ban me qenë këta që jena sot! Çdo komb ka nji nënshtrese mitike që gjindet thelle në rranjet e atij komb… Sa ma i vjeter kombi aq ma te thella rranjet…Ne mesin e atyne rranjeve për çdo komb ka nji Arkeo-Mit, nji Krye-Mit…Per ne shqiptarët mendoj se Arkeo-Miti jonë kombëtar asht Legjenda e ROZAFËS…

Legjenda e Rozafës vjen nga qyteti ma i njohun shqiptar, Shkodra. Qyteti bri liqenit, ka nji pozitê gjeografike që e ban me kenë si nji konkluzion i gjeografisë fizike të Kombit Shqiptar. Aty në fushe te Shkodres shtron rrjedhen e vet te rrembyeshme Drini i Bashkuem, mbasi ka mbledhe ujnat e Dy Drinave, Drinit te Zi e Drinit te Bardhë. Dy Drinat qe jane si arteriet e Kombit mbasi perthithin në pellgjet e tyne ujembledhese ujnat e shumices se Shqipnise Etnike. Ujna qe ndalin në Shkoder para se me u derdhë në detin e Adries. Keshtu Shkodra bahet natyrshem nji konkluzion i gjeografise fizike te Shqipnisë! E kur asht konkluzion i gjeografise fizike te Kombit, Shkodra asht edhe konkluzion i gjeografise shpirtnore sepse gjeografia fizike shndrrohet ne gjeografi shpirtnore permes Etnografise! Drini i Bashkuem ashtu si mbledh ujnat e gurrave e burimeve te pjesës ma te madhe te Kombit ashtu mbledh edhe rrjedhat e gurrave të burimeve etnografike qe gjakojnë ne ato vise… Per kete arsye mitet dhe legjendat e Shkodres duhen kundrue si te tilla ; si Konkluzione Etnografike! Mbi tane mitet dhe legjendat ban balle Legjenda e Rozafes… Ashtu si shumica e miteve, Legjenda e Rozafës asht nji histori e kallzueme me me kod…

Në Vepren e tij “Antropologjia strukturore”, antropologu dhe studiuesi i famshem i miteve, francezi Claude Lévi-Strauss, bán pohimin se – “Miti asht Gjuhë”. Në vepër studiuesi merret gjate me përqasjen mes Mitologjisë dhe Gjuhes… Duke e kundrue Mitologjinë si gjuhë, Lévi-Strauss sugjeron se Miti mund të trajtohet në të njajtën mënyrë si trajtohet gjuha, mund të shqyrtohet nga të njajtat metoda strukturaliste që përdoren për me shqyrtue gjuhën. Lévi-Strauss shkruen :

-“Miti asht gjuhë që funksionon në nji nivel shumë të naltë ku kuptimi praktikisht ja del mbanë me u shkëputë nga kurtha e tabanit gjuhësor ku ishte ngulfatë.”

Per me argumentue kete gja Levi-Strauss ban tri sugjerime :

-Se në Mit kuptimi nuk asht i izoluem në pjesët kryesore perbamëse të mitit, por në mënyren si janë kompozue ato pjesëve ;

-Se pavaresisht se Miti dhe Gjuha konsiderohen kategori të ngjashme, gjuha funksionon ndryshe në Mit ;

-E treta, se gjuha në mit manifeston funksione shume herë ma komplekse sesa në shprehjet gjuhësore ;

Nga këto sugjerime, ai del në përfundimin se Mitet mund të thyhen në njësi përbamëse dhe këto njësi janë të ndryshme nga njësitë përbamëse të gjuhës. Ndryshe nga përbamësit e Gjuhës, përbamësit e Mitit, Levi -Strauss i quen “Mitema” dhe shkruen se funksionojne si nji “Tufë Marredhaniesh.” …Ndryshe prej Shkolles Simboliste të Karl Jungut që e kerkonte kuptimin vetem te perbamësit e Mitit, shkolla e krijueme prej Levi-Strauss e kerkonte kuptimin ne marrëdhaniet e mitemave…

Ksisoji le ta bajme nji sprove me analizue Legjenden e Rozafes …

-“I ra mjegulla Buenës/

Ndej tre dite edhe tri net…”

Numri tre haset disa here ne kete legjende, atje “Ku punojshin Tre Vllazën”…

Ne numerologji numri tre asht numri qe simbolizon Tanësinë. Numri tre asht numri qe tejkalon dualitetin! Treshi asht numri i parë me të cilin arrihet me u dhane kuptimi i “Tanësise”… Asht Triada sepse ky numer permban nji fillim, nji mes dhe nji fund. Fuqia e numrit tre asht universale ashtu si vetë natyra tripartide e botës, jane Qiejt, Toka dhe Ujnat. Numri tre asht vetë Njeri, Trupi, Fryma dhe Shpirti. Fryma dhe Shpirti nuk duhen ngaterrue sepse nuk janë të njajta.Te numri tre janë Lindja, Jeta, Vdekja. Asht Fillimi,Mesi dhe Fundi. Numri tre në vetvete asht nji cikël i plotë. Asht e Kaluemja, e Tashmja dhe e Ardhmja…

Tre vllaznit ne Legjende nuk munden me ngrite Kalane sepse ajo pune qe ata bajne gjithe Diten u prishet Naten… Elementet perbamëse te legjendes duhen kundrue si sugjeron Levi-Strauss, “…duke kerkue kuptimin ne marrëdhaniet e mitemave.”… Shembja e mureve te Kalase nuk duhet pa si realiteti fizik ku guret nuk rrine e rrezohen naten, sepse ajo asht vetem veshja e jashtme e mitit. Legjenda duhet kqyre ma me vemendje sepse asht Legjenda e nji qyteti mijëravjeçar qe ishte aty qysh se në Agun e Njerezimit! Pikerisht se vjen nga Shkodra siç thamë ma nalt – Konkluzion Gjeografik dhe Etnografik i Kombit tonë – kjo Legjende ka shumë me na thanë! Le te bajme nji sprove me gjete atë gjuhen qe sugjeron Levi-Strauss…

Kalaja asht simboli i Mbrojtjes, asht simboli i Shtetit! Kalaja duhet ndertue me mbrojte qytetnimin prej barbarisë! Asht çështje jetike! Vete Kalaja e Shkodres me historine e saj deshmon kete gja sepse sa here qe ka ra kjo Kala, ka ra nen thundrën e huej edhe mbare Kombi yne! Qysh nga koha e Teutes kur ra nen sundimin romak, ne kohen e sundimit sllav te mesjetes se hershme, te renia kobzeze nen thundren osmane apo pushtimi nga malazezet mbas rrethimit te Shkodres… E kundrueme kshtu Legjenda e Rozafes funksionalizohet kur vendoset ne kontekstin historik! Nuk asht fjala thjesht per Tre Vllazen qe po ndertojne nji kala dhe puna qe banin diten u rrënohej natën…Jo! Të tre vllaznit perfaqesojne universalitetin e natyres njerezore. Simbas porosise se Plakut te urte te Tre Vllaznit duhet me e sakrifikue nje fli njerezor qe me u ndertue Kalaja. Që me u ngrite Shteti domethane! Te Tre Vllaznit e bajne me fjale mos me u diftue grave te veta dhe ajo qe do vije me pru buken ka me u murosë! Dy Vllazën u diftojne grave te veta mos me shkue, kurse i Treti, i vogli, nuk i difton… Tre Vllaznit ne kete rast simbolizojne Kompleksitetin e Natyres Njerezore. Dy prej tyre jane njerezit meskine qe nuk duan te sakrifikojne asnji gja per te miren e perbashket por duan perfitimet e asaj te mire qe asht Kalaja ne kete rast, Kalaja qe u siguron mbrojtjen! Kalaja qe asht Shteti… I treti Vlla asht Idealisti qe don me ndertue Kalane,(Shtetin), me çdo kusht! Me çdo sakrifice! Duke sakrifikue edhe gjane ma te shtrenjte qe ka

Gruen-Dashnine e jetes se vet! E me kete sakrifice pajtohet edhe vete e Shoqja, Rozafa! Ne kjoftë se e kundrojme me vemendje Legjenden, askundi Grueja e Vllaut te vogel nuk qan as nuk kundershton fatin!? Ajo vetem kerkon me ja lane jashte njanin gji qe me i dhane tamel djalit te mitun! Sa i fuqishem asht ky simbol! Nana sakrifikohet per me sigurue nji te ardhme ma te mire per femijen e saj :

-“Mi leni jashte/

njanin gji qe me e ushqye/

njanin sy qe me e pa tue u rrite/

njanen dore qe me e perkedhele/”

Legjenda e percjell te kjartë Kodin! Asht sakrifica qe bahet per me ndertue te ardhmen! Me ndertue nje Kala ma te forte! Me ndertue nji shtet ma te forte! Rozafa që flijohet pa ba za dhe i shoqi që pranon me flijue dashnine e jetes se tij, jane idealistet e shoqnise njerezore! Nji pajtim i vetedijshem me fatin, jo pajtim i verber! Ne ate pajtim ka diçka nga pajtimi i Sokratit te lashte kur piu kupen e helmit vetem mos me shkaterrue shtetin…

Mesazh universal asht ky – Vetem Idealistat e kanë çue boten përpara!

(Shkrue ne Kala te Rozafes, Gusht 2016)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY