DOSJE/ Burgu i “7 Penxhereve” mes 4 regjimeve

DOSJE/ Burgu i “7 Penxhereve” mes 4 regjimeve

412
0
Shares

Oshtima e goditjes së kangjellave nuk dëgjohet më prej vitesh. Penxheret e hekurta heshtin, por jo historitë që mbartin brenda tyre. Ai vazhdon të jetë edhe sot, në brendësi të kalasë madhështore, i mistershëm po aq sa dikur, i frikshëm dhe me heshtjen e zhurmshme që mbretëron në çdo hapësirë të tij. Burgu i famshëm i “7 Penxhereve”, i pagëzuar i tillë për shkak të numrit të dritareve, mbart brenda vetes historitë njerëzore të atyre dhjetëra e qindra të burgosurve në vite. Një derë e vjetër metalike sapo futesh në Muzeun e Armëve të çon në atë që dikur ka qenë burgu i kalasë së Gjirokastrës. I ndërtuar me urdhër të mbretit Zog, punimet për ndërtimin e këtij burgu kanë filluar që në vitin 1929, ndërsa inaugurimi i tij u bë në vitin 1932. Dëshmi e asaj dite është dhe një foto ilustruese me tabakanë e mbushur me llokume e gota me raki. Ironike të mendosh se një ritual gëzimi zbatohet për përurimin e një institucioni që të privon lirinë e të jetuarit. Gurët dhe materialet për ndërtimin e tij u siguruan nga ish-ujësjellësi i kalasë, i ndërtuar dikur nga Ali Pashë Tepelena. Për katër dekada me radhë, ky burg u shërbeu katër regjimeve të ndryshme.

Burgu i “7 penxhereve”
Drejtori i Muzeut të Armëve, Besnik Shehu tregon se fillimisht u përdor nga regjimi zogist, më pas nga pushtuesit fashistë dhe nazistë, ndërsa deri në vitin 1968, kohë që shënon edhe mbylljen e tij, ishte në përdorim nga regjimi komunist. Vizitat në këtë pjesë të kalasë janë të rralla, pakkush kujtohet dhe ka informacion për të. Ngjashmëria e tij me një zonë muzeale është shumë larg parametrave të duhur. “Gjithsesi edhe në këto kushte që është, ky si muze flet shumë. Pavarësisht infrastrukturës së brendshme që ka nevojë për përmirësim, nisur nga fakti që është burg, edhe te vizitori dhe turisti i huaj, krijon idenë dhe i fut ata në botën e të jetuarit në qelitë e burgut. Ka nevojë për një komoditet më të madh ekspozimi, por sërish është në funksion të destinacionit për të cilin është ndërtuar”, pohon Shehu. Në korridorin e gjatë dhe muret plot mbishkrime, dyert e qelive të dikurshme janë të hapura. Një frikë e pavetëdijshme të bën të stepesh para se të hysh në to. Ndoshta frika se mund të mos dalësh dot më prej andej apo besëtytnia se shpirtrat e të burgosurve ndodhen ende aty. Vetëm një pjesë e burgut të “7 penxhereve” është e vizitueshme, e trajtuar si e tillë prej kohës kur u vendos të bëhej pjesë e muzeut në vitet “70. Pjesa tjetër e njërit prej burgjeve më të mëdha e më famëkeqe të kohës, është e burgosur brenda dyerve të hekurta dhe harresës së njeriut dhe kohës. Historia e një periudhe të tërë regjimi është mbyllur pas këtij dryni. Një burg i “burgosur” në harresë, i lënë mënjanë sikur të mos kish ekzistuar kurrë. Sipas drejtorit të Muzeut të Armëve, periudha e komunizmit, kohë kur numri i të burgosurve kryesisht politikë nuk ka qenë i paktë, është krejtësisht e paekspozuar në muzeun që pasqyron vetëm periudhën e Zogut dhe Luftës Nacionalçlirimtare, një mangësi tjetër në këtë muze të veçantë.

Harresa
“Në momentin që në kalanë e Gjirokastrës u ndërtua Muzeu i Armëve, vetë burgu u përshtat për natyrë muzeale dhe deri më sot në funksion të anës muzeale janë të pasqyruara vetëm periudha e Zogut dhe Luftës së Dytë Botërore. Për periudhën e komunizmit nuk ka të dhëna, dhe në këtë aspekt ky është një boshllëk”, shprehet drejtori Besnik Shehu.
Restaurimi i fundit i kësaj pjese të kalasë është bërë dekada më parë dhe gjithçka është lënë në mëshirë të kohës dhe degradimit të pashmangshëm. “Brenda mundësive që ka pasur pushteti lokal, burgu ka mundur të funksionojë si muze, por nëse flasim për restaurime të plota e të domosdoshme, këto janë investime madhore, për të cilat kërkohet ndërhyrja e shtetit. Muzeu duhet rikonceptuar në funksion të destinacionit që ka”, pohon Shehu.
Në fund të korridorit, gjendet busti i heroinave të popullit, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të cilat u burgosën dhe u torturuan pikërisht në këto qeli dhe më së shumti në atë që është simboli më i frikshëm i këtij burgu, qelinë e vdekjes.
“Këto lloj qelish krijojnë terror psikologjik dhe fizik te të burgosurit”, thotë Besnik Shehu.
“Got mit uns” (Zoti ju ndihmoftë) janë fjalët e shkruara, e tashmë me vështirësi të dallueshme, në hyrje të portës së qelisë më famëkeqe të këtij burgu, qelisë së vdekjes, aty ku futeshe për të dalë vetëm i vdekur. Qelia e vdekjes, emër ky që i përshtatej më së miri, ishte një ndër 50 qelitë e burgut më të madh në jug të vendit tonë. Kalimi i kësaj porte do të thoshte vetëm një gjë: vdekje të sigurt. Një korridor tepër i vogël e i ngushtë shërben si ndarës për dy miniqeli të tjera, njëra prej të cilave ishte dhoma e torturave. Mbi murin e njërës prej dy qelive ndarëse, ku lagështia vazhdon të mbizotërojë, janë shkruar tri mbishkrime, të njërës prej heroinave të popullit, Bule Naipi.
Gjatë gjithë kohës së qëndrimit brenda kësaj qelie, të burgosurit qëndronin në ujë të nxehtë gjatë verës dhe në ujë të ftohtë gjatë dimrit të acartë të Gjirokastrës. Ende dhe sot nuk ka një shifër të saktë të të burgosurve që kanë kaluar këtë portë famëkeqe dhe u janë nënshtruar torturave çnjerëzore brenda kësaj qelie të vogël e të errët si vetë makthi, madje nuk ka as një shifër të saktë të të burgosurve në vite në këtë burg, por në 38 vite funksionim të tij, mendohet se shifra e tyre ka qenë e lartë.
“Në këtë burg ka mbi 50 qeli dhe në secilën prej tyre ka pasur mbi dy persona. Numri i të burgosurve ka qenë relativisht i lartë”, pohoi Shehu.
Ndërsa, mbishkrimet në mure dëshmojnë faktin se nuk kishte dallime mes atyre që burgoseshin. Gra dhe nëna me fëmijë janë dergjur e kanë ngrysur ditët e tyre në këto qeli të vogla e të ftohta si vetë frymëmarrja e munguar e lirisë së mohuar. Është folur jo rrallëherë për rifunksionalizim të kësaj pjese të kalasë në shërbim të turizmit, por me kalimin e viteve fjalët ripërsëriten pa reshtur, ndërsa lagështia, rrënimi dhe harresa janë ulur këmbëkryq në këtë pasuri të kujtesës historike. /GazetaShqiptare/
burgu 7 penxheret

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY