GRAFIKËT/ Zhgënjen rritja ekonomike, mungojnë 40 milionë euro

GRAFIKËT/ Zhgënjen rritja ekonomike, mungojnë 40 milionë euro

51
0
Shares

Pamje nga Unaza e re e Tiranës, një projekt infrastrukturor në ndërtim. Projekte të tilla zakonisht kanë volume të larta punimesh në periudhat me fushata elektorale, duke sjellë rritje të përkohshme të PBB-së së ndërtimit.

Vlerësimi paraprak i INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto 2015 flet për rritje ekonomike prej 2.6 për qind, plot 0.4 për qind më pak nga sa qe shpresuar nga qeveria në fillim të vitit.

Programi i qeverisë shqiptare për rimëkëmbje ekonomike mori një goditje tjetër sot (11 prill), pasi Instituti i Statistikave deklaroi se vlerësimi paraprak për rritjen ekonomike 2015 rezulton vetëm 2.6 për qind, nga mbi 3 për qind që pati parashikuar qeveria në janar 2015.
Instituti i Statistikave njoftoi sot se Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt të vitit 2015 u rrit me 2.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, i ushqyer nga rritja në sektorin e ndërtimit, (konkretisht hidrocentrali i Devollit) ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë patën ecuri të keqe, përfshirë bujqësinë, e cila pësoi rënie neto prej 0.9 për qind.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është aktualisht 10.3 miliardë euro. Ngadalësimi i ritmit të rritjes nga 3, në 2.6 për qind, siç ndodhi gjatë vitit të kaluar, përbën një diferencë prej 40 milionë eurosh më pak.

Parashikimi doli huq
p1Qeveria shqiptare i kryen planifikimet e veta në bazë të një dokumenti të titulluar “Kuadri Makroekonomik e Fiskal”. Dokumenti i miratuar në janar 2015, parashikonte rritje ekonomike në masën 3 për qind për këtë vit dhe rritje ekonomike 4 për qind për vitin 2016.
(link dokumenti)
Por rimëkëmbja ekonomike nuk shkoi siç shpresohet dhe parashikimi i ri i kryer në janar të këtij viti, flet për rritje ekonomike prej 2.6 për qind në vitin 2015 dhe 3.4 për qind në vitin 2016.

Rritje e pashëndetshme
p2Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara sot tregojnë se rritja ekonomike e vitit të kaluar është shkaktuar para së gjithash nga sektori i ndërtimit, ku zgjedhjet për pushtetin vendor dhe investimet paraelektorale të qeverisë patën një rol kyç, krahas një projekti masiv ndërtimi në jug të vendit i njohur si Hidrocentrali i Devollit.
Zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri u zhvilluan në qershor 2015, dhe u paraprinë nga një fushatë ndryshimesh në fasadat e qendrave të qyteteve kryesore të njohura si Rilindja Urbane. Kjo valë shpenzimesh publike solli një rritje të pazakontë dhe të papritur në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Sektorit të Ndërtimit, i cili u rrit me 25 për qind në tremujorin e dytë dhe me 17 për qind në tremujorin e tretë. Sektori i ndërtimit përfitoi gjithashtu edhe nga hidrocentrali i Devollit, një projekt qindra-milionësh aktualisht në ndërtim. Për rrjedhojë, rritja ekonomike, aq e paktë sa qe në vitin 2015, konsiderohet e pashëndetshme për shkak se është e bazuar në ngjarje kalimtare.

Rënia dramatike e bujqësisë
p3Sektori i bujqësisë pësoi një rënie prej 0.9 për qind gjatë vitit 2015, rënia e parë e këtij sektori në shumë vite. Sipas INSTAT, bujqësia ka shënuar rënie të vazhdueshme për pesë tremujorë radhazi dhe në tremujorin e fundit 2015, rënia ka qenë edhe më e lartë.
Shkaku kryesor i rënies së bujqësisë vlerësohet se lidhet me përmbytjet masive që përfshinë disa zona të vendit në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, përfshirë dëmet e shkaktuara në Ultësirën Perëndimore nga dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë e Seman.

Autor: Gjergj Erebara
BIRN
Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY