BUJAR NISHANI/Shtëpia Jonë është e Mikut dhe e Zotit*

BUJAR NISHANI/Shtëpia Jonë është e Mikut dhe e Zotit*

64
0
Shares

Për të folur më konkretisht, po citoj me këtë rast Pashko Vasën, një ndër personalitetet e spikatura të jetës politike e kulturore në Shqipëri, i cili ka shkruar: “E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqiptarit është shqiptaria!”. Kjo shprehje është treguesi më origjinal i ekzistencës së tolerancës dhe harmonisë fetare në Shqipëri, që nuk është aspak e rastësishme, por e kultivuar më shumë mund e sakrificë për shekuj me radhë. Kjo tolerancë dhe harmoni i ka shërbyer plotësisht ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar, shpeshherë në kushte dhe rrethana aspak të favorshme.

Ndërkohë, një tjetër personalitet i njohur i politikës shqiptare, Faik Konica, është shprehur: “Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”. Kjo sintetizon më së miri kontributin e bashkësive fetare për atdheun, për Shqipërinë, që është pika e bashkimit e të gjithëve pa dallim feje e krahine.

Në qoftë se u referohemi shembujve të tolerancës dhe harmonisë fetare në Shqipëri, ato janë vërtet të shumtë dhe të gjithëllojshëm. Mjafton të përmend një fakt të vetëm historik, pasi ata janë aq të shumtë, sa nuk do të mund t’i përmendja dot kurrë të gjithë, kur delegati i Indisë u shpreh në seancën e mbledhjes së Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920: “Kur në botë zhvilloheshin ende luftëra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët dhe ortodoksët jetonin në harmoni dhe ishte fakt i shkëlqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane të kishte këtu përfaqësues një të krishterë dhe një prift”.

Toleranca dhe harmonia fetare në Shqipëri manifestohen në shumë mënyra, duke nisur nga festimet e përbashkëta të festave fetare, krushqitë, miqësitë, etj. Fatmirësisht, kjo tolerancë dhe harmoni fetare është një vlerë e madhe e një kombi të vogël, që sot e transmeton me shumë bujari tek të tjerët për t’i shërbyer zhvillimit, përparimit e mirëqenies së tyre. Kjo vlerë na ka ndihmuar dhe na ka shërbyer edhe në çastet më të vështira, me të cilat jemi përballur ne shqiptarët si komb, duke kontribuar në mënyrë racionale e graduale në ndërtimin e së ardhmes dhe prosperitetit të vendit tonë. Kjo vlerë i ka kthyer shqiptarët kudo janë në faktorë të fuqishëm stabiliteti dhe përparimi.

Asnjëherë në histori Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë përballur me konflikt fetar në mes tyre, pavarësisht nga rrethanat dhe nxitjet që mund të jenë stisur në çaste të caktuara dhe kjo falë tolerancës, harmonisë, respektit dhe bashkëpunimit që ka ekzistuar dhe ekziston në mes besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. Kjo nuk ka qenë, në asnjë rast, një koincidencë e vetme apo e rastësishme, por ka qenë produkt i një tradite të zhvilluar e të kultivuar brez pas brezi me shumë durim, mund e sakrifica.

Toleranca dhe harmonia fetare janë antiteza e fenomeneve si terrorizmi dhe acarimi ndërmjet njerëzve, bashkësive dhe kombeve. Shqipëria, fatmirësisht, nuk është prekur nga këto fenomene, përkundrazi, ajo është rreshtuar në krah të shteteve që po luftojnë me këtë të keqe të madhe që po i krijon sot shqetësime serioze shoqërisë dhe qytetërimit mbarëbotëror. Organizata terroriste po i shkaktojnë dëme të pariparueshme civilizimit mijëravjeçar botëror, si pasojë e mungesës së tolerancës së tyre ndaj besimeve të tjera dhe ndaj zhvillimeve moderne bashkëkohore.

Një ndër shtyllat, ndoshta më themelore të tolerancës e harmonisë fetare në Shqipëri, është se besimet dhe bashkësitë fetare janë njëlloj të barabarta si për nga rëndësia, ashtu edhe për nga ligjshmëria e tyre. Kjo baraspeshë dhe ligjshmëri duhet ruajtur me shumë këmbëngulje e seriozitet dhe nuk duhet provokuar nga asnjë besim apo bashkësi fetare, pasi provokimet do të çonin në shkatërrimin e pariparueshëm të kësaj vlere të paçmuar, por gjithsesi, të brishtë që ne, fatmirësisht, kemi. Shqipëria e ka sanksionuar lirinë e besimit fetar me Kushtetutë, ndërkohë që ajo ka rregulluar marrëdhëniet në mes të shtetit shqiptar dhe fesë si marrëdhënie që karakterizohen nga neutraliteti i shtetit shqiptar kundrejt të gjitha besimeve dhe bashkësive fetare në vend.

Liria e fesë dhe e besimit u godit rëndë nga sistemi i kaluar diktatorial që bëri përpjekje maksimale dhe përdori të gjitha mjetet e mundshme, deri dhe ato më barbaret, siç ishte shembja e kishave, xhamive dhe objekteve të tjera të kultit, si dhe përndjekja, persekutimi, internimi dhe ekzekutimi i klerikëve pa dallim. Kjo qe një tronditje e madhe shpirtërore dhe kulturore për mbarë popullin shqiptar, i cili megjithatë, ai doli të ruajë tolerancën dhe harmoninë me njëri-tjetrin, ashtu siç kishin bërë edhe brezat e mëparshëm. Nuk është aspak rastësi që po ajo harmoni që ekzistonte përpara kalvarit komunist, sot është rikthyer dhe rigjallëruar me të njëjtat atribute dhe vlera dhe duket qartë që do të ndiqet dhe të çohet më tej nga brezat e ardhshëm.

Toleranca dhe harmonia fetare përbëjnë sot ato vlera që po kontribuojnë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi janë garancia më e madhe e stabilitetit dhe bazë e sigurt e zhvillimit gradual të vendit drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

* Fjala e Presidentit Nishani në pritjen me rastin e Takimit Ndërkombëtar “Paqja është gjithnjë e mundur.”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY