Strukturë e përbashkët e Krimeve të Rënda Tiranë-Holandë për vrasjen e...

Strukturë e përbashkët e Krimeve të Rënda Tiranë-Holandë për vrasjen e 3-fishtë tek “Zogu I”

42
0
Shares

Ngjarja e rëndë e cila ndodhi në fund të majit në bulevardin “Zogu I”, ku gjatë një përplasjeje të armatosur humbën jetën Mentor Lufi, Durim Sulku dhe Gerti Goxhaj do të hetohet nga një grup i vetëm hetimor, i përbërë nga prokurorë të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe të Prokurorisë së Roterdamit në Holandë.  Pritet që grupi i përbashkët hetimor të ngrihet së shpejti, pasi gjaë këtyre ditëve do të nënshkruhet një marrëveshje mes këtyre dy strukturave, raportojnë burime nga prokuroria. Po ashtu, çështja do të hetohet në bashkëpunim për shkak të lidhjes së vrasjes së 3-fishtë me varsjen e mëparshme të Ilirjan Sulkut në Roterdam të Holandës.
Marrëveshja
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, prokurorët shqiptarë dhe holandezë do të jenë pjesë e Ekipit të Përbashkët Hetimor, një strukturë e cila krijohet për herë të parë. Mësohet gjithashtu se kjo strukturë synon të përshpejtojë veprimet hetimore në të dy shtetet për të zbardhur dy ngjarjet kriminale, për të cilat ka të dhëna të shumta se kanë lidhje me njëra-tjetrën. Sipas parashikimeve të marrëveshjes së pritshme, informacionet që do të përftohen nga hetimi në njërin shtet, do t’i përcillen menjëherë edhe shtetit tjetër, me qëllim koordinimin e veprimtarisë hetimore. Deri tani mendohet se zanafilla ka nisur që në momentin kur Mentor Lufi ose Doçi, siç njihet ndryshe, është plagosur në një lokal në kryeqytet, për të cilën ai dhe dy nipërit e tij menduan se ia kanë bërë vëllezërit Sulku. Pas kësaj ngjarjeje, vritet në Holandë Ilirjan Sulku, ngjarje të cilën u hodhën dyshime se e kishin kryer dy nipërit e Doçit, Markeljan dhe Klevis Doçi. Kjo ishte edhe arsyeja se përse Besnik Sulku, vëllai i Ilirjanit, deshi të merrte hakun e të vëllait, në momentin që më 28 maj të këtij viti doli para makinës së Mentor Doçit dhe qëlloi ndaj tij dhe Gerti Goxhajt, i cili ndodhej rastësisht në makinën e Doçit, duke i lënë të dy të vdekur. Por, pas kësaj, dy nipërit e Doçit, Markeljani dhe Klevisi, qëlluan mbi Besnik Sulkun, duke e lënë edhe atë viktimë të kësaj ngjarjeje.
Si lindi ideja e grupeve të përbashkëta
Burime pranë strukturave hetimore sqarojnë se koncepti i ekipeve të përbashkëta hetimore lindi nga ideja se metodat ekzistuese të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe juridik, në vetvete, ishin të pamjaftueshme për të trajtuar krimin e rëndë të organizuar ndërkufitar. Lindi mendimi se një skuadër autoritetesh gjyqësore dhe hetuesish nga dy ose më shumë shtete, të cilët të punonin së bashku me autoritet të qartë ligjor dhe qartësi lidhur me të drejtat, detyrat dhe detyrimet e pjesëmarrësve, do të çonte në përmirësimin e luftës kundër krimit të organizuar. Në përgjithësi, EPH-ja përkufizohet si një skuadër hetimi e krijuar mbi bazën e një marrëveshjeje ndërmjet dy ose më shumë autoriteteve kompetente dhe palëve të tjera për një qëllim specifik (për shembull, për hetimin e një operacioni të veçantë kriminal) dhe për një kohëzgjatje të caktuar. Në varësi të kompetencave operative të anëtarëve të EPH-ve, ato mund të ndahen dhe të karakterizohen si pasive ose si aktive. Një shembull i një skuadre pasive mund të jetë kur një hetues nga Bosnja dhe Hercegovina punon me hetuesit nga Kroacia dhe ka rol këshillimor ose konsultues ose rol mbështetës bazuar në ofrimin e ndihmës teknike vendit pritës. Një skuadër aktive përfshin oficerë nga të paktën dy juridiksione me aftësinë për të ushtruar të gjitha ose të paktën disa kompetenca operative nën kontrollin e vendit pritës në territorin ose juridiksionin ku funksionon ekipi (p.sh., një oficer serb policie që punon në Mal të Zi me një skuadër malazeze hetimi). Caktimi i një oficeri ose prokurori të huaj të zbatimit të ligjit në një skuadër operative në një tjetër juridiksion në përgjithësi mbështetet ose në legjislacionin kombëtar që i lejon një oficeri të huaj të emërohet, ose në një marrëveshje për ndihmë teknike. Por, këta specialistë shpjegojnë se, krahas ekipeve të përbashkëta hetimore, në shumë raste ndiqen edhe hetimet e përbashkëta paralele, të cilat janë dy hetime të veçanta të ndërmarra në dy shtete të ndryshme me një objektiv të përbashkët. Zyrtarët e përzgjedhur nuk gjenden në të njëjtin vend, por janë në gjendje të punojnë bashkërisht mbi bazën e praktikave afatgjata bashkëpunuese dhe legjislacionit ekzistues për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike, në varësi të natyrës së sistemeve ligjore të përfshira.

 

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY