Basha: Rama-Meta kundër dekriminalizimin, mos prekni votat ju pret fundi i keq!

0Shares
0

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Kreut të Kuvendit Ilir Meta se po shkelin me këmbë dekriminalizimin. Madje Basha i ka quajtur Ramën e Metën, autorë të kriminalizimit. Deklaratat e Bashës, janë bërë në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ku ai gjithashtu i ka bërë thirrje mazhorancës të mos provojë të prekë zgjedhjet e 21 qershorit.
Kryetari i opozitës ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit se po pengojnë procesin e dekriminalizimit. Sipas zotit Basha arsyeja kryesore e këtij qëndrimi lidhet me përfshirjen në garën zgjedhore të 21 qershorit të personave të inkriminuar. Kreu i PD-së tha se opozita do ta fitojë betejë për dekriminalizimin dhe se zgjedhësit shqiptarë do ta flakin ofertën e krimit të organizuar.
Lulzim Basha paralajmëroi mazhorancën që të qëndrojë larg vjedhjes së votave me 21 Qershor. Në mbledhjen e grupit parlamentar zoti Basha tha se nëse kjo ndodh atëherë shumicën qeverisëse e pret fundi më i keq. Basha ka paralajmëruar shumicën politike se në këto zgjedhje nuk do të lejohet për asnjë rast tjetërsimi i votës së sovranit.
Referuar numrit të lartë të shqiptarëve të cilët kërkojnë azil ekonomik në Gjermani, Basha u bëri thirrje të mos lënë vendin por të votojnë pasivisht në 21 qershor për të mundësuar fitoren e së djathtës në Bashkitë.

Fjala e plotë e kreut të PD-së Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar

Beteja jonë historike për dekriminalizimin e jetës politike dhe institucionale të vendit, po hyn në një moment të ri, vendimtar për fatin dhe suksesin e saj.
Ky është momenti i së vërtetës për të gjithë: Kush e ka bindje dhe kush e ka shtirje. Kush e ka projekt dhe kush e ka fasadë. Kush e ka seriozisht dhe kush e ka për sy e faqe.
Kush e ka me vepra dhe kush e ka me mashtrime e gënjeshtra. Kush ka vendosmërinë e patundur për ta çuar përpara me çdo çmim dhe kush bën lojë të dyfishtë, duke ju hedhur hi syve ndërkombëtarëve në një anë, dhe duke u shkelur syrin miqve me rekorde kriminale në anën tjetër!
Ky është momenti i qartësisë për të gjithë. Deri ku është ngjitur realisht  kriminalizimi i jetës politike  dhe institucionale të vendit? A është e lirë elita politike e vendit? A janë të lirë kundërshtarët tanë në qeveri të votojnë dhe zbatojnë paketën e dekriminalizimit?
A është i lirë Edi Rama t’u japë duart  individëve me rekorde kriminale, t’i largojë, të ndahet me ta, të mos i kandidojë  në zgjedhjet vendore, të mos e mendojë më t’i emërojë në poste publike me rëndësi? Të mos u japë mbrojtje kur vihen përballë policisë, prokurorisë,  gjykatave.  
Natyrisht, për ne si opozitë nuk ka as enigma, as të reja në këtë histori. Për ne, Edi Rama dhe Ilir Meta janë bashkautorët e kriminalizmit në përmasat e frikshme që ka marrë ky fenomen me ardhjen e tyre në pushtet. Kriminalizimi i ngritur në sistem është vepra e tyre e zezë.
Ne nuk kemi iluzione që krimi është ngjitur në majë, duke kapur e përfshirë në vorbullën e tij të errët krerët e pushtetit. Akuzat për porositjen e vrasjes së dy deputetëve nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe për fshehjen e krimit nga Edi Rama e Saimir Tahiri po rikthehen në skenë me zhvillimet e reja që po merr e pritet të marrë ky skandal në Gjykatën e Lartë.
Një mori faktesh që nuk mund të anashkalohen nga drejtësia e pavarur, përfshirë fshehjen e qëllimshme të kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Mark Frroku, provojnë se ka pasur vetëm një inskenim në gjithë këtë histori kriminale dhe ky është inskenimi i treshes Rama-Meta-Tahiri për të deformuar e fshirë nga faqja e dheut të vërtetën e  skenarit për vrasjen e dy deputetëve.
Krimi s’ka ku shkon më lart se kaq. Megjithatë  zhvillimet e këtyre ditëve  kanë një rëndësi të madhe për  njohjen e së vërtetës nga qytetarët në gjithë përmasat e saj.
Afrimi i zgjedhjeve vendore, përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe këshilltarë bashkiakë, po nxjerrin në pah më qartë se kurrë, kush nuk ka asnjë kompromis me krimin – Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi- dhe kush po tallet me dekriminalizmin, kush po e shkel me këmbë  dekriminalizimin- dyshja  Rama-Meta me  oborret e tyre  si kartele.
Si për të treguar botërisht se nga një vesh i kanë hyrë dhe nga tjetri i kanë dalë akuzat dhe alarmi ndërkombëtar për shndërrimin e Kuvendit të Shqipërisë në strehën më të padëgjuar në botë të narkotrafikantëve, tutorëve të prostitucionit dhe vrasësve, si për provuar se përpara paktit që ka bërë me botën e errët të krimit nuk ia ndjen as për Uashingtonin, as për Bruskelin, as për opozitën dhe as për opinionin publik,
Edi Rama ka caktuar si kandidat për kryetar bashkie në bashkinë e kryeqendrës së krenarisë sonë kombëtare, në Krujën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Artur Bushin, i arrestuar në Itali në vitin 2010 si pjesëtar i një bande që trafikonte drogë nga Italia në Holandë.
Ne e denoncuam me fakte, me shqetësim dhe përgjegjësi të madhe këtë kandidim të mirëmenduar nga Edi Rama, që është akti i zhubrosjes prej tij të marrëveshjes për dekriminalizmin, marrëveshje e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së. 
Nuk skuqet, as nuk nxihet të promovojë narkotrafikantë edhe pasi është angazhuar me shkrim të bëjë të kundërtën.
Nuk skuqet, as nxihet Edi Rama tek ka vënë në lëvizje makinerinë e tij të shpifjeve dhe spekulimeve për t’i bërë pis të gjithë, që të mos i duket pisllëku i tij, për të futur në një thes dyshime dhe akuza të pakrahasueshme që kanë për qëllim të relativizojnë, justifikojnë dhe rehabilitojnë krimet e rënda, që janë subjekt i dekriminalizimit.
“Shkolla” e trafiqeve vazhdon të jetë shkolla e preferuar e partisë së Edi Ramës. Nga kjo “shkollë” ka ardhur Bushi i Krujës, Roshi i Kavajës, dhjetëra e qindra të tjerë që i kemi denoncuar e do të vijojmë t’i denoncojmë publikisht në vijimësi.
Si është e mundur? Pyesin të revoltuar krutanët, kavajasit, gjithë shqiptarët.
Si është e mundur të kandidojë trafikantë dhe kontingjentë të krimit të organizuar edhe pas zhurmës që është ngritur në të katër anët e botës për këtë rekord të zi të qeverisë së Tiranës?
Si është e mundur edhe tani, kur nuk mund të bëjë më të paditurin, pasi opozita po denoncon me emra, me fakte? 
Është e mundur sepse Bushët dhe Roshët janë vetë Rama.
Është e mundur sepse Bushët dhe Roshët janë kupola e vërtetë e Partisë Socialiste. Promovimi këmbëngulës i individëve me rekorde kriminale është fyerje e madhe për gjithë qytetarët shqiptarë, por është mbi të gjitha një abuzim dhe një fyerje e madhe për Partinë Socialiste, për elektoratin socialist, për elektoratin e majtë, që nuk meriton të përfaqësohet me trafikantë droge, me trafikantë të qenieve njerëzore, me tutorë të prostitucionit, me vrasës, me njerëz të prishur në palcën e qenies dhe shqiptarisë, që kanë detyruar bashkatdhetarët e tyre, motrat e tyre, le të themi, të shndërrohen në skllave.
Shqiptarët me bindje te tjera apo ata të pa reshtuar politikisht presin me besim të madh një reagim historik të elektoratit të majtë kundër këtyre turpeve të Edi Ramës dhe Ilir Metës. 
Jam i bindur se po të respektonin dhe llogarisnin zgjedhësit e ndershëm të së majtës, dyshja Rama-Meta nuk do të guxonte t’i jepte status krimit, diplomave false, injorancës; nuk do të guxonte të ngrinte në nivele drejtuese këtë kontingjent në një vend ku jeton një popull dhe një rini e shkolluar, shumë e etur për dije e progres.
Në rrugën pa krye ku kanë hyrë, ndërsa e dinë se nuk kanë mbështetjen e qytetarëve, ata llogarisin t’i vjedhin votat, t’i blejnë votat, t’i poshtërojnë zgjedhjet.
Ky është zanati i tyre, ky është plani i tyre. E kanë vënë në zbatim pjesërisht në zgjedhjet e vitit 2013, e kanë kolauduar në zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Korçës, duan ta shtrijnë me gjerë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Ndaj guxojnë të kandidojnë trafikantë në kulmin e betejës për dekriminalizimin. Nuk kanë projekt, nuk kanë alternativë, nuk kanë skrupuj. Kanë vetëm para droge, para korrupsioni, para trafiqesh, para të varfërisë së shqiptarëve, me të cilët do të lëshohen për të blerë skamjen e tyre ku t’u ecë. 
Dua t’i paralajmëroj sot në emër të Partisë Demokratike, të opozitës, të  qytetarëve të lirë të mbarë vendit:
Ju keni rënë qafë ku nuk mban më shqiptarëve. Jua keni lidhur lakun e varfërisë në fyt. I keni gënjyer sa ju ka dashur qejfi, ua keni mbushur zemrat me dhimbje e dëshpërim me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë tuaj ekstreme. I keni poshtëruar me ujditë tuaja të ndyra me krimin, jeni në borxh të madh para shqiptarëve, por mos t’u shkojë mendja t’u prekni zgjedhjet e lira dhe demokratike, mos t’u shkojë mendja t’u prekni votën, t’u prekni gjykimin e lirë, pasurinë më të madhe të popullit sovran në demokraci.
Mos provoni të vidhni e blini votat se ju pret fundi më i keq.
Kaq për ketë herë. Por do t’i kthehemi e do t’i rikthehemi çdo ditë kësaj teme madhore dhe jetike për fatin e demokracisë.
Ne jemi e do të jemi në këmbë. Do ta fitojmë betejën e dekriminalizimit. Do ta fitojmë me popullin shqiptar, me zgjedhësit shqiptarë.  Aleanca jonë me qytetarët është aleanca jonë për dekriminalizimin, për ndalimin e rënies, për nisjen e re, për ringritjen.
Ora e sovranit po afron. Ora e  votës po afron.
Zgjedhësit shqiptarë do të flakin me votë të lirë, me guxim dhe vendosmëri, ofertën e krimit të organizuar, kandidatët e krimit të organizuar, pushtetin e krimit të organizuar. Shqipëria është e qytetarëve dhe do të mbetet e qytetarëve.
Shumica Rama-Meta, të nderuar deputetë, hodhi poshtë në mënyrë të verbër të enjten e kaluar amendamentet e paraqitura nga grupi ynë parlamentar për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të karburantit. Ata humben një tjetër shans për t’u ardhur sadopak në ndihmë shtresave në nevojë jo në formën e lëmoshës por për një të drejtë të merituar.
Po të pranoheshin këto amendamente, çdo familje në nevojë do të përfitonte 10-15 mijë lekë në muaj, vetëm për energjinë.
Por shumica aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, megjithëse e quan veten të majtë, refuzoi me arrogancë dy propozime që shkojnë në favor të shtresave në nevojë.
Së dyti – dhe kjo është akoma më e jashtëzakonshme – kjo shumicë rrëzoi në aulën e parlamentit premtimet e saj elektorale për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe  karburanteve, me fjalë të tjera rrëzoi veten e saj pa e vrarë mendjen se si do ju dalin përpara zgjedhësve të tyre.
U kanë marrë votën me premtimin e uljes së çmimit të energjisë, pasi fituan zgjedhjet e rritën e çmimin e energjisë, tani që ne u dhamë rast të korrigjoheshin, pra të mbanin fjalën e dhënë, u fshehën dhe votuan nga poshtë tavolinave.
Me amendamentet e paraqitura ne donim të lehtësonim familjet në nevojë, drejtuesit e automjeteve, bizneset në lidhje zinxhir me çmimin e energjisë dhe  karburanteve.
Ndryshe nga sa thanë përfaqësuesit e qeverisë, kjo është plotësisht e mundur të bëhet pa sjellë pasoja në buxhetin e shtetit. Është e mundur po të luftohet informaliteti në nivele shumë të larta. Është e mundur po të mos vidhet në dogana dhe tatime dhe në çdo sportel ku ofrohen shërbime. Është e mundur po të mos eksperimentohet me drejtues dhe drejtuese pa një ditë pune, me individë me rekorde kriminale, me militantë dhe klientë pa arsim. Është e mundur po të mos vidhet, po të mos bëhen paratë rrush e kumbulla, palma dhe kulla.
Por të gjithë këto kërkojnë që qeveria të jetë në punë, në drejtim, në kërkim, në timon njezet e katër orë non stop, dhe jo ta lëshojë pa duar siç e kanë lëshuar. Ndërsa refuzuan të miratojnë amendamentet që u shërbejnë qytetarëve e përmirësojnë jetën e tyre, dyshja Rama-Meta, u lidhën fort e u bashkuan për të mbrojtur deputetin Koço Kokëdhima, të kapur në flagrancë duke shkelur kushtetutën 150 herë, duke përfituar fonde publike me biznesin privat, e ndaluar kjo rreptësisht nga ligji themelor.
Braktisin qytetarët e pamundur dhe marrin në mbrojtje duke shkelur ligjin e kushtetutën, oligarkun e tyre Kokëdhima. Ata treguan besnikërinë ndaj Koços sot, por shkelën rëndë ligjin dhe krijuan një precedent të rrezikshëm. Ne do ta ndjekim deri në fund këtë çështje, sepse ligjshmëria mund të shkelet me këmbë, por nuk fitohet mbi të. Ligji dhe kauza e drejtë do të triumfojë.
Javën e kaluar paraqitëm një pasqyrë të rrokullisjes së të ardhurve për dy muajt e parë të vitit, janar dhe shkurt. Të ardhurat e marsit janë akoma më keq se të shkurtit dhe të prillit parashikohen me keq se të marsit. Si do t’i ulin çmimet këta kur nuk qeverisin në sektorin kryesor që është ekonomia?
Qytetarët në hall dhe në vështirësi nga gjithë Shqipëria i kanë kërkuar qeverisë të reflektojë ose të ikë,nga sytë këmbët.
Për fat të keq, ata që po ikin nuk janë qeveritarët, por qytetarët.
Eksodi masiv i shqiptarëve, nga Veriu në Jug, është lajmi më i trishtë që po dëgjojmë këto ditë. Është shenja e dorëzimit para skamjes e varfërisë, është dëshpërimi i mijëra familjeve që nuk munden më. Shumë prej tyre i kemi parë të flasin kur thonë “po ikim se nuk kemi bukën e gojës”. “Po ikim se nuk jetojmë dot më në këtë gjendje”.
Sipas statistikave zyrtare, Shqipëria vjen pas Sirisë, e cila është në gjendje të vazhdueshme lufte, për numrin e atyre që braktisin vendin.
Prindër, fëmijë, të rinj, burra e gra që nisen drejt Europës, pa pasur një projekt të sigurt se ku po shkojnë dhe duke e ditur që nuk ka azil. Kaq e pamundur është bërë jeta për ta, kaq shumë ka humbur besimi, sa bashkëqytetarët tanë nisen gjithsesi. Është si arratisje nga ferri, një ikje për t’i shpëtuar skamjes, varfërisë, papunësisë.
Ky është realiteti dramatik që e gjen sot në Kukës, në Rrogozhinë, në Orikum, në Vlorë, në Korçë, Dibër, Lezhë, Elbasan, Shkodër e kudo.
Ky është realiteti i krijuar drejtpërdrejt nga Edi Rama dhe Ilir Meta me politikat e tyre të dhunës dhe shtrëngimit, të rritjes së taksave, të tarifave, të çmimit të energjisë, të çdo produkti të konsumit. Është arratisje nga pasiguria, nga krimi që është ngritur në sistem. Këto janë pasojat e politikës së mbrapshtë të Rama-Metës, që ka çuar në  humbjen e mijëra vendeve të punës, në rrudhje, ikje dhe mbyllje të qindra bizneseve. Përpara se të nisë eksodi i njerëzve, ka nisur eksodi i biznesit, i kapitalit, i sipërmarrjes, i parasë. Kur ikën kapitali e paraja, të dëbuar nga qeveria me arbitraritetin e me taksat e saj të rritura, atëherë ka varfëri, papunësi.
Eksodi i varfërisë dhe dëshpërimit ka tronditur të madh e të vogël, mbarë Europën. E ka kthyer Shqipërinë në një kamp të madh të skamjes, papunësisë e korrupsionit qeveritar, dhe kjo i detyron qytetarët tanë të ikin.
Këta janë të dëbuarit e Edi Ramës i cili, nuk po gjen asnjë moment të thotë një fjalë për këtë zhvillim dramatik. Asnjë fjalë të vetme dhe me siguri po e shijon me kënaqësi perverse dyndjen drejt Europës, duke shpresuar se po largohen votat kundër tij.
Kam sot një thirrje për bashkëqytetarët tanë që po largohen. E di shumë mirë se kushtet janë ekstremisht të vështira, e di se keni fëmijë për të rritur e frymë për të mbajtur. Por nuk është ikja zgjidhja e problemeve. Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se nuk lëshon azil për qytetarët e vendit tonë. Nuk vjen zgjidhja nga ikja dhe dëshpërimi.
Zgjidhja vjen vetëm nga bashkimi, nga ngritja e zërit, nga këmbëngulja në kërkesat e drejta ekonomike dhe sociale. Shpëtimi vjen nga vota e 21 qershorit, që të largojmë të keqen që i ka zënë frymën vendit, që i ka hequr shpresat familjeve.
T’i largojmë me një votë masive, të bashkohemi në këtë që është kthyer në detyrë kombëtare, për t’i hapur rrugën punësimit, taksave të ulëta, çmimit të ulët të energjisë, zhvillimit, krijimit të vendeve të punës.
Të krijojmë një rend të ri demokratik, ku qytetarët dhe qeveria janë bashkë, ndajnë e vendosin bashkë, punojnë dhe ndërtojnë bashkë një ekonomi të fortë dhe të ardhme të sigurt, punë dhe dinjitet për të gjithë.
  

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

Leni një përgjigje