Debate në Këshillin e Mandateve, i hapet rrugë arrestimit të Mark Frrokut

Debate në Këshillin e Mandateve, i hapet rrugë arrestimit të Mark Frrokut

63
0
Shares

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i ka hapur rrugë Kuvendit, për të vendosur për arrestimin e deputetit Mark Frroku.
Pas rreth dy orë debatesh, ky këshill, vendosi të diskutojë kërkesën e Prokurorisë, për dhënie leje Kuvendit për arrestimin e deputetit, duke ia përcjellë kërkesën për miratim Kuvendit.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i mbledhur për diskutimin e kërkesës së Prokurorisë drejtuar Kuvendit, për arrestimin e deputetit Mark Frroku, ka nisur me debate rreth mesditës së sotme.
Që në fillim të seancës, Mbledhja e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve nisi me debate mes deputetëve të PD-së dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta. Deputeti Eduard Halimi ka kërkuar që mbledhja mos drejtohej nga Meta pasi sipas tij ky i fundit ka konflikt interesi me çështjen që do shqyrtohet. Gjithashtu ai kërkoi që të plotësohet vendi bosh i deputetit Sokol Olldashi.
Sipas Halimit, Frroku është një nga personat kyç të përfshirë në çështjen “Doshi” ku Meta është i akuzuar kryesor për atentatin që sipas Doshit do kryhej ndaj tij dhe Mhill Fufit.
“Kërkesa e dytë ka të bëjë me kërkesën e papajtueshmërisë për drejtimin  nga ana juaj të kësaj mbledhje. Frroku rol kyç në akuzat që janë bërë ndaj jush nga deputeti Doshi. Kemi bërë kërkesë zyrtare, por edhe në media”, tha Halimi. 
Lidhure me këtë kërkesë, kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk ka pranuar të braktisë mbledhjen dhe ka kërkuar vazhdimin me çështjen e ditës.
Nga ana e tyre, avokatët e deputetit, Mark Frroku kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e klientit të tyre. Sipas Avokatit Visha janë anashkaluar procedurat penale dhe se po krijohet një praktikë jo e rregullt ligjore.

Deputeti Mark Frroku
Deputeti Mark Frroku ka mohuar edhe njëherë akuzat për vrasje në Belgjikë. Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Mandateve, Frroku deklaroi se nuk ka vrarë askënd dhe se në atë kohë ndodhej në Shqipëri.
“Nuk e kam ndërmend ti fshihem drejtësisë kam pritur 4 orë policinë ne lokal. Mark Frroku nuk ka vrarë njeri, nuk ka bashkëpunuar me askënd për vrasjen e askujt në këtë rruzull tokësor. Autoritetet blege le të provojnë që unë kam qenë në Belgjikë në atë kohë. Unë kam qenë në Shqipëri”,u shpreh Frroku.
“Do jap përgjigje para drejtësisë, votuesve dhe publikut”, ka thënë ai në mbledhje.
Në dëshminë e tij, Frroku shton se nëse do ishte në kërkim nga Interpol Belgjika ai do ndalohej, pasi më 22 shkurt është kthyer nga Amerika e Veriut dhe ka kaluar nëpërmjet vendeve Shengen, pa pasur asnjë problem. Deputeti sqaron dhe takimin e babait të tij për ta zgjidhur këtë çështje në bazë të së drejtës zakonore.
“Është e vërtetë që familjarët tone në bazë të së drejtës zakonore, kanë pasur një takim, jo si thuhet ne media, sipas prokurorisë, por ka ndodhur para një viti, babai im është 85 vjeç, ecën me të drejtën zakonore, unë do ti ec ligjit, është sqaruar ajo punë se ata kishin ankesat e tyre, babai im u është përgjigjur në të drejtën zakonore, unë jam i gatshëm të përgjigjem për çdo gjë. Jam kthyer më 22 shkurt nga Amerika e Veriut, përmes shteteve Shengen, e provoni në TIMS, nuk kam pas asnjë problem me drejtësinë as këtu e as në shtetet Shengen, është lehtësisht e provueshme”.

Avokati Saimir Visha
Avokati i Frrokut, Saimir Visha deklaroi në mbledhje se organi i akuzës nuk ka paraqitur asnjë provë që të vërtetojë pse duan arrestimin e deputetit. Sipas tij ky autorizim që kërkon Prokurora është i panevojshëm dhe se do kërkojnë rrëzimin e tij.
“Përfaqësuesit e akuzës duhet të tregojnë prova, nuk mundemi ne me vetëm një kërkesë të pranohet apriori ajo që thotë prokuroria. Ky është autorizim i panevojshëm. Prokuroria nuk ka të drejtë të arrestojë. Do kërkojmë rrëzimin e kësaj kërkese, është nul. Kërkesës nuk i janë bashkangjitur asnjë dokument shoqërues apo prova. Nuk mund të rrimë indiferent dhe të regjistrojmë një procedim penal thjesht nga një opinion. Nuk mundemi që në kuadër të dekriminalizimit të aprovohet çdo kërkesë. Kemi një ligj. Jemi penalistë dhe asnjë çështje penale që është gjykuar dhe gjykohet në Belgjikë nuk mund të vijë apriori, duhet të kalojë përmes Ministrisë së Drejtësisë. Kemi një anashkalim procedural. Ministria e Drejtësisë është anashkaluar me dashje. Ajo që na shqetëson. Është që Prokuroria nuk ka të drejtë të arrestojë. Arrestimi parashtrohet vetëm në flagrancë. Flasim për një ngjarje të viti 1996. Për sa i përket heqjes së lirisë, këtu mungon rreziku i ikjes, ka një vendim gjykate për arrest shtëpie për Mark Frrokun, në këto kushte nuk kemi mundësi ikje. Një kërkese ë tillë është e papërshtatshme.
Më datë 6 mars 2009  në Burrel, Gjykata Shqiptare pushoi çështjen ndaj një personi të kërkuar në Gjermani për trafik droge pasi mungonte ankimimi për transferimin e procedimit. të gjithë qytetarët janë të barabartë, për aq kohë sa Prokuroria ka mbajtur një qëndrim në të kaluarën duhet ta zbatojë edhe në këtë rast. Anashkalimi i Ministrisë së Drejtësisë i rrëzon të gjitha këto kërkesa”, tha avokati i Mark Frrokut, Saimir Visha.

Avokati Genc Gjokutaj
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe avokati tjetër Genc Gjokutajt. Ai shtoi se, “Organi i akuzës duhet të na njohë me faktet, të mos fshihen pas sekretit hetimor. Sekreti hetimor nuk ruhet për personin”.
“Procedimi herën e kaluar në lidhjen me Frrokun për një çështje tjetër ka hapur një praktikë jo të rregullt ligjore. Nisur nga dispozita që rregullojnë veprimtarinë e këtij Këshilli. Prokuroria duhet të na njohë me fakte, herën e kaluar që Prokuroria kërkoi leja nga ju, pasi u shpreh se është sekret hetimor. Është një proces gjyqësor që është në vijimësi. Si mund të procedohet në këtë moment. Gjykimi juaj duhet të jetë formal. Por të japësh një autorizim, duhet që minimalisht të kesh fakte. Prokuroria mund të vijë sërish nesër me një akuzë tjetër. Përse kërkohet ky autorizim? Kështu siç po veprohet, do vijë momenti që t’i lihet në dorë Prokurorisë të procedojë deputetët”, tha avokati i Mark Frrokut, Genc Gjokutaj.
Sipas Gjokutuaj, në këtë ngjarje, pala belge ka pretendime, por jo prova.
“Nëse ky komision ka të drejtën për të dhënë autorizimin, ka edhe të drejtën të kërkojë edhe dokumente shoqëruese të kërkesës. Ju ftoj që t’i kërkoni organit të Prokurorisë se ku e mbështet këtë akuzë”, vijoi më tej avokati Gjokutaj.

 

Debati për largimin e Ilir Metës nga drejtimi I Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit


Eduard Halimi: Kërkesa e dytë ka të bëjë me kërkesën e papajtueshmërisë për drejtimin  nga ana juaj të kësaj mbledhje. Frroku rol kyç në akuzat që janë bërë ndaj jush nga deputeti Doshi. Kemi bërë kërkesë zyrtare, por edhe në media.
Fatmir Xhafaj: Këshilli është organ i Kuvendit, do të thotë që duhet të marrë miratimin e Kuvendit. Për sa kohë ka funksione të deleguara si një nga organet e Kuvendit, pa marrë një miratim në seancë. Nuk mund të ketë zëvendësues ky Këshill, sepse rregullorja nuk e parashikon.
IlirMeta: Keni një vit që e keni vendin që duhet ta kishit zëvendësuar dhe askush nuk ju ka ndaluar. Dje e keni çuar kërkesën për Strazimirin, të enjten do ta njoftoj në seancë dhe të premten ai fillon punë si anëtar i këtij komisioni, çdo debat është i tepërt dhe nuk ka lidhje me rendin e ditës.
Eduard Halimi: Këshillin përbëhet nga 10 deputetë të emëruar nga kryetari i Kuvendit në mënyrë që të sigurojë shumicë të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. Lidhur me zëvendësuesit, ky këshill bëri një zëvendësim, kryetarin e Kuvendit me nënkryetarin. Në mënyrë që të sigurohet barazi, të plotësohet vendi vakant.
Ilir Meta: Në qoftë se doni të mos merrni pjesë kjo është çështja juaj, më duket se jam shumë i qartë për këtë çështje, të enjten njoftohet në seancë, të premten e firmos unë. Mendoj të mos dalim nga rendi i ditës, se sot nuk jemi për këtë gjë
Arben Ristani: Ne duam të zbatojmë Kushtetutën, rregulloren e Parlamentit, po e lexojmë germë më germë dhe është kështu siç po e themi ne. E kuptojmë që nuk doni ta plotësoni ekipin, pjesën që i takon opozitës në këtë Këshill, se është e lidhur dhe me kërkesën e dytë që ju keni konflikt interesi në këtë seancë. Çështja ka qenë nën dijeninë tuaj që para gjashtë muajsh, u mbajt e fshehur nga ju, jeni përpjekur t’i devijoni hetimet me veprime konkrete. Keni qenë në dijeni të procesit që në fillim të janarit.
Ilir Meta: Për çfarë po flisni se nuk po ju kuptoj, kjo është çështje tjetër.
Arben Ristani: Ju ka akuzuar Doshi se keni porositur vrasjen, Frroku ka qenë në dijeni dhe ju jeni përpjekur për t’i devijuar hetimet te Berisha.
Ilir Meta: Po përsërite edhe njëherë
Arben Ristani: Kërkesa belge për Frrokun ka qenë e njohur në janar, ju e keni fshehur për të manipuluar hetimet. Prandaj ju keni konflikt interesi duhet të largoheni.
Ilir Meta: Unë nuk kam ndërmend të largohem, ju po të doni të largoheni, largohuni. Unë nuk kam kohë të harxhoj me përsëritjet që ju keni vendosur të bëni këtu duke zhvendosur rendin e ditës për të cilin jemi mbledhur. Konfliktin e interesit le ta gjykojnë ata që na ndjekin. Do të bësh konferencë shtypi shko te SHQUP-i, nuk kemi ardhur të dëgjojmë ty, fut kasetën ti…
Eduard Halimi: Këtu ka një kërkesë për largimin tuaj..
Ilir Meta: Nuk largohem unë, ikni ju po të doni, mbaj përgjegjësi. Jemi për gjë tjetër këtu, nuk jemi për të dëgjuar kasetën tënde.
Eduard Halimi: Ka konflikt interesi se këta zotëri të kanë akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Derisa vazhdojnë hetimet për këtë çështje ju duhet të largoheni. Ne nuk largohemi këtu do vazhdojmë. 
Ilir Meta: Nuk largohem, vazhdojmë seancën. Fjalën e ka deputetit Mark Frroku

Debatet për procedurat e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme


Eduard Halimi: Në lidhje me kërkesën që ka ardhur doja të shprehja vlerësimin maksimal për Prokurorinë që brenda datës 28 mars sapo i ka ardhur kërkesa ia ka dërguar Kuvendit. Doja të dija nga prokuroria kur ka ardhur kërkesa nga Interpoli dhe pse lidhet kërkesa me deputetin?
Prokuroria: Materialet nga Interpol Tirana kanë ardhur në Prokurori në 27 Mars, ndërkohë që nga Ministrinë e Drejtësisë është përcjellë në datë 28. Materialet që erdhën nga Belgjika kanë të bëjnë me një urdhër-arrest, është konfidencial dhe nuk e bëj publik.
Arben Ristani: Ju thoni që nga Interpol Tirana dhe nga MD ju ka ardhur shkresës, çfarë lidhje kanë këto shkresa me Frrokun si na e provoni ju këtë?
Prokuroria: Ne i kemi cituar materialet bashkëlidhur, janë të përfshira urdhër-kërkimi ndërkombëtar, sqarohet me gjeneralitete, shtetësi e pasaportë.
Arben Ristani: A ka mundësi ta shohim që ajo që thoni ju është e njëjta me atë që keni në kërkesë?
Prokuroria: Nuk mund ti vë në dispozicion tuaj, por në dispozicion të Gjykatës.
Eduard Halimi: Ne mbështesim prokurorinë për hetimet e çdo deputeti. Na thoni pse jemi mbledhur këtu?
Prokuroria: Nëse kërkesa nuk është e qartë po ju them se kërkesa e prokurorisë shoqërohet vetëm me relacion, asnjë dokument tjetër.
Arben Ristani: Nën presionin e Metës ju këtë qëndrim do mbani. Thuhet dhe janë të gjitha të dhënat se kërkesat nga Belgjika kanë ardhur që në janar. Jeni në dijeni të këtij fakti?
Prokuroria: Informacioni është konfidencial.
Kastriot Islami: Ky këshill dëgjon palët dhe çka mendon ja përcjell seancës dhe është seanca që i përgjigjet kërkesës së prokurorisë. Ky këshill nuk merr vendime, vetëm përcjell mendimet në seancë plenare. Edhe në dhënin e opinioneve ka dy qasje. Një të PD, konsekuente që nga momenti kur është bërë ndryshimi kushtetues për kufizimin e mandatit që e vendos çdo zyrtar të lartë si një qytetar i thjeshtë para drejtësisë. Kufizimi i mandatit kërkon bindje të parlamentit. Mendojmë se ky proces është i kompromentuar. Jemi të bindur që procesi i parë është i kompromentuar. Procesi sot është i ndërlidhur me të parin dhe të gjitha pyetjet që unë do bëj është për të ndriçuar publikun për të kuptuar drejt nëse prokuroria është në presion politik. Ka ardhur një kërkesë nga prokuroria e Belgjikës. Ka pasur kërkesa të ngjashme më parë dhe nëse po kur?
Prokuroria: Për këtë çështje jo.
Kastriot Islami: Ju e keni marrë në datën 27 nga Interpol Tirana dhe 28 nga Ministria e Drejtësisë, kanë mjaftuar kaq pak orë për të studiuar dosjen?
Prokuroria: Dosja është urdhri i kërkimit ndërkombëtar dhe një përshkrim i fakteve. Një natë e tërë del për të lexuar këtë materjal.
Kastriot Islami: Prokuroria e Përgjithshme ka lëshuar urdhër kërkimi ndërkombëtar a mund të dimë datën se kur?
Prokuroria: Data është sekrete sepse urdhri i kërkimit ndërkombëtar është konfidencial.
Kastriot Islami: Është para kësaj datës 27?
Prokuroria: Nuk ju përgjigjem dot.
Kastriot Islami: Shkresa pëcjellëse mund ti vihet në dispozicion këtij këshilli?
Prokuroria: Shkresa lexon sipër konfidencial ndaj nuk mund të vihet në dispozicion.
Kastriot Islami: Pse nuk është zhvilluar seanca në 23 shkurt?
Prokuroria: Kjo pjesë e këtij materiali është në dosjen hetimore që do i vihet në dispozicion gjykatës.
Kastriot Islami: Është e vërtetë që është bërë mbledhja e baballarëve? Sipas vlerësimit tuaj…
Prokuroria: Nuk mund të jap vlerësime personale, më vjen keq.
Kastriot Islami: në këto kushte thoni ju prokuroria thotë se deputeti Mark Frroku ka konsumuar elemente të veprës penale. Kur keni arritur në këtë konkluzion?
Prokuroria: Këto kanë ndodhur mes datave 27-28 kur është urdhëruar regjistrimi i procedimit penal.
Kastriot Islami: Ka një proces gjyqësor në Belgjikë që lidhet me një vrasje në ‘99. Prokuroria do rifillojë hetimet për këtë ngjarje apo do vazhdojë procesi gjyqësor i nisur në Belgjikë?
Prokuroria: Në momentin që institucioni shqiptar vihet në diskonim të një urdhri ndërkombëtar, Prokuroria ka bërë regjistrimin e prodhimit penal në dëm të deputetit dhe një bashkëpunëtori të tij.

 
 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY