Ekzekutohen dy policë – tronditet New York City

Ekzekutohen dy policë – tronditet New York City

47
0
Shares

Dy oficerë policie të New York-ut janë qëlluar dhe vrarë dje mbasdite ndërsa po qendronin në veturën e tyre në një kryqëzim në Brooklyn.
Autori i vrasjes me stil ekzekutimi ishte një i kërkuar nga ligji që kishte deklaruar më parë në Instagram se kishte vendosur të merrte hak për afrikano-amerikanët e vdekur pas incidenteve me policinë në javët e fundit.
Vrasësi 28-vjeçar, Ismaaiyl Brinsley banonte në Georgia por vinte shpesh në Brooklyn. Ai vrau veten vetëm pak minuta pas atentatit, duke tmerruar njerëzit në një stacion metroje.
Ndonëse ishte betuar të hakmerrej kundër policëve “të bardhë” për “vrasjen e zezakëve”, dy policët e vrarë janë në fakt njëri aziatik dhe tjetri hispanik.
Wenjian Liu dhe Rafael Ramos u bënë dy viktimat e fundit në radhët e NYPD siç njihet me iniciale policia e New York-ut, në një qytet që 20 vite më parë ishte famëkeq për kriminalitetin por që është bërë sot një nga metropolët më të sigurta në botë.
Vdekja e dy policëve ka tronditur qytetin sepse vjen pas disa ditësh protestash kundër policisë dhe disa kritikë janë duke fajësuar për të retorikën e ndezur të protestave.
Në qendër të kritikës është vetë kryebashkiaku deBlasio, i cili u përpoq të qetësonte gjakrat sonte duke dalë përkrah komisionerit të policisë në konferencë shtypi.
“Do t’i bëj derrat me krahë”, kishte shkruar vrasësi duke shtuar se mund të ishte mesazhi i fundit që lexonin prej tij. “Ata vrasin një prej nesh, unë do të vras dy prej tyre”.
Ngjarja ka tronditur qytetin edhe sepse ndërlikon edhe më shumë situatën e krijuar në ditët e fundit. Disa fajësojnë për këtë ngjarje retorikën e tepruar të protestuesve, të cilët prej disa ditësh kanë akuzuar policinë e New York-ut për racizëm dhe diskriminim ndaj zezakëve. Shkaku ka qenë vdekja gjatë arrestimit e Eric Garnerit, një qytetar në Staten Island që po shiste ilegalisht cigare.
Një juri speciale shqyrtoi çështjen dhe i nxori të pafajshëm katër policët që bënë arrestimin duke ia vënë fjalin për vdekjen gjendjes shëndetësore të viktimës. Ky vendim u shoqërua me protesta masive që disa herë paralizuan arterie të rëndësishme të trafikut në qytet. Në akuzë ishte sistemi i drejtësisë dhe policia e qytetit.
Drejtues të policisë u nervozuan në veçanërisht kur kryebashkiaku Bill deBlasio u bashkua me protestat duke thënë se e kishte porositur djalin e tij 17-vjeçar që të kishte kujdes nëse ndalohej nga policia. DeBlasio e ka gruan afrikano-amerikane dhe është zgjedhur me premtimin për të krijuar një qytet të bashkuar që është shtëpi për të gjithë. Mirëpo dekarata e tiij zemëroi sindikatën e policisë që deklaroi se djali i kryebashkiakut shoqërohet gjithandej nga policë të cilët vënë jetën në rrezik për ta ruajtur.
Një peticion filloi të qarkullonte mes policëve me kërkesën që “nëse vritem në krye të detyrës nuk e dua kryebashkiakun deBlasion në varrimin tim”.
Ndoshta situate në New York nuk do të kishte precipituar me aq shumë protesta nëse vdekja e Eric Garnerit të mos kishte ndodhur në një kohë kur disa incidente të ngjashme nëpër SHBA përfunduan me vrasjen e adoleshentëve zezakë të paarmatosur nga policë të bardhë. Rasti më flagrant por edhe më i dyshimtë ishte ai në Ferguson, Missouri.
Sot mbasdite, situata pësoi një kthesë që besohet se do t’i bëjë të gjitha palët që të ndalen dhe të mendojnë se po të çon retorika e ndezur dhe mungesa e negocijimit të çështjeve nëpërmjet institucioneve.
Stema e zisë e NYPD për “vëllezërit blu” që nuk jetojnë më.Stema e zisë e NYPD për “vëllezërit blu” që nuk jetojnë më.
Wenjian Liu dhe Rafael Ramos kishin pranuar të punonin jashtë orarit kur departamenti i tyre kishte vendosur të kryente një provë gatishmërie në rast sulmi terrorist. Ata nuk kishte si ta merrnin me mend se do të bëheshin vetë, viktima të një akti që i përngjante shumë terrorizmit.
Wenjian Liu ishte martuar vetëm dy muaj më parë. Rafael Ramos sapo kishte mbushur 40 vjeç dhe djali i tij 13-vjeçar është në shok nga tronditja e vrasjes së babait.
Çfarëdo opinion që të kenë njerëzit për vendimin e jurisë për rastet e Eric Garnerit dhe Mike Brounit, asgjë nuk justifikon ekzekutimin e dy njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me ato raste e që rrezikojnë jetën çdo ditë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve në New York.
Mbetet një sfidë në këtë fundviti që kryetari i Bashkisë dhe NYPD të gjejnë harmoninë dhe bashkëpunimin. Shumë oficerë policie ndjehen të braktisur nga kryebashkiaku i tyre. Por ai është njeriu që zgjodhën njujorkezët në krye të bashkisë dhe vota e popullit gjithashtu kërkon respektin e saj.
Aktivistët e protestave kanë të drejtë të kërkojnë më shumë reshikim dhe hetim të ngjarjeve në të cilat janë vrarë afrikano-amerikanët, por thirrjet kundër policisë në tërësi janë të turpshme dhe të rrezikshme.
Janë në fund të fundit, këta policë të cilët presim që t’u dalin përpara plumbave kur shfaqet një kriminel apo terrorist. Këta janë ata që dërgojmë ta kalojnë natën në lagjet me krime duke vënë jetën në rrezik.
Janë dhjetëra e dhjetëra shqiptaro-amerikanë që gjithashtu shërbejnë në polici apo agjensi të tjera të rendit dhe ligjit. Ata kontrinbuojnë çdo ditë për sigurinë e qytetit ku jeton një pjesë e madhe e komunitetit tonë. Zemra dhe solidareti ynë janë me ta sonte ndërsa përcjellin dy kolegët e tyre.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY