GENC POLLO/ Kanali i Korfuzit e Agon Channel: paralele trishtuese dhe sërish...

GENC POLLO/ Kanali i Korfuzit e Agon Channel: paralele trishtuese dhe sërish një propozim

25
0
Shares

A) Incidenti i Kanalit të Korfuzit, 1946

1-Ngjarja

Në v.1946 marina jugosllave me kërkesë të Enver Hoxhës vendosi mina detare në Kanalin e Korfuzit. Anije luftarake britanike ndeshën në këto mina e si pasojë mbytet njëra syresh, humbasin jetën 84 marinarë veç të plagosurve e dëmeve në anijet e tjera.

2-Motivi

Enveri e bëri këtë jo thjesht për t’ u mbrojtur nga britanikët, deri dje aleatë e aktualisht kundërshtarë, të cilët nuk kishin plane zbarkimi e invazioni. Më shumë ai donte t’i jepte Titos prova besnikërie e devocioni meqë pushtetin personal në parti e më pas në shtet ja dedikonte atij.

3-Gjyqi

Incidenti u gjykua në Hagë, në të porsaformuarën Gjykatë Ndërkombëtare të Drejtësisë me kërkesë të Tiranës e Londrës. Gjykata në v. 1949 e gjeti Shqipërinë në shkelje të ligjit ndërkombëtar (nuk kishte njoftuar për minimin) dhe e urdhëroi të paguante 844 000 sterlina dëmshpërblim (sot të indeksuara janë afro 46 milionë Euro)

4- Reagimi

Enveri refuzoi tė paguante dëmshpërblimin, shpalli mosnjohjen e vendimit të Gjykatës së Hagës dhe filloi kursin e izolimit nga Europa e lirë që do të vijonte më vonë me izolimin edhe nga kampi sovjetik.

5-Pasojat

Britania nuk e njohu diplomatikisht Shqipërinë e sekuestroi në Berlin arin shqiptar të grabitur nga Wehrmachti. Marrëdheniet diplomatike me Londrën u rivendosën nga qeveria demokratike në v. 1992; dëmshpërblimi u zgjidh pak vjet më vonë me një pagesë simbolike dhe ari ju kthye Shqipërisë.

B) Incidenti Agon Channel, 2015

1- Ngjarja

Në verë 2015 kryeministri Rama deklaron se stacioni televiziv i porsalançuar Agon Channel “financohej nga para të zeza” pa dhënë prova për këtë. Pak javë më vonë një prokurore e një gjyqtare, gjithashtu pa prova, vendosën sekuestrimin e stacionit televiziv, pronë e biznesmenit italian Francesco Beccheti duke e çuar në falimentim e mbyllje.

2-Motivi

Sipas gjasave Rama u nxit edhe nga armiqtë italian të Becchetit e nga konkurrentët televizivë të tij në Tiranë. Por edhe pa këta dëshira e tij për të eliminuar një TV të pavarur e të vetmin me redaksi kritike ndaj qeverisë do të kishte mjaftuar e tepruar.

3-Gjyqi

ICSID, një tribunal arbitrazhi në Washington DC e themeluar në v.1966 pranë Bankës Botërore, para dy javësh përfundimisht e gjeti qeverinë në shkelje të traktateve në çështjen Agon Channel dhe përcaktoi një dëmshpërblim prej 110 milionë Euro. Rama e kishte mohuar publikisht humbjen e çështjes dhe qeveria kishte paraqitur apelime pa kuptim e shans (ndërkohë që fatura e avokatëve të saj shkon afro 5 milionë Euro).

4-Reagimi

Rama shpalli mospëlqimin e tij ndaj vendimit, aludoi për mospagim të dëmshpërblimit dhe sinjalizoi se Shqipëria do të revokonte anëtarësinë në ICSID. Ndërkohë gazetarë investigativë kanë gjetur se 110 milionët janë parashikuar në buxhet.

5- Pasojat

Është ende herët të flitet se çfarë do të ndodhë pasi kërcënimet e Ramës mund të jenë boshe dhe shërbejnë për të larguar vëmendjen nga problemi real deri sa të plasë skandali i radhës. Por nëse vërtet bën atë që tha atëhere mund të imagjinohen konfiskimet në llogaritë evropiane të Albcontrol-it e të ambasadave tona. Ndërkohë që largimi nga ICDIS do të thotë dëm i jashtëzakonshëm i reputacionit të Republikës dhe izolimndaj investimeve të huaja.

Shënim:

Shqipëria e vitit 2023 nuk është krejt njëlloj me atë të vitit 1946; jo vetëm konteksti ndërkombëtar është i ndryshëm por edhe regjimi autoritarist-personalist aktual nuk ka mundur të shuajë të gjitha vatrat e lirisë dhe vektorët e disensit politik. Megjithatë ngjashmëria mes dy incidenteve është domethënëse. Si në v.1946 ashtu edhe në v.2015 motivi i veprimit ishte ruajtja e forcimi i pushtetit personal të shefit të qeverisë. Por në dallim nga plot veprime të tilla, që në fakt janë pothuaj rutinë në histori dhe që dhunojnë vetëm normat e brendshme, në këto dy raste u shkel ligji ndërkombëtar. Pasojat në këto raste janë shumë më të rënda dhe bien mbi popullin duke filluar nga taksapaguesit si dhe mbi vendin duke i cënuar të tashmen e të ardhmen në shumë mënyra. Dhe nuk është e thënë që ky cikël maniakësh e të papërgjegjshmish të ndërpritet vetevetiu. Kjo ndërprerje mund të ndodhë kur pasojat e veprimit të bien personalisht mbi vendimmarrësit maniakë e të papërgjegjshëm. Duke filluar me pagesën nga xhepi të një pjese të 110 milionave € të Agon Channel.

*Genc Pollo, Ish minister e deputet

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY