“Paketa jonë u kursen para qytetarëve”- Belind Këlliçi paraqet projektet për urbanin...

“Paketa jonë u kursen para qytetarëve”- Belind Këlliçi paraqet projektet për urbanin falas, uljen e taksave e tarifave

17
0
Shares

Transporti urban falas për qytetarët, ulja e taksave, përmirësimi i furnizimit me ujin e pishëm, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, ishin disa nga pikat e programit, të cilat kandidati i Opozitës Belind Këlliçi i shpalosi me banorët e Njësisë Nr. 2 në Tiranë. Gjatë takimit me banorët, Këlliçi theksoi se miliona euro që sot jepen për inceneratorët fantazëm, nesër do t`u kthehen qytetarëve duke u garantuar transportin publik falas. _“14 milionë euro që shkojnë për inceneratorin fantazëm të Tiranës, nuk do të shkojnë më fantazëm për t’u vjedhur, nuk do të shkojnë më off-shore, parajsa fiskale, po do shkojnë te qytetarët, të cilëve, unë pas 14 majit do t`i përgjigjem me një modernizim dhe një shërbim falas të transportit public urban, që përdoret nga 200 mijë qytetarë në ditë”_ -u shpreh Belind Këlliçi.

Sipas Belind Këlliçit, shërbimi i transportit publik falas për 200 mijë qytetarë është i realizueshëm. Madje, ai shpjegoi se një nga përfitimet kryesore të bërjes së transportit publik falas, do të jetë ulja e kostove të jetesës për banorët e kryeqytetit. _“A e kuptoni që me një zgjidhje të tillë, me vetëm 6.8%, ne i japim një zgjidhje shumë problemeve të qytetit duke nisur nga trafiku, nga kostot e jetesës. I kursejmë çdo familje të paktën 50 mijë lekë në muaj, që ato 50 mijë lekë shtresat në nevojë, pensionistët, mund t`i kenë për ilaçe, studentët mund t`i kenë për të përballuar jetesën në Tiranë, shtresat në nevojë mund t`i kenë për të mbylluar fundin e muajit, sepse ky shërbim, ky alokim taksash, i shërben atyre që janë në nevojë”_ -u shpreh kandidati i opozitës para banorëve të Njësisë Nr. 2.

Një tjetër pikë e programit të Këlliçit për drejtimin e Tiranës pas 14 majit, është ajo e uljes apo heqjes së disa taksave dhe tarifave vendore për biznesin. Belind Këlliçi u shpreh se në këtë rast, do të veprohet njësoj si në vitin 2008, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, dhe zbatoi taksën e sheshtë, e cila solli formalizim të biznesit dhe rritjen e arkëtimeve në buxhetin e shtetit. _“Është shqetësuar Erion Veliaj pse kam thënë unë që do të ulë taksat për biznesin e vogël. Po do t`i ul, sepse duke ulur taksat, duke përgjysmuar tarifat, do bëjmë të mundur atë që bëri Partia Demokratike pas vitit 2005, taksa e sheshtë. Dhe çfarë ndodhi, futi taksën 10% të sheshtë, u zgjerua gama e bizneseve që paguanin, u futën në sistem të gjithë bizneset se e kishin të përballueshme, dhe u rritën, u dyfishuan rrogat dhe pensionset. E kemi bërë ne njëherë këtë ushtrim”_ -u shpreh Belind Këlliçi.

Problem shqetësues për banorët e Tiranës, kudo ku ka shkuar, ka qenë dhe uji i pishëm, i cili mungon në shumicën e orëve të ditës. Belind Këlliçi tha se për këtë pas 14 majit do të punohet që qytetarëve t`u garantohet deri në 17 orë ujë në ditë. _“Ja u garantoj që në çdo vend që kam qenë nuk kanë më shumë se 1 apo 2 orë. Ja u garantoj që jemi i vetmi kryeqytet në Europë që paguajmë 3-4 herë për një shërbim që nuk na hyn në punë, për ujin e pijshëm. Nuk u premtoj mrekulli, por një qytet të jetueshëm. Mund të bëj që realisht që ju të keni 12 deri në 17 orë, targeti që ne kemi vënë është 20 orë, por minimalisht gjysmën e ditës ju të keni ujë”_ -u shpreh kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.

Ndërtimet e kullave, janë një tjetër problem, që po reduktojnë hapësirat publike në Tiranë, por njëkohësisht, për t`u hapur truall ndërtimit të tyre, po shemben objekte me vlera historike. Belind Këlliçi solli në kujtesë rastin e kullës së ndërtuar pranë Bankës së Shqipërisë, e cila sipas tij ka 7 kate pa leje, ndërsa për këtë paligjshmëri, ndërtuesi është shpërblyer me një leje të re ndërtimi, në një kohë që qytetarëve të thjeshtë u shkon policia bashkiake kur duan të bëjnë një rregullim në banesat e tyre. _“U dha leja për 26 kate dhe një bandit i lidhur me Erion Veliajn, që quhet Armando Lilo, mori dhe 7 kate pa leje për të ngritur një pallat sipër kullës. Dhe çfarë tha Erion Veliaj; nuk e pash, nuk e kam parë! E ka 50 metra nga dritarja e vet. Ndërkohë a hapni ju dot ndonjë zgjerim dritareje, rregulloni dot shtëpinë, ndërroni dot pllakat në shtëpi ju pa u ardhur policia bashkiake?! Po çfarë ndodhi me kompaninë, çfarë ndodhi me ndërtuesin? A u penalizua? Ju dha leje ndërtimi tjetër gjitur, për të bërë një kullë tjetër me shtat kate të tjera pa leje duke prishur të vetmen qendër rinore që ka gjithë Tirana për të rinjtë”_ -u shpreh Belind Këlliçi.

Ai garantoi banorët e Njësisë Nr.2, se pas 14 majit të tilla paligjshmëri do të marrin fund, ndërsa do të mbrohet trashëgimia kulture e Tiranës. Belind Këlliçi u shpreh gjithashtu se do të ketë dhe një plan rregullues, për 20 vitet e ardhshme. _“Tirana ka nevojë për herë të parë të ketë një plan rregullues, për një dekadë, për 20 vite, se këtu për hir të së vërtetës drejtohet sot për nesër. Për hir të së vërtetës e kemi ruajtjen e trashëgimisë kulturore një nga pikat kyçe. Domethënë, ajo që ka ndodhur, more rrugën e Kavajës, mjafton të përmendim “Radio Tiranën”, e kanë lënë në mjerim, të shkatërrohet qëllimisht, rrezik do t`i vënë dhe zjarrin. Ky fenomen do të marrë fund njëherë e mirë pas 14 majit”_ -u shpreh Këlliçi.

Në takim ishin të pranishëm dhe disa nga kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak, si Genc Gjokutaj apo Erisa Xhixho, të cilët u kërkuan banorëve të Njësisë Nr.2, të mbështesin Belind Këlliçin në zgjedhjet e 14 majit, në mënyrë që pas kësaj date, të bëhet realitet programi i tij për Tiranën.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY