ERMIRA QOSJA/ Oferta turistike e bregdetit shqiptar, e qëndrueshme dhe e konkurueshme

ERMIRA QOSJA/ Oferta turistike e bregdetit shqiptar, e qëndrueshme dhe e konkurueshme

49
0
Shares

Nga prof.dr. Ermira Qosja

Për sektorin e turizmit, prej disa vitesh ka një vëmendje të shtuar të operatorëve privatë përmes investimeve familjare dhe strategjike; operatorëve publikë përmes investimeve në infrastrukturë, krijimit të bazës ligjorë, projekteve dhe mbështetjeve promovuese dhe financiare të Ministrisë së Turizmit, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Bashkive AZHBR, etj.; donatorëve seriozë si BERZH, GIZ, RISI ALBANIA, AADF etj.; si dhe të akademisë, e cila bën përpjekjet e veta në drejtim të përmirësimit të kurrikulës për turizmin, ndërmarrjen e studimeve si dhe përfshirjen në projekte lokale dhe europiane.

Kontributi i sektorit të turizmit është i qenësishëm në tri dimensione të zhvillimit të qëndrueshëm: krijimit të vendeve të punës, gjenerimit të mundësive tregtare për të plotësuar nevojat dhe për të mbështetur aktivitete turizmi, krijimit të kapaciteteve të rëndësishme, të cilat promovojnë përparësitë për ruajtjen mjedisore dhe larminë kulturore.

Vitet 2017-2019 sollën një rritje progresive të treguesve të këtij sektori në ekonominë shqiptare, sipas Raportit të Impaktit Ekonomik të Udhëtimeve dhe Turizmit 2018, të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit (ËTTC), përgjatë vitit 2017 sektori i turizmit regjistroi një kontribut direkt prej 1.12 miliardë $, duke përbërë rreth 8.5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), së bashku edhe me efektet indirekte multiplikative, kontributi total ishte thuajse trefish më i lartë prej 3.47 miliardë $, duke përbërë rreth 26.2% të PBB, punësimi në sektorin e turizmit përbënte rreth 7.7% e të gjithë forcës së punës në Shqipëri, ndërkohë që investimet në këtë sektor përbënin rreth 7.5 % të të gjithë investimeve në vend, duke e pozicionuar këtë sektor si një ndër më të rëndësishmit në zhvillimin e ekonomisë kombëtare.

Përtej arritjeve, sektori vijon të reflektojë problematika që dëshmojnë për qëndrueshmërinë e brishtë të tij dhe për vështirësinë e të qenit i konkurrueshëm në rajon. Mbështetur në dokumente strategjike të qeverisë shqiptare (më saktësisht Ministrisë së Turizmit) dhe të disa raporte periodike që INSTAT publikon, dy nga problematikat kryesore që turizmi (dhe ai bregdetar) reflekton janë sezonaliteti i tij dhe numri i vogël i ditëve të qëndrimit të turistëve. Për këtë arsye ndër objektivat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Turizmit është dhe rritja e ditëve të qëndrimit dhe shtrirja e sezonit turistik.

Funksioni kryesor i industrisë së turizmit është t’u shërbejë udhëtarëve, suksesi i tij varet pa dyshim nga ndërveprimi pozitiv i të gjithë palëve: privatë, publikë, donatorë e shoqata dhe sektori edukimit. Turizmi është një treg për shërbimet turistike, dhe ekonomia e çdo tregu, përcaktohet nga oferta dhe kërkesa. Oferta turistike përfshin gjithçka që mund të përdoret për të kënaqur kërkesën turistike: klimën, peizazhin, hotelet, restorantet, objektet argëtuese, kulturore, të trashëgimisë, etj. Prandaj, gjatë planifikimit dhe zhvillimit të një pakete shërbimesh, është e nevojshme të identifikohen nevojat reale të klientit dhe të synohet oferta për këto nevoja.

Qarku i Vlorës dhe i Durrësit përbëjnë dy nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit bregdetar, secili me veçoritë e tij dhe me një vëmendje tashmë të shtuar lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Një grup pedagogësh që kanë marrë përsipër të studiojnë ofertën turistike të këtyre dy qarqeve, mbështetur nga Agjencia e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, kanë mundur të evidentojnë përmes një studimi një sërë problematikash, por njëkohësisht dhe oportunitetesh

Mbështetur në Ligjin për Turizmin, Këshilli i Qarkut ka për detyrë të formulojë ofertën turistike të qarkut, bazuar në inventarin e burimeve kryesore turistike të njësive të qeverisjes vendore dhe në bashkëpunim me bashkitë, operatorët privatë dhe të gjitha organizatat e interesuara në sektor. Ndërkohë që mungesa e ekspertizës në sektor mund të përbëjë zanafillën e mungesës së formulimit të ofertës turistike, mungesa e bashkëpunimit mes grupeve të interesit është një problematikë që shihet jo vetëm në raportet publike-private, por dhe mes privatëve. Gjithashtu, evidentohet një mbivendosje veprimtarish mes organeve të pushtetit qendror e lokal, shpesh duket sikur të gjithë promovojnë destinacione turistike, por pa u fokusuar qartë në produktet që oferta e qarkut mbulon dhe që shfaqet dhe në element krejt bazikë siç është mungesa e një kalendari veprimtarish artistike dhe kulturore (qendrore dhe lokale) që marketohet përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit apo dhe në mungesën apo “mjerimin” e zyrave të informimit të turistëve

Përtej impulseve që pushteti qendror përpiqet të japë ndaj pushtetit lokal, bashkitë vijojnë të tregojnë paaftësi në menaxhimin e punëve publike në funksion të sezonit turistik dhe në menaxhimin e problematikave që lidhen me ndotjen e mjedisit, menaxhimin e mbetjeve; mungesën e mirëmbajtjes së hapësirave publike; furnizimin me ujë 24 orë; hapësirat e gjelbëruara, alternativat e transportit etj., për të arritur në një moment ku në muajin Gusht, në kulmin e sezonit duket sikur të gjithë dorëzohen nga fluksi turistëve në këto dy qarqe.

Cilësia e shërbimit, cilësia në raport me çmimin, çmimi diskret në funksion të llojit të turistit është një problematikë tjetër që impakton ofertën turistike, pasojë kjo herë e mentalitetit sipërmarrës, por dhe cilësisë së burimeve njerëzore. Oferta e punës në sektorin e turizmit, mbetet dukshëm më e ulët se kërkesa e biznesit për këto burime, problemeve të sezonalitetit të sektorit, në vitet e fundit i është shtuar fenomeni “Great emigration” dhe brenda sektorit në rajon, ndërkohë që edukimi dhe trajnimi i vazhduar i punonjësve në industrinë e turizmit nuk është i mjaftueshëm, mungojnë kurset profesionale dhe trajnimet dhe për më tepër lidhja e operatorëve të biznesit me edukimin është ende e dobët. Strukturat e mëdha akomoduese po punësojnë staf ndërkombëtar në njësi specifike të tyre, për bizneset e vogla dhe të mesme kjo është e pamundur. Dukshëm në sektor mungojnë stafet menaxhuese, ashtu siç mungojnë dhe ekspertët. Ndoshta është momenti që qeveria të luajë rolin e vet rregullator në respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të punësuarve duke caktuar me ligj kohën minimale të punës sezonale.

Ngritja e standardeve të ndërtimit dhe shërbimit, formalizimi i të gjithë sektorit (mbase ka ardh momenti për një fushatë edukimi, sensibilizimi për çdo turist/pushues që hyn në Shqipëri), ngritja e një mendësie sipërmarrëse që ndërton marketingun dhe menaxhimin bazuar në modelet e sjelljes konsumatore për turistin vendas, të vendeve shqipfolëse dhe të huaj, dhe që krijon zinxhirin e eksperiencës turistike që sjell rritjen e ditëve të qëndrimit dhe mbi të gjitha sjell kënaqësinë e besnikërinë e turistit/klient, janë disa nga drejtimet ku sipërmarrja në sektor duhet të punojë.

Në mbyllje të këtij shkrimi por jo të studimit për turizmin, rruga drejt qëndrueshmërisë e konkurrueshmërisë së sektorit të turizmit mbetet e gjatë dhe plot sfida. Së pari, grupet e interesit duhet të ndryshojnë mendësinë në raport me kulturën e bashkëpunimit midis tyre; si dhe duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në bashkëpunim. Nxitja e investimeve strategjike private, tërheqja e markave të mirënjohura ndërkombëtare në hoteleri dhe turizëm, brandimi i destinacioneve, standardizimi strukturave akomoduese mbetet ende një hapësirë ku duhet punuar e bashkëpunuar mes stakeholderave. Cilësia e shërbimit duhet të konceptohet e realizohet në përputhje me standardet. Rritja e ditëve të qëndrimit të turistëve duhet të arrihet përmes hartimit të politikave dhe strategjive konsistente në nivel makro, disa vjeçare që do të impaktonin në mënyrë uniforme sektorin dhe ofruesit e shërbimeve; marketimit të Shqipërisë në lidhje me kapacitetet turistike për të mundësuar njohjen dhe konkurrimin me vendet e rajonit.

* Pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY