ALFRED LELA/ Tre ‘klasikët e mendimit politik’ të ‘PD së re’ të...

ALFRED LELA/ Tre ‘klasikët e mendimit politik’ të ‘PD së re’ të Bashës

124
0
Shares

Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike të hënën në mbrëmje, që përfundoi mëngjesin e së martës, duhet të mbahet mend, jo vetëm për orët e gjata, por produktin. Në asnjë forum politik shqiptar, që nga viti 1991, kur edhe u zyrtarizua pluralizmi politik dhe liria e shprehjes, nuk ka patur shfaqje më flagrante të enverizmit se në atë mbledhje. Ai është shfaqur si formë dhe si përmbajtje, pa kurrfarë droje se mund të përimtohet (skanohet) nga kritikët apo vëzhguesit neutralë të jetës politike.

Enverizmi u shfaq, në më të padëmshmin e demonstrimeve, stilin retorik. Për ta ushtruar këtë zor  i kishte rënë, me sa duket, të shkretit Xhemal Gjunkshi, ‘gjeneral’ me më shumë stilema të komunizmit dhe Traktatit të Varshavës në fjalën e tij se sa grada të NATO-s në xhaketën ushtarake.

Tha Xhemal Gjunkshi:

“I nderuar Kryetar! Të nderuar kolegë! Mesditën e 8 janarit nuk do ta harrojmë kurrë, do të mbetet në mendjen tonë si një katastrofë për imazhin e demokracisë në vend, një ditë ankthi e zhgënjimi për të gjithë demokratët që me zemër dhe mendje kanë besuar në demokraci.  

Teksti i transliteruar si newspeak:

I dashur shoku Ramiz! Të dashur shokë: 15 prillin nuk do ta harrojmë kurrë, ai do të mbetet në mendjen tonë si dita kur humbëm shokun e shtrenjtë, udhëheqësin legjendar Enver Hoxha.  Shoku Enver ishte një fanar ndriçues për të gjithë ata komunistë që me zemër e mendje kanë besuar në komunizëm.

Kreshnik Çollaku, ish-zv ambasador i Berishës në Washington, kish marrë përsipër atë që në komunizëm quhej tabela sinoptike e politikës. Pra, identifikimi i agjenturave të huaja dhe fijeve që e lidhin ngjarjen në fjalë, protestën e Berishës, me superstruktura si ortodoksia ruse dhe qarqet anti-ShBA dhe anti-NATO. Kujtoni se një tabelë sinoptike të tillë bënte E. Hoxha pas vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu. Në mospërputhje me retorikën e tij, Çollaku njihet në PD si ‘erdoganist’. Ai ishte përfaqësuesi i Bashës në përurimin e memorialit turk te Liqeni i Tiranës, një kujtim pa asnjë lidhje me Shqipërinë i atij që Presidenti Erdogan e ka quajtur ‘puç’.

Thotë Kreshnik Çollaku:

Une situaten nuk e shoh sporadike madje e shoh pjese te nje situate ballkanike. Antiamerikanizmi qe po strukturohet ne krejt Ballkanin, duke shfrytezuar konflikte te brendeshme e situata te ngjashme, ka nje inteligjence nga  mbrapa, nje inteligjence anti-NATO, anti-SHBA, anti-BE. Ndaj mos prisni se ujrat do te qetesohen. Ne duhet te flasim me demokratet duhet te degjojme verejtjet e tyre, duhet te korrigjohemi me durim, por duhet te forcojme marredheniet me aleatet tane strategjik. Ne nuk duhet te lejojme kurre qe PD te kthehet ne nje bunker antiamerikan, per cdo lloj arsyeje dhe me cdo lloj cmimi”.

Edhe Çollakut i shpëtojnë stilema të së folmes komuniste, newspeak si p.sh.: ujrat do të qetësohen; shfrytëzuar konflikte të brendshme e situata të ngjashme; të dëgjojmë vërejtjet e tyre; të korrigjohemi me durim, etj.

Roli i idiotit politik me theks radikali (Koçi Xoxe) i është lënë Agron Kapllanajt. Ai thotë:

Me kolegët në kryesi ndava opinionin se shpallja e tij non grata nga SHBA ishte nje lajm i mirë për vendin dhe ne veçanti per PD, prandaj dhe shpëtimi i PD nga berishizmi është detyra jonë kryesore.

Duhet të kesh mangësi kronike në artikulim politik dhe logjik, por edhe në kombëtarizëm, që të thuash se shpallja non grata e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të vendit është lajm i mirë për vendin. Një gjë që nuk e kanë thënë as kundërshtarët politikë të Berishës, socialistët, nuk e ka thënë as Rama, edhe pse mund të ketë punuar për ta arritur. Për faktin e thjeshtë se, duam apo nuk duam, dhe pavarësisht animeve politiko-ideologjike, Sali Berisha ka qenë shef shteti në tre mandate. Por, në PD “e re” të Bashës, kur duan të artikulojnë lartpolitikisht thërrasin me urgjencë Agronin. Të cilin, me sa duket, kësaj radhe e kanë ngatërruar: në vend të Gjekmarkajt kanë marrë Kapllanajn.

Megjithatë, më duhet t’ju kërkoj ndjesë të përmendurve. Sepse, e kam një përshtypje që nuk është teksti i tyre. Dhe ky është elementi më i fortë i enverizmit në atë mbledhje. Ashtu si në hetuesitë e komunizmit të pandehurve u vihej përpara një fletë e mbushur me ‘vepra të trilluara’, të cilë i arrestuari duhet ta firmoste, edhe eksponentëve demokratë u është dhënë ‘fjalimi’ i gatshëm nga Basha.

Për të shkuar deri te fjalimet, duhet të theksojmë një element tjetër. Për herë të parë, diskutimet në Kryesi nuk kanë ‘rrjedhur’ në media në mënyrë të pavarur. Si fillim, Basha ka urdhëruar bllokimin e sinjalit telefonik, thonë burime nga PD, dhe më pas u është kërkuar të pranishmëve që të lënë mënjanë celularët, gjë që e ka bërë edhe vetë. Me gjasë ‘për vëmendje të përqendruar’ te mbledhja ‘historike’.

Në Partinë Demokratike nuk është traditë mbajtja e minutave, dmth regjistrimi dhe arkivimi i çdo bisede në çdo mbledhje apo takim, siç bëjnë institucionet dhe partitë në të gjithë botën moderne. Kjo të çon drejt përfundimit se fjalët e Kapllanajt, Gjunkshit e të tjerëve, janë prodhim i eskortës së Bashës.

Sidoqoftë, edhe nëse ky është rasti, që burrave u formulohet ‘mendimi politik’ në një çështje të tillë, edhe nëse janë burra nuk kanë vend në politikë.

Në fund, ilustrimi tjetër i enverizmit është përjashtimi për jetë, pra pushkatimi politik, i themeluesit dhe ish-kryetarit të partisë dhe një grupi të gjerë eksponentësh të PD. Vendim i marrë nga personazhe politike që kanë me PD, ose lidhje rastësore, ose të shkëputura, ose të luhatura, ose të vonshme. Marrë nga politiko.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY