ENDRI SHABANI/ Ku e ka varrin reforma në drejtësi?

ENDRI SHABANI/ Ku e ka varrin reforma në drejtësi?

85
0
Shares

Nga Endri Shabani (Marrë nga faqja e tij në Facebook)

Ku e ka varrin reforma në drejtësi?
Më 23 dhjetor të vitit 2019 besuam se një drejtësi e re po vjen në Shqipëri, dhe dorëzuam në SPAK kallëzimin e parë në historinë e këtij institucioni.
Ne besuam që drejtësia e re nuk do vinte me avaze të vjetra. Prandaj kallëzuam në SPAK konçesionin e sterilizimit, përmes të cilit ne besojmë se na janë vjedhur qindra milionë dollarë, të cilat mund të ishin përdorur për të trajtuar të sëmurët me COVID, që do të dyndeshin dyerve të spitaleve vetëm pak muaj më vonë.
Sot, në 2021, dy vite më vonë, SPAK na ka marrë në pyetje vetëm neve si kallëzues, ndërsa Ilir Beqja, ministri i shëndetësisë që duhet të ishte sot nën hetim, në mos prapa hekurave, është në fakt kandidat për deputet në Shkodër.
Kallëzuam aferën e inceneratorëve të plehrave. Gjatë kësaj kohe aktivistët tanë u arrestuan për protesta të paligjshme, u gjykuan, u dënuan, morën pafajësinë, dhe vazhduan të protestonin sërish. Ndërkohë, një vit më vonë, ne ende nuk kemi dëgjuar se çfarë bëhet me ata që janë në krye të kësaj afere. Ende asnjë i dënuar.
I kërkuam SPAK të hetonte edhe kryebashkiakun Veliaj, i cili është zyrtari i 1001 i kallëzuar, por ai në vend që të ishte përpara drejtësisë, sot është në krye të fushatës së Tiranës, duke kalëruar apatinë e drejtësisë së re.
Nuk e dimë nëse paratë që duhet të shkonin për spitalet, po përdoren për fushatën e Shkodrës, apo nëse paratë e mafias italiane po përdoren për fushatën e Tiranës. Ne nuk e dimë nëse paratë e inceneratorëve, po shkojnë për të financuar fushatën e Fierit apo të Elbasanit. Por e dimë se nëse SPAK do kishte bërë punën, sot do e kishim një përgjigje.
Pika që e derdhi gotën është qëndrimi i SPAK ndaj medias LAPSI.AL, dhe ndaj dy gazetarëve Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, të cilët patën kurajon dhe integritetin të denonconin një skandal të paprecedentë për shoqëritë moderne. Një skandal që përbën një rrezik serioz për shoqërinë tonë.
Të dhënat personale të secilit prej nesh, janë shpërdoruar nga një parti politike që sillet si parti shtet. Të dhënat personale, si numri personal apo numri i kartës së identitetit, të cilat janë unike dhe nuk mund të ndryshohen më gjatë gjithë jetës, sot janë ekspozuar, duke na vënë në rrezik të gjithëve.
Të dhënat sensitive të secilit prej nesh, sot janë në dorën e atyre që shantazhojnë votuesit, duke i detyruar të votojnë për partinë shtet, apo akoma më keq: t’i pengojnë për të shkuar në votime, nëse patronazhisti i klasifikon si opozitarë.
Edhe kjo çështje shkoi në SPAK, por çfarë bëri drejtësia e re?
Ende nuk kemi dëgjuar të ketë nisur hetimi në zyrat e partisë socialiste? Ende nuk kemi dëgjuar nëse ka nisur hetimi për patronazhistët që janë ngarkuar të na spiunojnë të gjithëve?
Por në vend të atyre që kanë abuzuar me pushtetin publik për përfitime personale, sot dëgjojmë që në bankën e akuzuarve janë gazetarët kurajoz Bushati dhe Shkullaku. E turpshme!!!
Reforma në Drejtësi u ka kushtuar shqiptarëve 100 milionë euro, dhe deri në 2025 do t’i japim edhe 50 milion euro të tjera. Për çfarë i japim ne këto para? Që të hetojnë gazetarët si Andi dhe Armandi, duke kthyer akuzuesit në të akuzuar?! Ne sot i japim gjyqtarëve dhe prokurorëve rreth 4000 mijë dollarë në muaj. Për çfarë ua japim këto para, që të intimidojnë gazetarët, ndërkohë që bëjnë sehir se si një parti vë gjithë popullin në përgjim, vetëm për siguruar vazhdimësinë e regjimit?! Për çfarë?!
Sot SPAKU duhet të ketë guximin të hetojë Edi Ramën, dhe gjithë kavalerinë e patronazhistave që na kanë hyrë në jetën private. Të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, dhe të heqë dorë nga intimidimi i gazetarëve kurajozë si Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. Duhet ta bëjë këtë sepse kësaj shoqërie i duhen më shumë gazetarë si Andi dhe Armandi, prandaj ata duhen inkurajuar. Por duhet ta bëjë edhe sepse kjo shoqëri ka vuajtur shumë nga kryeministra si Edi Rama, prandaj ata duhen ndëshkuar.
Në rast të kundërt, na mbetet vetëm të pyesim “ku e ka varrin Reforma në Drejtësi?” që t’i çojmë një tufë me lule.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY