SHBA po shqyrton ndalimin e Tik Tok

SHBA po shqyrton ndalimin e Tik Tok

80
0
Shares

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të hënën se Shtetet e Bashkuara “po shohin mundësinë” e ndalimit të aplikacioneve kineze në median sociale, përfshirë TikTok-un, duke sugjeruar se kompania ndante informacione me qeverinë kineze. TikTok e hodhi poshtë një akuzë të tillë.

Nuk dua të marr një vendim përpara Presidentit (Donald Trump) mbi këtë çështje, por është diçka që po e shtyrtojmë”, tha zoti Pompeo në një intervistë për “Fox News”.

Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime që lidhen me sigurinë kombëtare mbi mënyrën se si TikTok trajton të dhënat e përdoruesve, duke thënë se ata ishin të shqetësuar mbi legjislacionin kinez që u kërkon kompanive vendase “të mbështesin dhe bashkëpunojnë me organet e zbulimit të kontrolluara nga Partia Komuniste kineze”. Zoti Pompeo tha se Amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e aplikacionit në zotërim të kompanisë me bazë në Kinë, “ByteDance”.

Kur u pyet nëse zoti Pompeo do t’ua rekomandonte amerikanëve ta shkarkonin aplikacionin TikTok ai tha se: “vetëm nëse ata do të donin që informacionin e tyre privat ta kishte në dorë Partia Komuniste kineze”.

Si përgjigje ndaj këtyre komenteve TikTok i tha agjencisë “Reuters” se nuk i kishte dhënë kurrë të dhëna të përdoruesve qeverisë kineze.

Përparësia jonë më e lartë është reklamimi i një përvoje të sigurt në përdorimin e aplikacionit për përdoruesit tanë. Nuk i kemi dhënë kurrë të dhëna mbi përdoruesit qeverinë kineze dhe as nuk do ta bënim një gjë të tillë nëse do të na kërkohej“, tha TikTok në një deklaratë me email.

Aplikacioni, i cili nuk është i disponueshëm në Kinë, ka kërkuar të distancohet nga rrënjët e tij kineze për të joshur një audiencë globale. Komentet e zotit Pompeo vijnë mes rritjes së tensioneve mes SHBA-së dhe Kinës lidhur me trajtimin e shpërthimit të koronavirusit, veprimeve të Kinës ndaj ish-kolonisë britanike, Hong Kongut dhe një luftë gati dy-vjeçare tregtare.

TikTok është ndaluar së fundmi në Indi së bashku me 58 aplikacione të tjera kineze pas një përplasjeje në kufi mes Indisë dhe Kinës. “Reuters” njoftoi të hënën vonë në mbrëmje se TikTok do të largohej nga tregu i Hong Kongut brenda disa ditësh, pas miratimit nga Kina të një ligji të ri mbi sigurisë kombëtare për qytetin. Hong Kongu iu kthye Kinës në 1997 në shkëmbim të garancive për liri e autonomi të gjerë, nën formulën “një vend, dy sisteme” gjë për të cilën u ra dakort me Britaninë.

Drejtuesi i ri i kompanisë

Kevin Mayer, ish-ekzekutiv kompanisë Disney, së fundmi mori detyrën e shefit ekzekutiv të kompanisë TikTok. Ai duhet të bind ligjvënësit, rregullatorët dhe konsumatorët amerikanë se ata mund t’i besojnë aplikacionit në pronësi kineze me të dhënat e tyre, një përpjekje që analistët thonë se nuk do të jetë e lehtë.

TikTok është kritikuar për një kohë të gjatë, duke u konsideruar si një kërcënim për privatësinë e përdoruesve të saj dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në fillim të këtij viti, senatorët amerikanë Josh Hawley dhe Rick Scott paraqitën një projektligj për të ndaluar përdorimin e aplikacionit TikTok nga të gjithë punonjësit federal në pajisjet qeveritare, për shkak të shqetësimit se qeveria kineze po ndërhyn në të dhënat e përdoruesve amerikanë.

Analistët thonë se ky është një rrezik real.

Mendoj se ka rreziqe nga shkarkimi ose përdorimi i këtyre aplikacioneve nga Kina. Rreziku është se Partia Komuniste e Kinës mund të vendos t’i shfytëzojë ato në rast emergjence. Dhe në ato raste ata mund të shikojnë ligjet e tyre të inteligjencës kombëtare dhe t’ua kërkojnë kompanive të dhënat“, tha Ainikki Riikonen nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane.

Në deklaratat e saj, kompania TikTok thotë se e merr seriozisht privatësinë dhe është e angazhuar në përpjekjet për të garantuar sigurinë e të dhënave të përdoruesve të aplikacionit të saj.

TikTok tani ka një Shef Ekzekutiv amerikan, 58-vjeçarin Kevin Mayer, i cili është gjithashtu shef i operacioneve në kompaninë simotër ByteDance. Por ndërsa zoti Mayer është Amerikan, disa ekspertë thonë se ai do t’i jap llogari drejtuesve kinezë të kompanisë.

Ai mund të përfundojë si një kukull ose një drejtues real i kompanisë ByteDance. Duke marrë parasysh pozitën e lartë që ai kishte në kompaninë Disney, dhe për shkak të ambicieve dhe vizionit të madh të kompanisë TikTok, drejtuesit e kompanisë ByteDance vërtet mund të vendosin që ta respektojnë zërin e tij dhe ta marrin seriozisht kontribiutin dhe strategjinë e tij“, tha Abishur Prakash nga Qendra e Novacionit të së Ardhmes.

Duke marrë parasysh tendosjen në rritje të marrëdhënieve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe tensioneve mbi pandeminë e koronavirusit, rregullatorët amerikanë po intensifikojnë monitorimin e kompanive kineze të teknologjisë, si TikTok.

Kështu që punësimi i drejtuesve amerikanë, thonë analistët, mund të mos sjellë ndonjë ndryshim.

Mund të ketë funksionuar në të kaluarën. Por nuk do të funksionojë në të njëjtën mënyrë tani sepse pas koronavirusit, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Dhe për shkak se teknologjia tani po drejton gjeopolitikën, kompani si TikTok dhe të gjitha kompanitë kineze të teknologjisë do të jenë në shënjestër të qeverisë amerikane“, tha Abishur Prakash nga Qendra e Novacionit të së Ardhmes.VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY