Sokol Balla tregon momentin, kur rrezikoi jetën

Sokol Balla tregon momentin, kur rrezikoi jetën

161
0
Shares

Gazetari Sokol Balla në librin e tij të publikuar së fundi, është ndalur në një histori të veçantë, ku ai thotë se ka rrezikuar jetën vetëm e vetëm që ti merrte fanellën lojtarit të Kombëtares Shqiptare dhe të Partizanit, Afrim Tole.

Balla shkruan për një ndeshje të kombëtares që është luajtur në Zvicër, ku ai ka këmbëngulur që të marrë fanellën e mbrojtësit, edhe pse në dhomë bashkë me lojtarin ishin dhe persona të tjerë të armatosur.

Tregimi i Ballës:

Lojtarët shqiptarë rrinin në hotel, por masat e sigurisë nga zviceranët ishin të ulëta. Autoritetet ishin indiferente sepse ndeshja nuk kishte qenë me Zvicrën. “Çunat” që jetonin e punonin atje, kishin akses tek dhomat e lojtarëve, dhe ata njerëz si të gjithë, vulnerabël ndaj dashurisë së tifozëve dhe të pamundur të refuzonin “miqësinë” e një pjese jo edhe aq të butë të tyre. Spazma e një fitoreje të papritur dhe avujt e alkoolit pa fund, të qerasur nga kushedi kush që kishte aq para, sa të ishte indiferent se po qeraste mbi 100 tifozë të dehur, nuk e shuan dot kujtesën e bastit të fituar. Ngjita katet e hotelit deri tek dhoma e Afrim Toles. Por ai nuk e hapi derën.

Nga brenda ndjeja zëra, kështu që këmbëngula. Herën e tretë, trokitja u zëvendësua me një goditje jo edhe aq të lehtë të derës. Ajo u hap në çerekun e saj dhe fytyra e zbehtë e Afrim Tolës më nxori pak alkoolin: “Bluzën”- i thashë- “dhe hajde pi ndonjë gotë poshtë se dukesh i mërzitur”. Pa nga brenda dhe më kërkoi të vija më vonë. Atëherë i thashë të më jepte bluzën që më kishte premtuar sepse kisha fituar edhe bastin. Sërish i shqetësuar më tha të kaloja më vonë. I thashë që nuk largohesha pa bluzën, e shtyva lehtë dhe u futa në dhomë. Përveç një lojtari tjetër të Kombëtares, edhe ai dukshëm i stresuar, ishin edhe dy persona të tjerë. Si gjithmonë i vëmendshëm ndaj detajeve, më bëri përshtypje njëri prej tyre, i shkurtër, me kaçurrela dhe me sytë thuajse çakërr. I përshëndeta me indiferencë dhe u ktheva nga Afrimi: “Bluzën”. I djersitur më tha me gjysmë zëri se duhej t’ia jepte dy “të njohurve” të tij që i kishin ardhur në dhomë. “Afrim, – i thashë me ton të ngritur më shumë nga alkooli, sesa nga premtimi i pambajtur i tij, – nuk më rr… hiç. Bluzën ma premtove mua të parit”.

Kur mbarova këto fjalë, ndjeva një lëvizje të lehtë, por nervoze, të dy djemve në kolltuk, ndërsa dora e majtë e syçakërrit rrëshqiti në heshtje drejt rripit të mesit në pjesën e pasme të xhinseve të ngushta lara-lara. U ktheva dhe e pashë, thuajse me inat, “shemrin” e panjohur të bluzës sime. Buzëqeshi lehtë dhe iu kthye Afrimit: “S’ka gjë Tole, jepja, se unë gjej një tjetër”. Unë mora bluzën me numrin 3 dhe ika i lumtur poshtë për të vazhduar “whiskey party”.

Pas mesnate, gazmor dhe i zhurmshëm, trokita sërish në derën e dhomës së Afrimit, për të shijuar orët e pakta të gjumit, pak para nisjes nesër, për në Tiranë. Kësaj radhe dera u hap, e gjitha, në trokitjen e parë, ndërkohë që, papritmas, një palë krahë të fuqishëm më tërhoqën me forcë brenda dhe një Afrim aspak miqësor, por i trembur dhe në panik më ulëriti në fytyrë: “Desh na vrave, o i çmendur!” Më liron dhe lëshohet në kolltukun më të afërt. “Nuk di si shpëtuam. Personi që i more bluzën në atë formë ishte Altin Dardha”. Dhe si në filmat thriller, kur personazhit në fund i kalojnë parasysh me shpejtësi gjithë ditët e jetës, mua më kaluan gjithë sekondat e atyre pak minutave të takimit të rastësishëm me njeriun më legjendar, më kriminel dhe më gjakësor të undergroundit shqiptar: shtati i shkurtër, kaçurrelat, sytë që nuk ishin çakërr, por me ngjyra të ndryshme, sepse njëri ishte artificial, dora te pistoleta në brez dhe buzëqeshja prej të marri që iu vulos në fytyrë, ndoshta, sepse pa tek unë një person që nuk ia vlente ta vriste, ose ndoshta për shkak të respektit që kishte për bastet (një prej tyre e kishte fituar ndërsa u thoshte shokëve se mund të shtinte me pistoletë nga 900 metra larg, barkun e një shtatzëne që po kalonte në urën e gurit në Berat pak muaj para “takimit” tonë në Zyrih). Sigurisht që aty ku kish ardhur me identitet tjetër, për t’iu fshehur hakmarrjeve të shumta që kishte lënë në Shqipëri. Pas këtij filmi të shpejtë që më kaloi para syve, alkooli avulloi në çast. Në dhomë pllakosi heshtja.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY