DASH sulmon per here të parë Ramën: Korrupsion i lartë, favorizon bizneset...

DASH sulmon per here të parë Ramën: Korrupsion i lartë, favorizon bizneset me lidhje politike

97
0
Shares

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin e pritur për klimën e investimeve për Shqipërinë për vitin 2018, i cili është tepër i ashpër. Në të mbizotërojnë shqetësimet për korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, teksa Shqipëria konsiderohet si një vend i vështirë për të bërë biznes dhe ku favorizohen kompanitë e lidhura me politikën.  Me shqetësim raportohen dhe projektet e partneritetit publik privat, të clat vlerësohet se kanë kufizuar konkurrencën, ndërsa nuk ka një analizë kosto-përfitime të tyre. Tjetërsimi i pronësisë është një tjetër problem që kanë raportuar investitorët e huaj.

Konkretisht raporti thotë se “Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Në vitin 2016, qeveria shqiptare kaloi ndryshime gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguara, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”.

“Investitorët  raportojnë shqetësime të vazhdueshme, pasi rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira  për t’u interpretuar, si mjete për të dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplotë me komunitetin e biznesit. Investitorët e huaj të mëdhenj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur politikisht dhe shprehin shqetësimin për pajtueshmërinë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri.

Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017”.

Raporti vazhdon duke shtuar se “Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi titulli i qartë është i vështirë për t’u marrë. Disa faktorë përfshijnë aktorë të paskrupullt që manipulojnë sistemin e korruptuar të gjykatave për të fituar titullin e pronësisë në një tokë që nuk është e tyre. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t’u marrë dhe i papërshtatshëm. Ndërkohë, agjencia e ngarkuar me çështjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat”.

Raporti i departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve një publikim periodik që merr në analizë klimën e investimeve në 170 ekonomi duke mundësuar kështu informacion në shërbim të biznesit. Materialet që përgatiten nga ekonomistët e akredituar brenda ambasadave në vende të ndryshme të botës duke analizuar ekonomitë që mund të shihen si tregje potenciale nga bizneset amerikane.monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY