FOTO GALERI/ Rrëfehet Ornela Vorpsi: Kësulëkuqja e vogël nuk ishte e kuqe,...

FOTO GALERI/ Rrëfehet Ornela Vorpsi: Kësulëkuqja e vogël nuk ishte e kuqe, ndërsa ujku, po, quhej Enver Hoxha

440
0
Shares
Alda Bardhyli - Ornela Vorpsi - Beti Njuma

“Kësulëkuqja e vogël nuk ishte e kuqe. Ndërsa ujku, ai po, ishte i kuq. Quhej Enver Hoxha, si diktatori komunist shqiptar. Ai nuk do t’i përpinte vajzat e vogla. Jo nuk ua kishte nevojën, për aq sa ato nuk kishin as pite, as poçe me gjalpë për t’ia çuar gjyshes së tyre. Kjo ishte mbretëria e Enver Hoxhës: mungesë në gjithçka. Dhe burg për ata që guxuan të ankohen”.

Kështu shkruan Ornela Vorpsi në romanin “Vendi ku nuk vdes kurrë” i botuar në Francë.

Dhe pse nuk shkruan në gjuhën shqipe, në veprat e saj ajo udhëton në kohë të jetuara në këtë vend. Udhëtimi bashkë me nënën dhe gjyshen për të takuar babanë në burgun e Spaçit, duket se ka lënë gjurmë në kujtesën e saj.

E ftuar në takimet “Letërsia dhe Qyteti”, përballë dy gazetareve Alda Bardhyli dhe Beti Njuma, Vorpsi ka treguar rrugëtimin e saj nga Akademia e Arteve Brera në Itali, drejt Parisit ku sot jeton me bashkëshortin dhe vajzën.

“Shqipëria që kam jetuar me nënën time, ishte një vend i vështirë. Ishte e rëndësishme të tregoja atë periudhë. Një Shqipëri, lakuriqe. Me librin e parë, kam plagosur edhe familjen time, ‘Vendi që nuk vdes kurrë’. Nuk kisha ndërmend të shkruaja por më erdhi kaq organike në italisht” u shpreh Vorpsi. Shkrimtarja ka folur për lidhjen me nënën, një lidhje që është zhvilluar në mënyrën sesi ajo ka trajtuar femrën në letërsi dhe arte pamore. Kohë më parë në një gazetë franceze do të botohej një foto e nënës së saj nuse, përballë pasqyrës.

“Kjo është një fotografi që më magjeps”.

Një foto që të kujton orët para pasqyrës të çdo vajze në Shqipërinë e para viteve ’90-të, veshur me fustanin e bardhë dhe me lule në duar, duke parë në pasqyrë reflektimin e vetes, para se jeta e saj të ndryshojë përgjithmonë. Është një foto e nënës suaj.

“Me kalimin e kohës një njollë ngjyrë kafe filloi të shfaqej në foto, duke mbuluar fytyrën e nënës sime lehtë. Kjo pasi, kishte lagështi në dollap. Sa herë shoh këtë foto më vjen të qaj, duke imagjinuar kohët sesi flokët e saj do të shndërroheshin në gri”, shprehet Vorpsi.

“Kam dashur nënën time si asnjë tjetër në botë. Ajo ishte ZOTI…Shoh nënat shqiptare. Unë kisha një nënë me natyrë sunduese. Unë isha ‘pronë private’ e saj, bëja ç’thoshte. Një nënë autoritare. U rrita vetëm me të” vazhdon ajo.

Lidhja me artin ka ndodhur herët tek ajo. Rënia e komunizmit ia bëri më të lehtë rrugën drejt studimeve, si vajza e një të burgosuri politik.

“Kam qenë jashtëzakonisht e dhënë pas artit dhe letërsisë. Kisha ambicie. Por pastaj, vajzën e bëra dhe nga frika. Dhe sa lindi vajza ime, doja pastaj gjithë fëmijët e botës. Sot e di, kam krijuar me të një relacion, që nuk është njëlloj si ai i imi me nënën time”, tregon Ornela.

Shkrimtarja ka treguar raportin me gjuhën shqipe, duke e quajtur si një gjuhë që e çon te kujtimet e trishta, dhe dhembja. E shkruara i ka ardhur natyrshëm në gjuhë të huaj, dhe thjesht ka vazhduar të shkruajë.

“Besoj se po të shkruaja ato që kam shkruar në gjuhën shqipe, e gjitha do ishte shumë më e dhimbshme dhe thuajse e pamundur. Sepse gjuha shqipe për mua është gjuha që mbart fëmijërinë. Unë u rrita në atë vend dhe në njëfarë mënyre jam e konstruktuar në atë vend, jam thellësisht e tërësisht shqiptare”, thotë Vorpsi.

I kujtohet se nisi të shkruajë ashtu thjesht në një bar kafe në Paris.

“U ula, aty më erdhën mendimet. Isha 29 vjeç. Aty bëra paragrafin e parë, rë romanit tim të parë. Kur kam qenë e vogël kam shkruar dhe në shqip, por nuk i kam dhënë rëndësi të shkruarit. Kam shkruar te Revista ‘Pioneri’ kur babai im ishte në burg”, u shpreh Vorpsi.

Fakti që gjatë këtyre viteve nuk ka prezantuar veprat e saj në Shqipëri vjen pasi nuk ka pasur asnjë ftesë.

“Unë kurrë nuk e kam snobuar Shqipërinë. Përkundrazi, Shqipëria më ka snobuar. Më kanë ftuar gjithandej në botë për të folur dhe kam qenë e hapur. Në Shqipëri, jam ftuar vetëm njëherë nga Jonila Godole dhe kam ardhur. Sot është hera e dytë me ftesën për këtë ekspozitë në COD dhe sërish kam ardhur. Unë e ndjej veten 100 për qind shqiptare”, tregon Ornela Vorpsi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY