MISTERIOZE/Rusët vrasin edhe një tjetër në Londër, armiqtë e Putin po vdesin...

MISTERIOZE/Rusët vrasin edhe një tjetër në Londër, armiqtë e Putin po vdesin një e nga një

96
0
Shares

Një rus i arratisur nga vendi i tij, i cili ishte mik i ngushtë me oligarkun e ndjerë Boris Berezovsky, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Londër.

Nikolai Glushkov, 68-vjeç, u zbulua nga familjarët dhe miqtë e tij orët e vona të së hënës. Shkaku i vdekjes nuk është ende i qartë. Lajmi për vdekjen e 68-vjeçarit u dha nga një mik i tij, Damian Kudryavtsev redaktor i një gazete, në një postim në Facebook.

Pa dhënë konfirmim për emrin e tij, Policia Metropolitane tha se hetimet për vdekjen e 68-vjeçarit po drejtohen nga njësia antiterror, për shkak të lidhjeve që viktima besohet se ka pasur.

Policia tha gjithashtu se deri më tani nuk ka të dhëna që të tregojnë se ka një lidhje me incidentin e ndodhur në Salisbury, ku ish-agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajza e tij u helmuan. Ata mbeten në gjendje kritike.

E përditshmja britanike “The Guardian” shkruan se në 1990-ën, Glushkov ishte Drejtor i agjencisë shtetërore të fluturimit Aeroloft dhe i kompanisë së makinave Berezovsky’s LogoVAZ.

Shtëpia ku jetonte Nikolai Glushkov në Londër

Në 1999-n pas përplasjeve që Berezovsky pati me Vladimir Putin dhe u arratis drejt Britanisë së Madhe, Glushkov u akuzua për pastrim parash dhe mashtrim.

Ai vuajti dënimin me 5 vjet heqje lirie dhe u la i lirë në vitin 2004. Duke qenë se i frikësohej arrestimit sërish, ai u arratis gjithashtu drejt Britanisë së Madhe.

Glushkov fitoi azilin politik dhe vitet e fundit jetonte në Londër.

Në 2011, ai paraqiti prova në gjykatë, në çështjen e dërguar para drejtësisë nga Berezovsky, kundër oligarkut Roman Abramovich, i cili mbetet në terma të mirë me Kremlinin.

Glushkov i tha gjykatës në atë kohë se ai ishte marrë peng në mënyrë efektive nga administrata e Putin, që kërkonte t’i bënte presion Berezovsky për të shitur aksionet e tij të stacionit televiziv ORT.

Në gjykatë, Berezovsky deklaroi se ai dhe Abramovich kishin qenë partnerë në 1990-n në një firmë nafte, Sibneft dhe e akuzoi pronarin e klubit të futbollit të Chelsea se e kishte mashtruar atë me 5 miliardë dollarë. Abramovich e mohoi këtë. Gjykatësja e çështjes, Justice Gloster hodhi poshtë palën akuzuese dhe e përshkruajti Berezovskyn si “qëllimisht të pandershëm” .

Glushkov, i pakënaqur me këtë gjykim bëri një apel formal dhe i cilësoi konkluzionet e gjykatës “paragjykime”. Ndërsa Berezovsky u zhduk nga jeta publike. Në Mars të 2013-s, ai u gjet i vdekur në shtëpinë e ish-bashkëshortes së tij në Berkshire. Policia tha se dyshimet ishin që ai kishte vrarë veten, por miqtë e tij nuk ishin të sigurtë për këtë.

Duke folur për The Guardian, vetë Glushkov tha se ishte skeptik që Berezovsky, i cili u gjet i varur në tualet, kishte vdekur për shkaqe natyrale. “Jam i bindur se Boris është vrarë. Kam informacione shumë të ndryshme nga ato që po publikohen në media”, tha ai.

Ai theksoi se shumë rusë në azil, përfshirë Berezovsky dhe miku i ngushtë i këtij të fundit, Alexander Litvinenko, kishin vdekur në rrethana misterioze. “Boris është mbytur. Këtë ose e ka bërë vetë, ose me ndihmën e dikujt tjetri. Por nuk besoj se është vetëvrasje”, tha Glushkov.

“Kohët e fundit po ndodhin shumë vdekje të emigrantëve rusë…”

Glushkov vijoi të hetonte shkaqet e vdekjes së Berezovsky për disa muaj me radhë. Në 2013-n ai i shkruajti me email një miku: Kam shumë fakte të reja, mjaft interesante.

Glushkov kishte dy fëmijë, Natasha dhe Dima, ndërsa ish-bashkëshortja jeton në Moskë. Ai mësohet se ishte ndarë vitet e fundit nga një partnere, e se marrëdhënia e tyre ishte mbyllur mirë. Vajza e tij Natasha mësohet se jeton gjithashtu në Britani.

Në 2017-n, gjatë një gjyqi të zhvilluar në mungesë në Rusi, Glushkov u dënua me 8 vjet burg, për vjedhjen e 123 milionë dollarëve nga Aeroflot. Kompania ajrore e vijoi çështjen edhe në Londër. Glushkov po mbronte aktualisht veten në gjykatë, por miqve u kishte thënë se nuk kishte para të mjaftueshme për të paguar një avokat. Ai do të dilte në gjykatë të hënën paradite, por nuk u paraqit.

Në njoftimin e saj zyrtar, policia londineze tha se vdekja e 68-vjeçarit momentalisht po trajtohet si e “pashpjegueshme”.//tvklan.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY