1958/Torturat ndaj kosovarëve në kampin e Semanit

1958/Torturat ndaj kosovarëve në kampin e Semanit

198
0
Shares

Nga Kastriot Dervishi

Një letër tjetër e një emigranti kosovar, i cili në korrik 1958 shkruan për torturat që u bëhen në kampin e Semanit. Këtu ishin grumbulluar prej regjimit, emigrantët shqiptarë të Kosovës që shpresonin se do gjenin lumturinë te regjimi internacionalist i E.Hoxhës. Letra i drejtohet diktatorit. Si është trajtuar nënshkruesi mund të ishin trajtuar edhe enveristët e Kosovës nëse do vinin në atë kohë në Shqipëri.

***
Unë i nënshkruesi Brahim Hazizi kam nderin të paraqes këtë ankesë që ma poshtë vijon:
Meqenëse gjindesha në kampin e emigrantëve jugosllavë si emigrant, nevoja e domosdoshme, më detyroi të t’ju paraqes këtë ankesë.
Tue shpresue se nga ana e juaj do të gjejmë mbështetje të sinqertë, vendosëm të ju drejtohemi personalitetit tuaj.
Qëllimet tona të flakta ishin që Kosovën ta lulëzojmë me liri. Lamë vatrat, i vumë kryqin shtëpisë, tue lanë familjen pa zot në shtëpi dhe erdhëm në RP të Shqipërisë me bindjen se do të gjejmë përkrahje nga partia, tuj na i dhanë të drejtat e barabarta pa dallim shtetësie, sepse kombësia nuk na ndan.
Ndonëse s’kemi thith liri, sepse gjithmonë Kosova ka qenë e robnueme, por prapë se prapë në zemrat tona rrafin ndjenjat shqiptare-burrnore. Kurrë s’kemi durue serbianin, as malazezin të na cenojë nderin, por këto raste që po ndodhin mbi ne nga ana e organeve qeveritare të Shqipërisë: tue na përbuzë me shamje dhe rrafje, këto s’janë të rralla. Prandaj jemi shqiptarë, s’na mungon nderi të cilën e kemi ma të shtrenjtë sa jetën.
Nuk dijmë a keni dijeni ju mbi këto gjana, këto tortura të padurueshme! A shkruen kund në ligj për neve apo jemi të mbetun mbas dore fare. Në qoftë se nuk i kemi zbatue rregullat e qeverisë kërkojmë dënimin e merituar me burg. Besojmë që nuk është koha e torturave. Kjo ashtu nga komanda që gjendet në Seman., si nëntogeri (Myrdaj), policët dhe përkrahësit e tyre.
Dëshiroj me dijt se çfarë se çfarë e drejtë asht që polici të hyjë në kohën që gjendemi në gjumë dhe të thërrasë emigrantin Zek Arifi që t’i sjelli deri sa të shtren mirë. Kjo ndodhi natën e 21 dhe 22 majit, po të këtij viti, megjithëse nuk ka pasur kurr farë gabimi.
Mirëpo ç’i ndodhi më datën 22 maj emigrantit Brahim Azizi në moshën 56 vjeçare. Pati nderin nëntoger Myrdaj dhe i qëlloi me 4 goditje fytyrës dhe dy shkelma si peshqesh të pleqnisë, megjithëse që s’përfaqësojnë kurrfarë gabimi. Por këto goditje s’janë vetëm te emigranti i përmendur, por ka dhe sa e sa të tjerë.
Këto janë të vërteta. Ju lutem, në rast se na konsideroni si armiq, të na pushkatoni ose burgosni. Prandaj kjo asht ba e padurueshme nga ana jonë. Ka qe një vit që gjendem në kampin e Semanit dhe askush nuk erdhi nga organet e nalta të qeverisë me pa gjendjen tonë.
Sikur të kishim luftue krah për krah me fashistët. Këtë s’e kishim prit, kurse neve kemi ardhë në Shqipëri me i realizue ndjenjat e flakëta për liri. Masnej letrat që po i dërgojmë familjes, po na i grisin, kurse neve kemi të drejtë me ju dërgue një herë në muej, kur as në burg nuk ndodh kjo.
Prandaj tu pasë besim të plotë në partinë që këso torturash, nuk lejojnë aspak dhe sikur të ishin armiq të Shqipërisë.
Ju lutem, personalisht juve dhe udhëheqësve të sinqertë të partisë që kjo gjendje e jona të shqyrtohet sa më shpejt.
E dini nderin e shqiptarit i cili kushton ma shtrenjtë se jeta.
Me nderime, emigranti kosovar
Brahim Hazizi

No automatic alt text available.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY