PAKETA FISKALE/ Të gjitha taksat që rriten në vitin 2018

PAKETA FISKALE/ Të gjitha taksat që rriten në vitin 2018

237
0
Shares

Ministria e Financave ka hartuar Paketën Fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit 2018 dhe pritet ti dorëzohet Parlamentit këto ditë. Janë bërë disa ndryshime ligjore për të jetësuar këtë paketë e cila do të ketë jo pak ndikim në xhepat e qytetarëve.

Kështu në vitin 2018 do të rritet taksa e pronave, cilado qoftë ajo shtëpi, dyqan, etj. Do të rritet akciza e cigareve, do të ndryshojë taksa për automjetet luksoze, etj. Lehtësira do të kenë bizneset e mëdha, sidomos ato që inevstojnë në turizëm.

Më poshtë taksat e reja të detajuara

Taksa e pasurisë

– Ndryshimi i mënyrës së taksimit të ndërtesave, duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës;

– Ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë eficencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës;

– Riklasifikim i taksës së tabelës, për të pasur një vendosje më të drejtë të taksës referuar llojit të tabelës (e thjeshtë, me ndriçim, elektronike);

– Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje “status special” sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përbëhet nga tre lloje taksash:

a) Taksa mbi ndërtesën;
b) Taksa mbi tokën bujqësore;
c) Taksa mbi truallin.
d) Ky projektligj pritet të sjellë një efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit me përafërsi 2.4 miliard lekë.

2—Ndryshime në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”

 Incentivimin për sektorin e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për Strukturat akomoduese “Hotelet me 4&5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit.

 Incentivimin në fushën e prodhimit të softëare-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishme për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor i kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.

 Efekti negativ në buxhetin e shtetit parashikohet të jetë rreth 93 milion lekë.

3— Ndryshime në ligjin “ Për miratimin e tarifës doganore”, nëpërmjet të cilit synohet reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit në masën rreth 59 milionë lekë.

4— Ndryshime në ligjin për akcizat, i cili synon të ndryshojë nivelin e akcizës së cigareve që përmbajnë duhan, për vitin 2018.

Konkretisht, në kalendarin aktual akciza për cigaret që përmbajnë duhan, për vitin 2018 është parashikuar të jetë në nivelin 5 750 lekë/1 000 copë. Me këtë projektligj propozohet që akciza për cigaret që përmbajnë duhan për vitin 2018 të jetë në nivelin 5 850 lekë/1 000 copë.

Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.

Efekti në të ardhurat e buxhetit e shtetit parashikohet të jetë + 1,097 milionë lekë.
5—ndryshime ne ligjin për TVSH, ku propozohet aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së në për furnizimet e ofruara në strukturat akomoduese hotele me 5 yje me status të veçantë, të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, konkretisht në masën 6 %.

Projektligji përbëhet nga 5 nene. Konkretisht shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për çdo furnizim-shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese të certifikuara “Hotel me pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.”

6— Ndryshime ne ligjin “Për taksat kombëtare” lidhur me aplikimin e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze. Ky projektligj synon të ndryshojë kriterin e kapacitetit fizik të automjeteve që konsiderohen automjete luksi për qëllime të këtij ligji. Aktualisht me ligjin në fuqi, konsiderohen automjete luksi, autoveturat deri në 4+1të cilat plotësojnë të paktën një nga kriteret:
a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë.

Me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, synohet qe kriteri “4+1” të zëvendësohet me kriterin “6+1”.

Ky propozim ka ardhur nga DPTSHRR në cilësinë e agjentit që mbledh taksën e regjistrimi fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Projektligji parashikon efekte pozitive në masën 19 milion lekë. TV SCAN

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY