SKANDAL/ Vrasja e Gazmend Çollakut, policia “ngatërroi” mostrat e ADN-së

SKANDAL/ Vrasja e Gazmend Çollakut, policia “ngatërroi” mostrat e ADN-së

518
0
Shares
Gazmend Collaku

Ekspertët biologë të policisë shkencore i thanë Gjykatës së Krimeve të Rënda se monstrat e ADN-së të viktimës Gazmend Çollaku, të marra në morg nuk përputheshin me ato të nënës së tij dhe as me njollat e gjakut të gjetura në makinë me të cilët dyshohet se ai është transportuar.
Ekspertizat e ADN-së në çështjen kundër Denis Shtazës, i akuzuar për vrasjen e Gazmend Çollakut, rezultuan të pavlefshme pasi mostrat me elementë ADN-je janë ngatërruar. Dy ekspertët Amarda Deda dhe Aleksandër Bushati, që analizuan njollat e gjakut të gjetura në vendngjarje, në një makinë që dyshohet se u përdor për vrasjen, të personit të akuzuar dhe të viktimës, i thanë gjykatës gjatë seancës së të hënës, se mostrat me gjakun e viktimës nuk ishin të sakta.
“Për ne ky rast ka qenë unikal dhe për të bënë të sigurt dhe me veten tonë, i kemi kryer disa herë analizat dhe dilnin të njëjta rezultate,” deklaroi ekspertja biologe Amarda Deda.
Ekspertja shpjegoi se mostrat e gjakut që shërbenin për të zbuluar ADN-në duhej të ishin ngatërruar, pasi gjaku i marrë nga trupi i viktimës në morg nuk përputhej me atë të nënës së viktimës.
Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi riekspertimin të provave, por ngatërresa mund ta bëjë më të vështirë zbardhjen e vrasjes së janarit të vitit të shkuar.
Trupi i pajetë i Gazmend Çollakut, i lidhur këmbë e duar me fasheta, është gjetur buzë rrugës së fshatit Murqin të Krujës, mëngjesin e 7 janarit 2016. Ai ishte qëlluar me armë zjarri në kokë e trup dhe kishte shenja të tjera dhune. Çollaku u rrëmbye mbrëmjen e 6 janarit 2016, ndërsa ishte ulur në një nga tavolinat e lokalit “Porsaidi” në Durrës, ku po priste të fejuarën e tij A. Thano. Dëshmitarët i thanë policisë se katër persona të veshur si policë, kanë rrëmbyer me forcë Çollakun duke e futur në një automjet “Audi A6” dhe janë larguar me shpejtësi.
Po atë mëngjes policia shoqëroi Denis Shtrazën dhe ish-oficerin e policisë Ervin Dalipaj. Policia kërkonte Shtrazën, pasi në të dhënat e saj operative rezultonte se ai kishte pasur një konflikt me viktimën. Pas verifikimit Dalipaj dhe Shtraza u liruan, por policia mbajti makinën në të cilën ata udhëtonin dhe në një kontroll të dytë brenda saj gjeti njollat e gjakut në një faqe kalendari dhe pjesë të tjera të mjetit. Policia arrestoi Denis Shtazën dhe shpalli në kërkim Dalipajn në fund të janarit të vitit që kaloi. Dalipaj u vra në një atentat në prill të këtij viti ndërsa ishte në kërkim nga policia për vrasjen e Çollaku.
Njollat e gjakut që u gjetën në makinën e oficerit të vrarë të policisë Ervin Dalipaj, i cili dyshohej për vrasjen së bashku me Denis Shtrazën, u menduan si një prej elementëve kryesorë të akuzës, pasi mund të bënin lidhjen e viktimës me makinën në të cilën udhëtonte i akuzuari. Mbrojtja e Shtrazës, i vetmi i arrestuar për krimin, i pati sulmuar ato si të manipuluara nga policia.
Gjatë seancës gjyqësore prokurori i çështjes Besnik Muçi, pyeti ekspertët për emrin e oficerit të policisë gjyqësore që kishte dorëzuar mostrat e ADN-së, por ekspertët thanë se “nuk e kujtonin emrin”. Ndërkohë nga verifikimi i dosjes në gjykatë rezultoi se ai quhet Alfred Hoxha, dhe është me detyrë specialist pranë sektorit të hetimit të Krimeve të Rënda në policinë e Durrësit.
I pyetur nga BIRN për këtë çështje Hoxha nuk pranoi të komentonte, ndërsa tha se “nuk ishte i autorizuar të jepte shpjegime [për këtë çështje]”. Po ashtu edhe prokurori Muçi nuk pranoi të komentonte atë që ndodhi në seancë apo nëse do të kishte hetime rreth ngatërrimit të mostrave të ADN-së.
Njollat e gjakut që u gjetën në makinën e të ndjerit Dalipaj, sipas akuzës bënin lidhjen mes të dyshuarve për krimin dhe viktimës. Megjithatë ekspertiza e ADN-së të cilat BIRN i publikoi më herët, mohonin këtë lidhje. Po ashtu ekspertiza nuk gjeti ngjashmëri mes gjurmëve të ADN-së në fashetat që ishin përdorur për të lidhur viktimën me pështymën e marrë nga i akuzuari për vrasje Denis Shtraza.
Mbetet për tu parë në se riekspertimi i urdhëruar nga Gjykata e Krimeve të Rënda do ta lehtësojë ose rëndojë pozicionin e të pandehurit Denis Shtraza.
Avokati i Shtrazës Alban Qafa i tha BIRN në qershor se “policia e Durrësit ka punuar shumë keq dhe me dashakeqësi, duke bërë manipulim të provave”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY