VIDEO/ Kadare: Todi Lubonjen e kisha mik, Fatos Lubonja akuzoi babanë dhe...

VIDEO/ Kadare: Todi Lubonjen e kisha mik, Fatos Lubonja akuzoi babanë dhe e zhyti thellë e më thellë

341
0
Shares

Shkrimtari i madh Ismail Kadare në një intervistë ekskluzive për emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News 24, kometon gjerësisht polemikat ku është përfshirë me analistin Fatos Lubonja pas botimit të librit të Dashnor Kaloçit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, nga botuesi Henri Çili.

Fatos Lubonja njihet si një ndër kritikët më të fortë të Kadaresë në këto 25 vitet e fundit dhe në gjyqin e tij ka implikuar të atin dhe Kadarenë si frymëzues të leximeve të fshehta dhe mendimeve të gabuara. Por një dokument i fundit i botuar, një dëshmi e babait të Lubonjës i hedh poshtë këto ide. Todi shprehet se nuk i ka thënë apo biseduar këto me të birin. Për këto dhe shumë të tjera rrëfehet Kadare.

 

Ditët e fundit, gazeta “Mapo” ka publikuar një dokument të ri në vazhdën e një botimi të disa dokumenteve të tilla nga Henri Çili, i cili pas botimit të librit të Kaloçit, “Kadare në Pallatin e Ëndrrave”, ka botuar edhe në gazetë disa dokumente origjinale sa i takon seancave të gjyqit të Todit dhe Fatos Lubonjës. Tani dihet që Fatos Lubonja është një nga kritikët tuaj më të fortë në këto 25 vitet e fundit. Sipas këtyre dokumenteve, besoj e keni ndjekur debatin, Lubonja në gjyqin e tij ka implikuar babanë dhe emrin tuaj gjithashtu, si frymëzues të leximeve të fshehta, të mendimeve të gabuara, etj. Dokumenti i fundit që është botuar, është një dëshmi e babait të Lubonjës i cili hedh poshtë këto ide, duke u shprehur se nuk i ka thënë apo biseduar këto me të birin. Së pari, çfarë e konsideroni gjithë këtë polemikë që keni me Lubonjën, në lidhje me këtë çështje?
Nga ana ime është absurde, këtë njeri e kam njohur shumë pak, pothuajse nuk e kam njohur fare, kam njohur vetëm babain e tij, është e parëndësishme, absurde, dhe pa kuptim. Ai është historian, unë jam shkrimtar. Besoj një farë shkrimtari është, i rëndomtë, nuk dua ta fyej, s’po përdor fjalën mediokër, por është krejtësisht i rëndomtë si shkrimtar. Dhe me sa duket krijon legjenda të tilla për ta bërë tepër interesant emrin e vet. Nuk jam përzier në punët e tij asnjëherë, me Todi Lubonjën unë kam patur shoqëri, miqësi, dhe po ju them, kur ai u fut në burg si komplotist, të gjithë njerëzit që njiheshin me të, që rrinin me të, janë pyetur për të thënë atë çka dinin për këtë “armik”. Se kështu ishte stili atëherë, kur arrestohej një njeri, një turmë e madhe njerëzish, të afërm shokë, miq, të gjithë pyeteshin. Unë jam pyetur në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, zyrtarisht. Deklarata ime për Todi Lubonjën është e dokumentuar, me datë, me vulë, me të gjitha. Dhe kam thënë: unë nuk kam kuptuar ndonjë gjë armiqësore te Todi Lubonja, veç shakave që bënte shpesh të tepruara, por që ishin në formë humori. Gjëja kryesore që kam thënë, është se ai më lavdëronte mua në mënyrë të tepruar. Ndoshta më ka bërë dëm si çdo njeri, kur lavdërohet shumë, dëmtohet. Kanë qeshur ca, ca s’kanë qeshur. Kjo ka qenë e vetmja dëshmi. Ndërsa del tashti, dhe me një kuriozitet unë kam parë dokumentet, që i biri i tij ka mbajtur tjetër qëndrim. Sipas këtyre dokumenteve, po e përsëris sipas këtyre dokumenteve, ai e ka akuzuar babanë, e ka zhytur thellë e më thellë. Këtu është ndoshta edhe armiqësia, ndaj e quaj absurde. Unë isha miku i tij, ai vendosi të godasë babanë. Por s’kishte punë me mua, s’kishte pse ta theksonte këtë. Le të më zbulonin të tjerët nëse isha armik si i atij i tij.

Mendoni se edhe ajo dëshmi ju ka implikuar dhe rrezikoheshin prej saj?
Nuk besoj. Unë kam qenë shkrimtar, dhe tërë shkrimtarët e njohur që ishin, shteti për ne dinte gjëra serioze dhe këto ishin pothuajse vogëlsira. Për shembull, Bashkim Shehu, kur doli me dërgoi një letër, më shkruante, Z.Kadare po ju shkruaj këtë letër të qetësoj ndërgjegjen, t’ju tregoj ç’kam thënë për ju në hetuesi. E më ka thënë këtë frazë që e mbaj mend. Për të qenë i besueshëm diçka kam treguar, vërejtje ose pakënaqësi që kishte për Stalinin ose tempujt fetarë. Dhe ka theksuar, për t’u bërë i besueshëm, se nëse do thoshte nuk kam folur asnjë, nuk do besohej, se ata kishin regjistrime. Këto ishin gjëra shumë të vogla në krahasim me ato gjëra që dinte shteti për ne. shteti na i dinte dorëshkrimet, na fuste njerëz në shpi kur mungonim.

Ju në fakt thoni se keni folur për hetimin ndaj Bashkimit Shehut, a keni patur ju shqetësime në kohën kur u burgos Todi Lubonja dhe të tjerët? A mendonit se mund të ishit dhe ju pjesë e dëshmive?
Po mendoja, por nuk kaloja në panik. Se Todi bisedonte me shumë njerëz kështu, me shaka. Dhe nuk do ishte një hata e madhe. Ne u mësuam me idenë që njeriu bie në burg. Kemi patur shumë shokë që hynin në burg. Ndryshe duhet të kishim dalë nga mendja, po të mendonim kështu. Për shembull atë për Stalinin, unë e thoja edhe hapur. Por një ushtaraku nuk i lejohej një gjë e tillë. Ne na faleshin ca gjëra, kjo ka qenë e vërtetë. Ky privilegj ishte në të gjitha vendet e lindjes për shkrimtarët. Ka të njëjtën tipologji si sillej shteti me shkrimtarët e njohur në vendet komuniste.

Sa i takon debatit me Lubonjën, në dritën e këtij debati të ri me Lubonjën dhe në dritën e këtij botimi të ri duket se ka një kontradiktë, nga njëra anë Todi Lubonja që thotë unë këto gjëra nuk i kam biseduar kurrë me Fatosin, dhe nga ana tjetër kemi dëshminë e mëparshme të Fatos Lubonjës që implikon emrin e të atit dhe tuajin gjithashtu. Si e shikoni këtë lloj kontradikte?
Këtu s’ka ndonjë kontradiktë të madhe, por të thjeshtë, njerëzore, të trishtueshme, dhe të ketë. Ka patur vërtet atë që njihet si urrejtje ndaj të atit, por kjo teori përkrahet kudo në botë. Ky ka patur një nervozizëm, se me këto dokumente që kanë dalë ai vihet me shpatulla për muri. Ai duhet t’i hedhë poshtë ato, se ai thotë unë s’kam folur me ty, ai thotë ke folur kundër Enverit. Ka diçka që nuk shkon, mund të mos thotë asnjëri të vërtetën, apo të dy të thonë të vërtetën, të ketë keqinterpretime. Me sa duket si letrat i ri papeshë, mendon se kjo do t’ia ngrejë peshën. Fatos Lubonja nuk është shkrimtar i ri i arrestuar, por është djali i Todi Lubonjës që u arrestua. Fatos Lubonja mund të kërkojë aureolën e vet, por nuk ka të drejtë të shpifë për të tjerët. Nuk ka të drejtë të thotë se unë paskam qenë furnizues i Todi Lubonjës me libra të ndaluar. Unë mund të kem dhënë ndonjë libër të ndaluar. Por i biri thotë që i ka dhënë, kur Todi vetë thotë nuk më ka dhënë. Ky është një llum kaq i madh, sa të vjen turp ta bisedosh. Kanë kaluar kaq vite, dhe unë i jam shmangur shpjegimeve sepse më duket kaq vulgare, e ulët. Pashë në shtyp para një jave, një mynxyrë do thosha, të bërë nga ky njeri. E lexova, një studiuese kishte zbuluar një dokument, shpifje e pastër, trillim, mashtrim. Jemi mësuar në shoqërinë tonë shqiptare me shpifjen. Dhe na duken si të kalueshme. Por shpifja është një nga gjërat më të helmëta në këtë botë, vjen pas vrasjes.

Kadare: Todi Lubonjen e kisha mik. Fatos Lubonja armiqesi absurde me mua…

تم نشره بواسطة ‏‎Eni Vasili – Studio e Hapur‎‏ في 15 سبتمبر، 2017

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY