Rama: Refuzimi i hyrjes së Ruçit në SHBA, është një gabim

Rama: Refuzimi i hyrjes së Ruçit në SHBA, është një gabim

178
0
Shares

Kreu i PS, njëherazi kryeministri Edi Rama, ka qenë i ftuar në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës në TV Top Channel. Midis të tjerave ai ka folur edhe për refuzimin e hyrjes së Gramoz Ruçit në SHBA.

Pjesë nga intervista

Sokol Balla: Në perceptimin e përgjithshëm ishte zgjedhja më e mirë vendosja e Ruçit, nuk kishte kandidaturë më të mirë?

Edi Rama: Jo ne, por nëse do të marrim 140 njerëz në sallë e do të thonin se cili është personi më i duhur për të drejtuar këtë Parlament, asnjë palë nuk do të mund të gjente një person më të përshtatshëm sesa deputeti me përvojën më të gjatë në atë Parlament, që kurrë në gjithë karrierën e tij nuk është shquar njëherë për retorikë luftënxitëse, flakëhedhëse, përçarëse dhe të gjitha me radhë. Edhe kur çohej ndonjëherë dhe shkonte në maksimum, “Sali, ajo partia e ime dhe e jotja…”, ky ishte maksimumi. Së treti, është i vetmi deputet që e zotëron në majë të gishtave rregulloren. E patë në momentin e parë të kontestimit për rregulloren sesi dolën bllof pasi Gramozi i orientoi drejt neneve ku duhet të lexonin.

Sokol Balla: Disa veprime të ambasadorit amerikan janë interpretuar si mosdakordësi me zgjedhjen e Ruçit?

Edi Rama: Po si nuk doli një klub mediatik dhe të thotë një të vërtetë të thjeshtë. Gramoz Ruçit i është refuzuar një vizë në vitin 2005 dhe më pak se dy muaj më pas i është dhënë viza për SHBA si i ftuar në kongresin e Partisë Republikane. Ajo ftesë në kongresin e republikanëve që nuk kishte lidhje me Gramozin, ka qenë një shprehje e të vërtetës së thjeshtë se me atë refuzim u bë një gabim. Nuk ka rëndësi, sepse kryetari i Kuvendit do të vizitojë Kongresin amerikan dhe kjo merr fund.

Sokol Balla: Kryetari i Kuvendit duhet të dorëzojë funksionet partiake?

Edi Rama: Duke njohur Gramoz Ruçin di që nuk është njeriu që akumulon mandate.

Sokol Balla: Pra zgjedhja e largon nga roli historik në PS?

Edi Rama: Absolutisht që Gramozi në këndvështrimin tim është nga ato figura që askush nuk i largon përveç vullnetit të tij. Mos u çudisni nëse Gramozi do të jetë akoma aty, ndërsa unë në kurs pikture me Zahon.

Sokol Balla: Kur fliste Monika, çfarë dëgjonit me kufje?

Edi Rama: Po shikoja CNN. Nuk ishte fare akt i qëllimshëm. Debatet i kam ndjekur me vëmendje dhe i kam dëgjuar të gjitha.

Sokol Balla: E përkëdhelët Presidentin Meta, besoni se raporti po shkon drejt normalizimit?

Edi Rama: Unë e kam thënë kur shumëkush mendonte që na priste një kataklizëm dhe kur Iliri mendonte se na priste radha e gjatë për të marrë në telefon Petrit Vasilin, që nuk i druhem fare të ardhmes në aspektin e rolit të Metës, sepse duke e njohur ja di edhe dallgën që e çon në fatkeqësi, ja di edhe sensin e përgjegjshmërisë për të kryer detyrën. Unë besoj që do të jetë si President shumë më i mirë si kryetar Kuvendi, që ka vetëm një meritë që i dha liderit legjendar mundësinë që të flasë në katër vjet, aq sa do t’i ishin dashur me një kryetar Kuvendi si Gramozi për 40 vjet.

Sokol Balla: Cilat ishin kriteret që përzgjodhët ministrat e rinj?

Edi Rama: Ato që kam thënë dhe besoj që jo unë, por çdo kryeministër që përzgjedh një ekip, ka parasysh aftësitë, përvojën, dhuntinë apo edhe kapacitetin për të qenë pjesë e një ekipi. Nga ana tjetër, në mënyrën sesi unë kam konceptuar këtë proces, qeveria është njëra pjesë e ekipit, pjesa tjetër është grupi parlamentar dhe pjesa tjetër është partia, pra skuadra që do të drejtojë gjithë përpjekjet për qëllimin e madh që kemi që t’i japim jetë një koalicioni real me njerëzit. Në fund të shtatorit besoj, do të bëjmë prezantimin e platformës së bashkëqeverisjes, që do të jetë një mekanizëm që do t’i vihet në dispozicion çdo shqiptari që ta përdorë duke patur akses në qeverisje dhe në këtë platformë do të ketë një sërë ndërveprimesh dhe deri në interpelancë të kryeministrit dhe ministrit përkatës me kërkesën e një grupi anëtarësh të këtij koalicioni.

Sokol Balla: Duket pak si populiste, nga ato që fillojnë dhe harrohen…

Edi Rama: Është një sfidë dhe qëllim shumë i madh dhe ne do të bëjmë çmos që ta realizojmë. U lutem njerëzve që të marrin pjesë në këtë proces dhe të na vendosin në provë. Kemi më shumë sesa një muaj që po punojmë për të ngritur gjithë trupën e njerëzve për platformën e qytetarëve, që do të jetë një hapësirë në kohë reale dhe do të përpunohet në kohë reale.

Sokol Balla: Ka lidhje me zotin Tahiri?

Edi Rama: Jo, koordinatori kombëtar për bashkëqeverisjen do të bëjë të gjithë pjesën që lidhet me planin, të regjistrimit dhe përfshirjes së njerëzve në këtë proces. Ne do të angazhohemi të gjithë që t’ua bëjmë njerëzve të qartë se çfarë është dhe çfarë arsyesh ka për t’u bërë anëtarë të këtij koalicioni.

Sokol Balla: Në kryeministri po përqendrohen shumë funksione, edhe tenderët po i merrni ju?

Edi Rama: Këto janë të pavërteta! Në kryeministri ka qëkur është krijuar Kryeministria ka qenë një zyrë ankesash, që është bërë si njëlloj dispeçerie, që ne do të kthejmë në një dispeceri ku nuk është thjeshtë detyra, më erdhi letra, po e çoj atje, po marr përgjigjen, por detyra është merre nga ekrani ankesën dhe ndiqe ankesën deri në fund se kush ka të drejtë dhe përgjegjësia e çdo ankese do të jetë e ministrave. Në të gjitha rastet kur ka konflikt mes kësaj zyre dhe ministrisë, ankesa do t’i shkojë ministrin dhe ministri do të marrë raportin çdo javë. Çdo qytetar në këtë raport do të jetë i kujdesur prej nesh, njësoj sikur ka mikun më të madh në qeveri, se ky është thelbi. Ne duam ta bëjmë qeverinë mikun më të madh të qytetarit. Në të gjitha rastet, kur verifikohet që qytetari ka të drejtë, punonjësi përkatës ikën nga puna menjëherë.

Sokol Balla: Keni krijuar dy superministra, Infrastrukturën dhe Financat…

Edi Rama: Kemi krijuar një mekanizëm më premtues për të bërë punët me shumë më tepër kohezion dhe shpejtësi. Ky është momenti dhe faza që mendoj se ka nevojë për këtë mekanizëm. Në një moment tjetër mekanizmi mund të ndryshojë, nuk flas për këto 4 vjet. Nuk është çështje superministrish, por ulje të një numri shumë të madh ndërveprimesh që thjesht pengojnë dhe vonojnë. Ne po mundohemi të bëjmë një ekip zv/ministrash. Zv/ministrat kanë qenë për qoka dhe të gjithë e kemi përdorur për qoka këto 27 vjet. Ne duam të bëjmë një ekip.

Sokol Balla: Kjo më shumë se zvogëlim, duket thjesht një shkartisje nga pikëpamja sasiore dhe i largoheni premtimit për një administratë më të vogël.

Edi Rama: Ne kemi administratë të vogël dhe kemi numrin më të madh të drejtorive dhe agjencive. Kemi më shumë drejtorë në raport me administratën. Ministritë nuk do të drejtohen më nga një person i vetëm, por nga një skuadër.

Sokol Balla: U penduat apo reflektuat sa i përket Ministrisë për Europën?

Edi Rama: Reflektimi është vyrtyt, nuk është dobësi. Reflektimi ka qenë shumë i thjeshtë; integrimi kalon tek Ministria e Jashtme, emërtimi që kërkohej, Ministria e Jashtme dhe Integrimit ishte banalitet në këndvështrimin tim dhe duke parë disa shembuj shumë të bukur vendosëm për Europën.

Sokol Balla: Keni hequr dorë apo mund ta konsideroni ndarjen e mandatit të deputetit nga ai ministrit?

Edi Rama: Kam hequr dorë sepse kanë ndryshuar kushtet dhe filozofia e qeverisjes është re. Kemi një qasje bazuar në parimin që nuk është thjeshtë qeveria ajo që merr përsipër gjithë barrën për të bërë gjithçka. Këtu jemi në kushtet kur kemi qeverinë, grupin parlamentar dhe partinë dhe ekipin drejtues të partisë si baza e gjithë këtij procesi. Kjo do të thotë që nuk kemi nevojë të bëjmë tërheqjen nga mandatet.

Sokol Balla: Le të themi që është më mirë kështu, pra nuk funksionoi aq mirë katër vitet e shkuara?

Edi Rama: Ajo funksionoi sa funksionoi në atë kontekst, kjo tjetra do ta testojmë.

Sokol Balla: Jo pa tension dhe ankth u kalua ai izolimi juaj në Dhërmi kur bëtë qeverinë. Mendonit që kabineti i respektoi ekuilibrat brenda partisë tuaj?

Edi Rama: Nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë një skuadër selekson që të gëzojë të gjithë rrethin e njerëzve. Nuk ekziston një kryeministër që të bëjë që të gjithë ata që potencialisht mund të jenë pjesë e kabinetit të gëzohen. Fola sot me Taulant Ballën që më çoi mesazh për të konfirmuar një fakt, më tha kryetar a keni patur një ankesë për ndarjen e komisioneve? Jo!”, i thashë. Më tha – a ju kujtohet se ç’kemi hequr katër vite më parë. Unë mendoj se sot është një fakt shumë i thjeshtë, përgjegjësia sepse kemi mundësinë të bëjmë ato që themi dhe nuk mund të themi që s’i bëjmë se dikush tjetër nuk po na lejon.

 

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY