Zbardhet çështja, Fadil Kasemi del para gjykatës

Zbardhet çështja, Fadil Kasemi del para gjykatës

274
0
Shares

Prokuroria për Krime të Rënda ka dorëzuar dje në Gjykatë kërkesën për caktim masë sigurie ndaj shtetasit Fadil Kasemi, i cili u arrestua për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtarja Fildez Hafizi. Prokuroria mësohet se do të kërkojë caktimin e masës “arrest me burg” me akuzën e “vrasjes në rrethana familjare”. Sipas akuzës, pasi ka vrarë ish-gruan, Kasemi i ka dalë përpara me armën në dorë një furgoni, dhe i ka kërkuar ta largonte nga vendi i ngjarjes. “Gjatë udhëtimit shtetasi K. T., ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr. 1 në Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit, shtetasi K. T., e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja

Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar mesditën e djeshme në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim personi”. Nga studimi i materialit hetimor, rezulton se: Më datë 31.08.2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, në kohën që shtetasja Fildez Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga parukeria “S…..” dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, “benz” me targa AA 880 OS. Në këtë kohë është afruar ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të Rrugës Bardhyl, automjetit furgon “benz mercedez”, me targa XXXX, që drejtohej nga shtetasi K. T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hipur brenda në automjet. Gjatë udhëtimit shtetasi K. T., ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr. 1 Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit shtetasi K. T., e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.

I pyetur për faktin e ngjarjes, personi i arrestuar Fadil Kasemi, në praninë e një mbrojtësi kryesisht, pasi është njohur me letrën e të drejtave si person i arrestuar, ai nuk ka pranuar të flasë për faktin dhe rrethanat e ngjarjes. Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda kërkohet: Të caktohet ndaj shtetasit Fadil Kasemi masa e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, të parashikuara nga nenet 79/c, 278/1 dhe 109/1 të Kodit Penal.

Vrasja

Vrasja e gjyqtares Fildez Hafizi duket se ka qenë një krim i paramenduar dhe i planifikuar në detaje nga ish-burri i viktimës, shtetasi Fadil Kasemi. Ky i fundit rezulton se i kishte zënë pritë ish-bashkëshortes, të cilën e ka qëlluar me pistoletë pa shkëmbyer me të asnjë fjalë. Burime nga grupi i hetimit thanë se administrimi i provave në vendin e ngjarjes, pyetja e dëshmitarëve dhe verifikimi i kamerave të sigurisë që kanë filmuar ngjarjen, ka zbardhur dinamikën e krimit të rëndë. Bazuar në këtë dinamikë që ka nisur të ndërtohet tashmë nga grupi hetimor, rezulton e përjashtuar mundësia e vrasjes së gjyqtares si pasojë e një debati të çastit me ish-bashkëshortin.  /Shekulli/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY