LIGJI/ Zyrtarët e korruptuar mund të shpëtojnë po “t’ia fusin shokut”

LIGJI/ Zyrtarët e korruptuar mund të shpëtojnë po “t’ia fusin shokut”

41
0
Shares

Në fund të muajit korrik hyn në fuqi një nga ligjet më të rëndësishme në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, i cili do të jetë baza e veprimtarisë së institucioneve të reja, që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin në nivele të larta.

Bëhet fjalë për paketën e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, e cila përcakton rregulla dhe procedura të reja për dëshmitarët, përgjimet, kontrollin e banesave, hetimin, gjykimin dhe ndëshkimin e korrupsionit elitar, duke parashikuar veprimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme.

Ndryshimet janë miratuar në mars të këtij viti, por ligjvënësit shqiptarë vendosën që procedurat e reja penale të hyjnë në fuqi në datën 1 gusht 2017. Paketa që hyn në fuqi pas katër ditësh ka ndryshuar nenin 37/a të Kodit në fuqi, duke përjashtuar nga dënimi të pandehurin që akuzohet për një krim, nëse ky i fundit rrëfen aferat e kolegëve të tij dhe të gjitha pasuritë me origjinë kriminale në posedim të tij dhe të bashkëpunëtorëve.

Aplikimi i këtij neni, duke përfshirë edhe dëshmitarët anonimë, pritet të hapë një kapitull të ri në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në kushtet kur në krye të kësaj lufte nuk do të jetë më prokuroria aktuale, por Byroja e Hetimit bashkë me Prokurorinë Speciale.

“Në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë, prokurori i kërkon gjykatës uljen e masës së dënimit ose përjashtimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë nga dënimi. Kur marrëveshja lidhet në fazën e ekzekutimit të vendimit, kompetenca për të shqyrtuar kërkesën e prokurorit i përket gjykatës që ka dhënë vendimin.

Ulja e masës së dënimit ose përjashtimi prej tij çmohen në përpjesëtim me kontributin e dhënë nga bashkëpunëtori i drejtësisë për faktet dhe rrethanat që tregohen”, parashikon pika katër e nenit 37/a.

Bashkëpunimi me drejtësinë
Kodi i ri i Procedurës Penale parashikon që i pandehuri që akuzohet për një krim që dënohet në maksimum jo më pak se 7 vjet burgim, të kryer në bashkëpunim ose për një nga veprat penale të parashikuara nga shkronja “a”, e paragrafit 1, të nenit 75/a, të këtij Kodi, mund të fitojë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me prokurorin.

Marrëveshja që përmban kushtet e bashkëpunimit mund të lidhet në çdo gjendje dhe fazë të procedimit, edhe pasi vendimi penal ka marrë formë të prerë dhe është vënë në ekzekutim.

“Marrëveshja nënshkruhet kur i pandehuri dëshmon pa asnjë rezervë apo kusht për të gjitha faktet dhe rrethanat që ka dijeni për shkak të pjesëmarrjes së tij në veprimtarinë kriminale.

Dëshmia e tij duhet të jetë provë vendimtare fajësie, në drejtim të provueshmërisë së fakteve dhe të autorësisë së tyre, si dhe për parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre. I pandehuri, në dëshminë e tij, duhet të identifikojë të gjitha pasuritë me origjinë kriminale në posedim të tij dhe të bashkëpunëtorëve.

Të dhënat e mësipërme duhet të jepen brenda 30 ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes”, thuhet në nenin 37-a të ligjit. Po ashtu, bashkëpunëtori i drejtësisë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje të posaçme për vete dhe për familjen e tij, sipas legjislacionit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Veprat penale 
Në paragrafin e parë të nenit 75/a, përfshihen veprat penale: Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsioni aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike etj.

Pra, ndryshimi synon të stimulojë të akuzuarit për korrupsionin aktiv dhe pasiv, për të dëshmuar rreth rolit të bashkëpunëtorëve të tyre në praktikat korruptive. Në kodin në fuqi, bashkëpunimi ishte kufizuar vetëm për vepra të rënda, duke përjashtuar veprën penale të korrupsionit. Zbatimi i Kodit të ri vjen disa ditë pas raportit të DASH, i cili kërkon ndëshkimin e korrupsionit në nivele të reja.

Parashikimi
Paketa që hyn në fuqi pas katër ditësh ka ndryshuar nenin 37/a të Kodit në fuqi, duke përjashtuar nga dënimi të pandehurin, nëse ky i fundit rrëfen aferat e kolegëve të tij dhe të gjitha pasuritë me origjinë kriminale në posedim të tij dhe të bashkëpunëtorëve.

Rrëfimi
I pandehuri mund të rrëfehet për veprat penale: Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsioni aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike etj.

Veprat penale të cilat mund të dëshmojë i pandehuri
Neni 245
-Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 245/1
-Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për veten e tij ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

Bien afatet kohore, hetim krimeve shtetërore që nga ’91
Bien kufizimet kohore sa i takon hetimit dhe gjykimit të veprimtarive të paligjshme të pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve në Shqipëri.

Institucionet e reja anti-korrupsion, konkretisht Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme, mund të hetojnë rolin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve më të lartë në Shqipëri që nga rënia e regjimit komunist. Kështu parashikojnë ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të cilat janë sanksionuar në Kushtetutën e ndryshuar në mesin e viti 2016.

Sipas parashikimeve të terja, presidenti dhe ish-presidentët, kryeministri dhe ish-kryeministrat, ministri dhe ish-ministrat, deputeti dhe ish-deputetit, drejtues të institucioneve dhe ish-drejtues të institucioneve, mund të hetohen nga Byroja Kombëtare e Hetimit për të gjitha veprimet e paligjshme gjatë 27 viteve të fundit.

Neni 48 i Kodit të ri të Procedurës Penale, që ndryshon nenin 75/a në fuqi, parashikon që kompetencat e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj si dhe akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.

Ngjarjet që mund të hetohen
Referuar veprave penale në kompetencë të institucioneve të reja anti-korrupsion janë disa ngjarje të rënda, të cilat kanë shënjuar trajektoren e pluralizmit shqiptar, që mund të hetohen apo rihetohen, për t’u referuar më pas në Gjykatën Speciale. Paketa e veprave penale përfshin ngjarjet e ’97, grushtin e shtetit të 14 Shtatorit 1998, shpërthimin vdekjeprurës në Gërdec, vrasjet e 21 Janarit, skandalin me Rrugën Durrës-Kukës, tentativën për t’i falur detin Greqisë etj.

Për të gjitha këto ngjarje, protagonistët kryesorë ose nuk janë përjashtuar nga hetimet e prokurorisë ose i kanë shpëtuar drejtësisë me procedurë, siç ishte rasti me skandalin me Rrugën Durrës-Kukës apo me Gërdecin. Në objektin e institucioneve të reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të reja përfshihen rreth 40 vepra penale, të cilat përfshijnë edhe ngjarjet në fjalë.

Përgjimet
Kodi i ri parashikon që me kërkesën e prokurorit, gjykata autorizon përgjimin me vendim të arsyetuar, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur në ngarkim të personit ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se ka kryer një vepër penale.

Në vendimin e gjykatës për përgjimin e fshehtë, fotografik ose me video, ose për përgjimin e bisedave në vende private mund të autorizohet oficeri i policisë gjyqësore ose specialisti i kualifikuar për të hyrë në këto vende, në mënyrë të fshehtë, duke vepruar në përputhje me vendimin. Ky autorizim duhet të zbatohet brenda 15 ditëve. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

Përgjimet parandaluese
Bazuar në ligjin e ndryshuar për përgjimet, nuk do të ketë asnjë kufizim për përgjimet parandaluese.

Në çdo ambient që do të frekuentohet nga zyrtarët e dyshuar për korrupsion dhe njerëzit e krimit, duke përfshirë zyrën, lokalet e preferuara, shëtitjet, dhomat e banesës, makinën etj., do të vendosen pajisje përgjimi dhe kamera të fshehta survejimi.

Përgjimi i bisedave telefonike dhe bashkëbisedimeve në ambiente private dhe publike të të dyshuarve për praktika korruptive apo për çdo vepër tjetër penale, në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe të Gjykatës Speciale, do të mundësohet nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Në kuadër të luftës antikorrupsion, ligji zgjeron objektin e përgjimit, duke përfshirë sinjalet, shkrimet, fotografitë, të dhënat audio-vizuale dhe çdo lloji tjetër informacioni të marrë ose transmetuar nëpërmjet pajisjeve të komunikimit elektronik, sjelljet, veprimet dhe bisedat e kryera në vendet private dhe publike. Ligji zgjeron edhe kuptimin e termit ‘përgjim’, duke përfshirë jo vetëm regjistrimin e bisedave, por edhe videot e survejimit të fshehtë, të mjediseve private dhe publike si dhe dëgjimin e regjistrimit të fshehtë të bisedave në mjediset private dhe publike.

Sa i takon ambienteve private, ligjit u jep të drejtë hetuesve të Byrosë Kombëtare të kërkojnë vendosjen e pajisjeve të përgjimi, sipas mundësive, në çdo ambient, madje edhe në dhomat e gjumit, në funksion të efikasitetit të hetimeve. Vendosja e pajisjeve do të mundësohet nga punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror, me anë të metodave dhe praktikave të tyre. Shqiptarja.Com

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY