INTERVISTA/ Nusja e djalit të Vehbi Alimuçës: Artan Alimuçën e ka dënuar...

INTERVISTA/ Nusja e djalit të Vehbi Alimuçës: Artan Alimuçën e ka dënuar vet babai i tij

440
0
Shares

“Artan Alimuçën e ka dënuar vet babai i tij, Vehbi Alimuça”.
Ky është pohimi i fortë i gruas së Artan Alimuçës për vjehrrin e saj. Në një intervistë eskluzive për gazetën “Shqiptarja.com” dhe, gruaja e Artan Alimuçës thotë se burri i saj nuk ka dashur të jetojë me turpin e emirit të babait të tij që vodhi paratë e shqiptarëve dhe se ai ka dahsur të bashkëpunojë gjithmonë me drejtësinë për kthimin e parave (647 mijë euro të firmave piramidale) që u çuan në Hungari nga Vehbi Alimuça dhe Vefa Holding.
Në rrëfimin e saj, S. Alimuça kërkon të mos identifikohet, pasi thotë se në Shqipëri, “nëse je nusja e Vehbi Alimuçës atëherë humbet edhe punën”.

Pak ditë më parë Gjykata e Apelit ka dënuar Artan Alimuçën me 4 vite burg. A mund të më thoni përse është dënuar burri juaj?
Burri im është dënuar për pastrim parash, për një llogari bankare, e cila ishte hapur më 1996, pasi burri im ishte thirrur nga babai i tij, mesa e mban mend se kanë kaluar shumë vite, bashkë me të vëllanë Edmond Alimuçaj. Por llogaria ishte bosh, thjesht ishte një çelje llogarie, në momentin kur më 1996 Vehbi Alimuçaj ka pasur aktivitet në Hungari me VEFA Holding, një anije që është marrë nga shteti, disa aktivitete. Tek ajo llogari nuk ka futur kurrë lekë burri im, nuk ka bërë asnjë lëvizje në llogari, e cila provohet edhe nga dokumenti që ka marrë nga Prokuroria dhe janë bërë vetëm disa lëvizje nga VEFA Holding për pagimin e disa faturave. Llogaria bankare në Hungari është hapur nga Vehbi Alimuça, dhe Artani vetëm ka firmosu çeljen e saj, në një moment kur s’kishtë asnjë lek në llogari.

Pra burri juaj nuk i ka depozituar këto lekë në llogari?
Jo, nuk i ka depozituar as nuk i ka lëvizur.

Kush i ka depozituar atëherë 647 mijë euro?
Atë nuk mund ta dimë neve, por sigurisht që janë lekët e Vehbiut sepse babai është Vehbiu.

Artan Alimuça, nuk ka shkuar asnjëherë për t’i tërhequr? Nuk ka bërë asnjë veprim?
Jo, kurrë, kurrë. As nuk kishte dijeni për këto lekë.

Po përse e ka dënuar atëherë Gjykata, sipas jush?
Sipas meje, e kanë dënuar në mënyrë të gabuar sepse ata thonë që kishte dijeni që më 1996 babai i tij kishte një aktivitet kriminal, në bazë të akuzës për mashtrim (të piramidave). Kjo është gabuar se më 1996 akoma nuk ishte dënuar Vehbi Alimuçaj dhe djali, në moshën 19 vjeç nuk mund ta dinte këtë. Nuk e dinte ende shteti shqiptar që Vehbi Alimuçaj bënte diçka të paligjshme. Kjo është shumë e qartë për gjithë Shqipërinë e për të gjithë shqiptarët. Punonte akoma VEFA Holding më 1996. Akuza është ngritur më 1997-1998 edhe në qoftë se do të marrim prezumimin e pafajësisë, Vehbi Alimuçaj deri në momentin që u dënua nga gjykatat, ishte i pafajshëm. Edhe për djalin edhe për të gjithë njerëzit. Dhe vendimi përfundimtar ka dalë në vitin 2002, vendim i cili është rrëzuar nga Gjykata e Strasburgut sepse Vehbi Alimuçaj u dënua me 20 vjet burg, në bazë të një ligji që doli më vonë dhe ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Kjo është e paligjshme. Për më tepër, Prokuroria më 2012 e ka pushuar çështjen, pasi kishte ardhur burri im, kishte dëshmuar, kishte thënë që “unë nuk kam dijeni për këto lekë, por jam i gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë, prandaj erdhëm këtu”. Nuk jemi fshehur kurrë dhe ka kërkuar bashkëpunim.

Çfarë bashkëpunimi?
Me drejtësinë, që të rikthejë lekët. Dhe donte të sigurohej që shteti do t’i merrte ato lekë dhe do t’i rikthente me gjithë dashamirësinë, se burri im është shumë njeri i mirë dhe nuk donte kurrë që të kishte atë njollën e emrit të babait, si edhe djali i tij ose unë nuk duam të na persekutojë ky mallkim.

A ka pranuar shteti që Artani të kthejë paratë?
Nuk na është përgjigjur asnjë. Administratorët e VEFA Holding e kanë pranuar dhe i kanë bërë një letër Ministrisë së Drejtësisë që Artan Alimuçaj është paraqitur me vullnetin e tij të lirë e të plotë që të kthejë lekët në Shqipëri. Nuk është marrë parasysh nga asnjë gjykatë. Edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë kemi kërkuar bashkëpunim. Jemi të gatshëm edhe në Gjykatën e Apelit dhe do të vazhdojmë edhe në Gjykatën e Shkallës së Lartë. Nuk është marrë parasysh asnjë fakt, asnjë ligj asgjë. Edhe pse Prokuroria e kishte pushuar çështjen më 2012, mbi faktin që nuk kishte një fakt që Artan Alimuçaj kishte kryer një vepër kriminale dhe në qoftë se ekzistonte fakti, që nuk ekziston, ishte parashkruar sepse prokurori dhe gjykata duhet të shkojnë sipas ligjit, kështu që më 1996 ose më 1998 që quhet një tentativë që ishte falsifikim, nuk ekzistonte ligji për pastrim parash. Dhe një njeri nuk mund të bëjë një veprim të paligjshëm kur nuk ekziston ligji. Kështu që prapë është parashkruar. Tani të flasim me logjikën njerëzore. Ato lekë deri më 2010 kur ishte e hapur kjo çështje, ishin në Hungari, siç e kemi parë ne në dosjen e Prokurorisë. Llogaria është hapur më 1996, domethënë para 20 vitesh. Përse të mos shkojë burri im t’i tërheqë ato lekë dhe mbaroi muhabeti.

Burri juaj s’kishte bërë asnjë veprim?
Asnjë, as nuk kishte dijeni për ato lekë.

Në momentin që mori dijeni dhe ishte i gatshëm për t’ja kthyer shtetit?
Erdhëm këtu dhe kërkuam që të kthehen lekët te shteti. Në qoftë se kishte mundësi ta ndihmonte shtetin sepse Ministria e Drejtësisë e Hungarisë nuk e pranonte kthimin e lekëve. Duhej ta bënte një gjykatë dhe ka një shkresë që thotë: “Unë pranoj që juve thoni se Vehbi Alimuçaj”, se e gjithë historia bëhet për Vehbi Alimuçajn, nuk bëhet për Artan Alimuçajn, edhe në shtetin hungarez. Në qoftë se e marrim me ligj, të gjitha autoritetet shqiptare kanë thënë: “Vehbi Alimuçaj është dënuar për një vepër penale”. Ato nuk mund të thonë që Artan Alimuçaj ka qenë i dënuar për një vepër penale. Por nga ana tjetër, në qoftë se ato lekë nuk ishin të Vehbiut, atëherë ku i gjeti burri im? Por edhe tani nuk akuzohet burri im se ishin lekët e tij të pastruara nga një krim. Ata thonë që janë lekët e Vehbiut. Edhe Vehbiu vetë ka thënë që “janë lekët e mia”. Dhe unë nuk e pranoj akuzën. Janë lekët e mia, mbaroi muhabeti. Por Vehbi Alimuçaj, kur është pyetur në Prokurori, për ato lekë në llogarinë që është në emrin e djalit, ka thënë “unë nuk di gjë për ato lekë”.

Po me Vehbi Alimuçën për këtë çështje, çfarë marrëdhëniesh keni pasur?
Nuk i kemi mirë marrëdhëniet me Vehbi Alimuçajn.

Për ç’arsye?
Sepse djali donte t’i kthente lekët, si edhe unë, te shteti dhe Vehbi Alimuçaj thoshte “jo”.

Domethënë keni pasur konflikt për këtë çështje?
Po, kemi pasur konflikt.

Çfarë ka thënë Vehbi Alimuçaj për këto lekë?
Vehbi Alimuçaj ka thënë që “në qoftë se juve do shkoni të bashkëpunoni me shtetin, atëherë nuk je më djali im”. Edhe Tani ka thënë: “Kjo është jeta jote, ajo është jeta ime. Unë nuk jam përfshirë kurrë në aktivitetet e tua. Nuk dua të kem njollën e një krimi”. Edhe pse Vehbiu ndoshta është i pafajshëm se Gjykata Evropiane ia ka dhënë pak a shumë të drejtën, por në këtë moment ndodhemi përpara një çështjeje penale që ato lekë nuk janë të Tanit, nuk janë tonat edhe kemi dëshirën e plotë që të kthehen te shteti.

Jeni të gatshëm që t’i ktheni edhe sot lekët?
Po, patjetër. Jemi të gatshëm që në vitin 2010, kur morëm dijeni.

Por Vehbi Alimuça nuk është dakord…
Jo, nuk ishte dakord. Dhe në fakt këtë e ka kërkuar edhe në gjykatë.

Po sot, keni komunikim me familjen e Vehbi Alimuçës?
Jo, jo, fare.

Pikërisht për këtë fakt?
Pikërisht për këtë fakt.

Që të mos ktheheshin lekët te shteti?
Po, po.

A mund të na thoni se ku është sot çështja e Artanit?
Tani Artani është nën arrest dhe kemi çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë ku kam kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, ndërkohë që do të bëjmë rekurs se nuk e kam akoma vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit, se Gjykata e Apelit kur e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë duhet të na argumentojë pse.

Ju do të apeloni në Gjykatën e Lartë?
Patjetër, deri në Strasburg. Kam shkuar në Ministrinë e Drejtësisë të kërkoj pse nuk e kanë pranuar bashkëpunimin, pse njolloset emri i burrit tim në këtë moment, në momentin që burri im ka vite që e kërkon ndihmën e shtetit për të marrë ato lekë dhe të dalë i pastër para njerëzve. Dakord ato lekë janë të babait dhe djali që nuk ka dijeni për ato lekë po ofron ndihmën e tij që shteti t’i marrë ato lekë dhe t’ia japë atyre njerëzve që janë dëmtuar.

Në fakt, ju jeni njohur shpejt me Artanin. Gjatë kësaj periudhe ka pasur Artani komunikime me babanë e tij?
Po, kemi pasur. Kam pasur unë sepse e përfaqësoja në Gjykatën e Strasburgut.

Për çështjen e kthimit të lekëve, ai ke qenë gjithnjë kundër?
Po, që në fillim. Sepse edhe Vehbiu thoshte kur e pyesja që nuk e kujtonte. Edhe mund sepse ka qenë 12 vjet në burg. Por ajo është çështje e Vehbiut. Edhe prokurori ka bërë një gabim. Nuk i ka ndarë çështjet. Unë kam kërkuar ndarjen e çështjeve. Në pretencën e tij i ka vënë të dyja çështjet bashkë. Jo, është gabim. Janë dy çështje të ndryshme. Janë dy çështje me të dhëna të ndryshme. Te Vehbiu ekzistojnë faktet për Tanin, i ka vënë të dyja.

Ju ia keni paraqitur gjykatës të dhënat?
Të gjitha. Gjykata e ka dosjen e Prokurorisë.

Nuk i ka marrë parasysh këto të dhëna?
Jo, fare. Ka thënë që Artan Alimuçaj ishte i biri i babait. Kështu që pasi është provuar që Vehbi Alimuçaj që më 1994 bënte një aktivitet kriminal edhe i biri e dinte. Kjo është absurde për mua. Është shumë absurde për çdo njeri me logjikë të thjeshtë. Në qoftë se unë në këtë moment po bëj një aktivitet të paligjshëm, nuk do të thotë që djali im e di. Edhe në qoftë se unë do të shkoj t’i them djalit tim “më firmos një llogari bankare bosh për studimet e tua”, ai nuk mund ta imagjinojë që pas 20 vjetësh do të akuzohet për pastrim parash.

Po Artani ka folur me Vehbiun për këtë çështje?
Kemi folur me Vehbiun bashkë. Kemi folur unë, djali im prezent dhe Tani.

Deri në çfarë periudhe e keni ruajtur komunikimin?
Para një viti, një viti e gjysmë. Hera e fundit ishte kur kishte datëlindjen djali im, që ka ardhur ta urojë dhe disa mesazhe që i ka dërguar Tanit para gjykatës. Tani nuk i ka kthyer kurrë përgjigje.

Çfarë shkruhej në ato mesazhe?
Sukses. Në qoftë se Vehbiu mendonte se Tani po shkonte për provime…

Që prej një viti Artani nuk ka folur me Vehbiun për këtë çështje?
Jo, për këtë çështje edhe për gjëra të tjera familjare, sepse nuk i kam unë lidhjet e mira.

I keni shkëputur marrëdhëniet?
I kam shkëputur fare. As djali im nuk ka më lidhje me këtë familje. Nuk na duan. Nuk jemi të mirëpritur në këtë familje, as unë as djali im. Unë me Vehbiun kam pasur lidhje shumë të mira. E kam pasur vërtet si babanë tim sepse unë e kam njohur Vehbi Alimuçajn në burg dhe kam jetuar të gjithë vuajtjen e tij në burg. E respektoja sepse ishte babai i burrit tim. I kam qëndruar pranë si çdo njeri i familjes sepse ishte më i madh në moshë se unë, i sëmurë, dhe mbi të gjitha ishte babai i burrit tim.

Po pas vendimit që ka dhënë gjykata për dënimin e Artanit, a ju ka kontaktuar njeri nga familja e Vehbiut?
Po, ka kontaktuar Vehbiu. Më kanë akuzuar mua për ato qe kemi thënë në gjykatë, sikur unë ia hodha Vehbiut edhe vëllait. Unë kam thënë dhe mbroj vetëm të vërtetën. Iu luta Vehbiut që të dilte në publik dhe të thoshte që me të vërtetë nuk i kujtohej ajo llogari sepse kishte qenë në burg për shumë vite. Meqë ato lekë ishin, t’ua jepte, burgun e kishte bërë, por të tregohej i gatshëm për çdo gjë. Mua më jepte të drejtë në atë moment, por persona të tjerë të shumtë që ishin rreth tij e këshillonin ndryshe. Dhe vjehrra më tha që të mos mërzitesha se Tani ishte i ri, edhe po të shkonte në burg do bënte stërvitje. Unë u acarova shumë sepse Tani ishte burri im dhe kishim një fëmijë të vogël. Unë s’mund ta duroja këtë sepse Tanin e doja dhe ai ishte familja ime.

Pra bisedën e fundit me familjen e Vehbiut e keni mbyllur me konflikt?
Po, e kemi mbyllur shumë keq.

Menjëherë më pas e arrestuan Artanin?
Arrestimi u bë kështu. Në momentin që ishim në Gjykatën e Apelit dhe u dha vendimi që mbetej në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, aty ishte edhe Artani që kishte marrë edhe ai leje nga puna sepse ai punon këtu në një fabrikë. Kishim shpresa që do të vazhdonim me dëshmitarët dhe me faktet e reja që kishim nga shteti në Ministrinë e Drejtësisë. Kurse gjykata nuk na la fare hapësirë. Ka dëgjuar vetëm deklaratat e avokatit dhe e mbylli çështjen me lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Pyeta se çfarë duhej të bëja dhe gjyqtarët më thanë që duhej të bëja një rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve. Dhe ikëm. Erdhëm në shtëpi. Duke biseduar me Tanin thamë që do të shkonim të bënim kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit që është në mënyrë ligjore sepse nuk përbën rrezikshmëri, nuk është i dënuar më parë, kryefamiljar, ka një fëmijë të vogël, unë jam vetëm nuk kam familje këtu. Dhe në këto kushte familjare mund të kërkohet diçka e tillë. Në fakt Gjykata e Apelit mund ta kishte marrë parasysh këtë, nëse nuk donte t’i jepte pafajësinë që ishte vendimi më i drejtë. Të vendoste sipas nenit 59 me shërbim prove pasi nuk kemi të bëjmë me një kriminel, por kemi të bëjmë me një njeri familjar.

Policia erdhi direkt?
Kam shkuar me Tanin në gjykatë për të marrë datën e gjykimit sepse nuk kishte dalë akoma. Morëm leje nga puna, shkuam te gjykata dhe do të ktheheshim në punë. Djalin e kisha lënë vetëm në shtëpi, pa asnjë njeri sepse nuk kam ndihmë tjetër. Numrin e telefonit tim ua kishin lënë njerëzve në lagje dhe i kisha porositur se nëse do të vinte dikush që të kërkonte Tanin, të më telefononin sepse do të ishim te gjykata. Ndërkohë që unë me Tanin po ktheheshim për në shtëpi blemë bukë te furra, na telefonuan administratorët e pallatit dhe na njoftuan se kishte ardhur policia për të marrë Artanin. Erdhëm, ata po na prisnin. Ishin njerëz shumë të sjellshëm. Ishin civilë. U kërkova pak kohë sa të zbrisja djalin që të përshëndetej me babanë. Ata pranuan pa hezitim. Madje u ulën në një kafene që djali mos të shikonte skena të tilla. Nuk kishte arsye përse sepse edhe ata vetë e dinin që Artani nuk është kriminel. Ne jemi njerëz në radhë të parë, përveçse jemi pjesëtarë të familjes së Vehbi Alimuçës. Asnjë s’e ka kuptuar këtë, përveç njerëzve që na njohin. Por ne kemi jetuar gjithnjë me atë që jemi pjesëtarë të familjes së Vehbi Alimuçës. Unë nuk e kam jetuar kohën e Enver Hoxhës në Shqipëri.

Është e vështirë të jesh pjesë e familjes së Vehbi Alimuçës?
Po, është shumë i vështirë. Unë personalisht, por edhe Artani edhe djali im jemi ndjerë të persekutuar nga opinionin. Unë kam humbur punën time në një moment, sepse isha nuse e Vehbi Alimuçës. Djali im ka pasur probleme sepse është nipi i Vehbi Alimuçës. Dhe fakti që e gjithë Shqipëria thotë që kemi lekë nuk është i vërtetë. Unë flas për veten time, për Tanin dhe për djalin. Ne punojmë me rrogë minimale, jemi në shtëpi me qira. Na njohin shumë njerëz këtu që prej 6 vitesh. Shtëpinë e kam të hapur dhe kushtet e jetesës janë shumë të vështira. Jetojmë vetëm punë-shtëpi e shtëpi-punë. Për shpenzimet e djalit më ndihmon familja ime nga jashtë. Jetojmë në kushte varfërie. Na njohin shumë veta. Kam dëshmitarë të shumtë për këtë.

Sa besim ke që gjykata do të marrë një vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit?
Kam shkuar në Ministrinë e Drejtësisë, kam shkuar deri në KLD, do të shkoj deri në Gjykatën Evropiane, por pasi të mbaroj punë me Gjykatën e Lartë në mënyrë që unë të kem mundësinë që të shkoj në Gjykatën Evropiane. Unë kam kontaktuar që tani me Gjykatën Evropiane për të marrë informacionin e duhur se si mund të kërkoj ndihmën e saj për burrin tim të pafajshëm. Vërtet që është vetëm opinioni publik që e ka dënuar burrin tim vetëm për fatin që është djali i Vehbi Alimuçës. Dhe për mua e ka dënuar vetë babai i tij, jo vetëm gjykata.

Pse e ka dënuar babai?
Sepse e dinë të gjithë që kjo llogari, edhe vetë gjykata e ka thënë, që janë lekët e Vehbiut. Në këtë moment, babai i Tanit, duhet të pranonte para gjykatave e Prokurorisë që ato lekë ishin të tijat, që djali i tij nuk kishte lidhje me ato lekë dhe të shmangte këtë që djali i tij po jeton tani. Tani është shumë i lodhur, është sëmurë një herë, ka kaluar një depresion.
Nuk kemi ikur kurrë. Tani ka qenë prezent në të gjitha thirrjet e Prokurorisë. Në të gjitha kemi shkuar vetë, kemi kërkuar vetë. Nuk jemi fshehur. Nuk kemi qenë në kërkim. Është e gabuar kjo sepse Tani gjykohej në gjendje të lirë. Është hetuar në gjendje të lirë. Janë fakte që e provojnë këtë sepse ne punonim me rroga minimale, jetojmë në shtëpi me qira. Kaq. Në qoftë se do të ishim aq të pasur, për mendimin  tim, nuk do të ishim fare këtu, si shumë të tjerë. Dhe nuk do të kishim përse të përballeshim me këto gjëra të këqija. Nga ana tjetër, më kanë thënë shumë njerëz që të gjithë duan lekë. Unë s’kam lekë. Unë kam ardhur të përballem me drejtësinë shqiptare me anën e ligjit, me faktet. Po kështu edhe Tani. Prandaj dhe nuk do të pushoj. Edhe në qoftë se Tani do të shkojë në burg, edhe në qoftë se Gjykata e Lartë nuk do të marrë parasysh faktet dhe ligjet, unë do të vazhdoj në Gjykatën Evropiane. Dhe këtë do ta bëj sepse djali im nuk ka përse të persekutohet siç po persekutohet burri im për shkak të emrit të babait. Dua që djali im të jetojë me kokën lart. Sepse nuk është e drejtë që nëse babai i Tanit ka bërë diçka që ka prekur Shqipërinë, gjë të cilën nuk e dimë me siguri fajësinë e Vehbiut, sepse thashë dhe më lart që Gjykata Evropiane nuk është shprehur që është fajtor – ekziston vendimi i Gjykatës Evropiane – kështu që unë kam përse t’i lë djalit tim pasojat e asaj historie. Viti 1997 ka prekur shumë njerëz. Personalisht mua dhe Tanit na vjen shumë keq që ndodhi kjo. Nuk duam të ndjehemi të mallkuar ne dhe djali ynë sepse nuk jemi ne përgjegjësit për atë histori. Për mua, Vehbiu duhej të kishte mbrojtur djalin e vet. Duhej të kishte thënë të vërtetën, jo ta mbronte kot. Ai ka gënjyer. Nuk mund të thotë Vehbi Alimuçaj në momentin që hap një llogari bankare me të gjitha të drejtat e barabarta, në emër të burrit tim dhe vëllait i cili edhe ai s’kishte dijeni, dhe të akuzohet për këtë burri im.

Edhe vëllai i burrit tuaj e kishte emrin në atë llogari?
Po.

Dhe nuk është hetuar?
Jo.

Pse, sipas jush?
Nuk mund ta di. Nuk jam unë Prokuroria.

Domethënë llogaria është në emër të Artan Alimuçaj si emër i parë dhe si emër i dytë?
Të dy emrat që kishin të drejtat veç e veç ose të barabarta, që provohet nga letra e bankës, janë Vehbi Alimuçaj dhe Edmond Alimuçaj.

Dhe për këtë llogari po dënohet vetëm Artan Alimuçaj?
Po.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY