ZBARDHET VENDIMI / Ja pse refuzoi Gjykata e Lartë sekuestron e pasurisë...

ZBARDHET VENDIMI / Ja pse refuzoi Gjykata e Lartë sekuestron e pasurisë së Alfred Pezës

92
0
Shares

Gjykata e Lartë zbardh arsyet pse refuzoi të vendoste në sekuestro preventive aksionet në pronësi të bashkëshortes së ish-deputetit Alfred Peza në një bankë të nivelit të dytë në vend.
Bëhet fjalë për aksione në masën 1 për qind, të barabartë me vlerën 113 milionë lekë të rinj. Sekuestroja u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme për llogari të hetimit të nisur ndaj bashkëshortit të Mirela Ndinit, ish-deputetit Peza, aktualisht i pandehur, për akuzat e “fshehjes së të ardhurave”, “pastrimit të parave” dhe “mosdeklarimit të pasurisë”.
Në vendimin e shpallur më 11 maj 2017, të përbërë nga 17 faqe në total, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, Kolegji Penal i kryesuar nga Edmond Islamaj vlerëson se kërkesa e Prokurorisë duhet rrëzuar për shkak se nuk është e mbështetur në prova dhe në ligj.
Verdikti i Gjykatës së Lartë ishte i ndryshëm nga ai i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, që më 18 prill pranoi kërkesën për sekuestro preventive, kërkesë e bërë në kuadër të ligjit “Antimafia”.

Argumentet
Pasi ka shqyrtuar pretendimet e palëve, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vlerësuar se Prokuroria e Përgjithshme i ka paraqitur dyshimet e saj në rrugë abstrakte, të papërligjura me prova dhe fakte konkrete për të krijuar një dyshim të arsyeshëm se ish-deputeti mund të ketë konsumuar elementë të veprave penale për të cilat dyshohej.
Në lidhje me dyshimin për akuzën e “fshehjes së të ardhurave”, Kolegji Penal arsyetonte: “Kolegji Penal, në mungesë të provave konkretizuese, nuk mund ta cilësojë të përligjur kërkesën për vënien e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi vlerën e aksioneve që kanë shërbyer për blerjen e kapitalit të një shoqërie aksionere, pasi nuk është i bindur se vlera e këtyre aksioneve ka ardhur nga para që të mund të cilësohen si fryt i një veprimtarie kriminale të dyshuar, as edhe një begatim pa shkak, që rrjedh për shkak të vlerës së pasurisë në raport me vlerën e detyrimit tatimor të supozuar si të fshehur”.
Për akuzën e “mosdeklarimit të pasurisë”, Prokuroria e Përgjithshme i është referuar dyshimit të ngritur në mospërputhjen e vlerës së apartamentit të bashkëshortëve në bulevardin “Gjergj Fishta”, të cilin Ndini e ka deklaruara 10 milionë lekë, ndërsa Peza 110 mijë euro.
“Pavarësisht mospërputhjes së vlerës së apartamentit, organi i akuzës nuk ka argumentuar nëse të dy vlerat nga vlerat e deklaruara nuk kanë qenë të sakta, apo cila nga këto vlera nuk është e saktë, dhe sidomos elementin e lidhjes së kësaj vlere që i referohet një sendi të paluajtshëm me vlerën e aksioneve send i luajtshëm që kërkohet të vihet nën masën pasurore të sekuestros preventive”, theksonte Kolegji Penal.
I pabazuar është konsideruar nga Gjykata e Lartë edhe pretendimi për sekuestro për shkak të dyshimit të ngritur për akuzën e “pastrimit të parave”.
“Ky Kolegj vlerëson se indiciet e paraqitura nga ana e organit të akuzës nuk arritën të kalojnë pragun e dyshimeve të arsyeshme, dhe në këto kushte, në mungesë të një vepre penale bazë që shërben për konfigurimin e veprës penale të ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’, nuk kemi të bëjmë me një vepër penale për të cilën mund të pretendohet vënia e masës pasurore të sekuestros preventive”, arsyetonte Kolegji Penal.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY