ZGJEDHJET E 25 QERSHORIT/ Ja masat që ndërmerr policia

ZGJEDHJET E 25 QERSHORIT/ Ja masat që ndërmerr policia

71
0
Shares

Altin Qato, Drejtor i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike ka njoftuar sot “Masat e Policisë së Shtetit për zgjedhjet e datës 25 Qershor 2017”.
Në një dekaratë për mediat, ai njofton masat e marra, bashkëpunimin me OSBE/ODHIR dhe çfarë i ka kërkuar Task Forcës lidhur me zhvillimet e fundit që po shoqërojnë fushatën zgjedhore.

DEKLARATA E PLOTË

Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, sepse mbeten vetëm disa ditë që ajo të përfundojë, prandaj nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë po ndiqen me kujdes masat e planifikuara sipas fazave për sigurimin e rendit publik.
E kjo jo vetëm për mbarëvajtjen e çdo aktiviteti elektoral të subjekteve politike edhe këto katër ditë në vijim, por edhe për ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.
Puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për përgatitjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve ka filluar që në muajin Shkurt 2017, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në procesin zgjedhor, detyra të cilat vazhdimisht janë përditësuar.
Në zbatim të Programit janë përgatitur Urdhra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; plane masash dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe detyrat për procesin zgjedhor.
Punën tonë e kemi filluar me trajnimin e 7.040 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.
Për sigurimin e 5.362 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet paraprake të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj. Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar:
1. Listën me 5851 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.
2. Listën me 276 automjete civile që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë. Përveç punonjësve të Policisë në Drejtoritë Vendore, nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë dhe Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit do të dërgohen 1356 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor; do të vihen në dispozicion 65 automjete.
Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Mbrojtjes, Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 93 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat ‘Komando’.
Rreth 270 punonjës të Policisë të objekteve do të lirohen nga detyra për sigurimin e tyre dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor. Në bashkëpunim me Gardën e Republikës kemi hartuar dhe po ndjekim me kujdes Planin e Bashkëveprimit, për marrjen e masave të sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore.
Është siguruar rrugëkalimi për lëvizjet e tyre dhe nuk kemi patur asnjë shqetësim në këtë drejtim.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit, nga data 26 maj – 18 qershor, është përballuar një ngarkesë pune për mbarëvajtjen e rreth 2.049 aktiviteteve elektorale, duke aktivizuar 9.443 punonjës policie me 19.600 orë shërbimi, 1.836 automjete dhe nuk kemi patur asnjë incident gjatë këtyre aktiviteteve.
Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen 14 vepra penale, ngjarje të dyshuara si vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Konkretisht:
1. sipas nenit 325 të Kodit Penal “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, 6 vepra penale;
2. sipas nenit 328 të Kodit Penal “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, 3 vepra penale;
3. sipas nenit 329 të Kodit Penal “Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, 5 vepra penale.
Në këto ngjarje janë përfshirë 24 autorë, 4 prej tyre janë arrestuar, 16 ndiqen në gjendje të lirë dhe 4 persona janë shpallur në kërkim. Shqetësim kemi patur raste të vendosjes së materialeve propagandistike nga subjekte të ndryshme elektorale, në kundërshtim me Ligjin Nr.90/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8580 datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimin e KQZ Nr. 1 datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propogandistike dhe vendet e afishimit të tyre gjatë fushatës zgjedhore”.
Për këtë, i kemi kërkuar TASK FORCËS në Kryeministri që pushteti vendor të luajë rolin e vet në ndjekjen e këtij problemi. Policia e Shtetit është e gatshme për ushtrimin e përgjegjësive të saj edhe në këtë drejtim, për realizimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së organeve të qeverisjes vendore për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore.
Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të OSCE/ODIHR, të cilat monitorojnë zgjedhjet, ka qenë permanent. Me Prezencën e OSCE në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme kemi kryer trajnimet e punonjësve të Policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY