Shkrimtari flet pas akuzave të së dashurës, e akuzoi se e mashtroi...

Shkrimtari flet pas akuzave të së dashurës, e akuzoi se e mashtroi dhe i mori 15 mijë euro

123
0
Shares

Para një jave, doli në media një histori që tërhoqi vëmendjen, për shkak të akuzave dhe personit që i drejtoheshin. Një zonjë e quajtur Lumturi Kodra tregoi se ishte mashtruar nga shkrimtari Amedeo Baçi dhe se ai i kishte zhvatur 15 mijë euro, duke i thënë se këto para do ia kthente shumëfish. Lumturia tha se ky shkrimtar të njëjtën gjë kishte bërë edhe me një shoqen e vet.
“Dritare.net” kontaktoi me shkrimtarin Amedeo Baçi dhe kërkoi versionin e tij për ngjarjen dhe akuzat e hedhura. Ai tregoi se Lumturie ishte e dashuruar me të, ashtu siç ka ndodhur me shumë lexuese të tjera të romaneve të tij. Por, ai e quan një dashuri patologjike dhe se Lumturia e bën të gjithë këtë për t’u bërë e famshme.
Baçi mohon që të ketë mashtruar dy lexueset e tij. Ai thotë se kanë qenë sponsorizime për krijimtarinë e tij, ashtu siç ndodh me shumë shkrimtarë të tjerë.
Teksa ka nisur një proces gjyqësor në Itali, kundër Lumturi Kodrës, Baçi thotë se dëshiron që akuzat e saj t’i çmontojë me fakte dhe jo me llafe. Tregon se në komunikimet që ka me miqtë e përbashkët me Lumturinë, ajo u ka treguar shifra të ndryshme dhe të tjera deklaroi publikisht. Tregon gjithashtu, se ka një kontratë noteriale me lexuesen tjetër, për të cilën Kodra thotë se i ka marrë 50 mijë euro.
Baçi tregon për njohjen me Kodrën, miqësinë dhe akuzat që ajo hodhi ndaj tij, si dhe shpjegon se pse po goditet në këtë moment figura e tij.

Lumturi Kodra tregoi për marrëdhënien tuaj në një emision televiziv. Si nisi njohja me znj. Kodra?
Znj. Kodra më ka kontaktuar në faqet e mia letrare dhe ka kërkuar miqësi me mua. Më duhet të them se prezantimi i saj nuk qe aspak dinjitoz, pasi në inboksin ku më shkruante veç fjalëve provokuese, me kishte nisur një fotografi të sajën nga gusha e poshtë mbuluar me një këmishë najloni të hollë e të tejdukshme, ku dalloheshin lehtësisht format trupore. Desha ta fshija kërkesën e saj për miqësi, por më parë mendova t’i jepja një paralajmërim që nëse nuk do ta merrte në konsideratë për të qenë korrekte me mua, nuk do të bëhej pjesë e miqësisë sime. Ajo premtoi se nuk do të bënte më joshje të asaj natyre, por nga ajo ditë e më pas vazhdoi me insistimet e saj shpesh të bezdisshme që unë të isha më i afërt me të e të mos ia mbyllja portat e dashurisë. Që prej asaj dite s’më nisi më mesazhe apo foto tunduese dhe unë e fala pas reagimit pendues. Më pas i hodha një sy faqes së saj dhe pashë që ajo frekuentonte klubet e natës ku edhe këndonte në karaoke. Por kjo ishte jeta e saj, zgjedhja që kishte bërë dhe mua s’më duhej jeta e saj private. Më vonë u bë e pasuportueshme për xhelozitë dhe bezdisjet e saj të njëpasnjëshme. Mania e saj për të folur orë e çast ishte thjesht e padurueshme. Kishte shumë pretendime dhe ngatërronte kënaqësinë estetike të krijimtarisë sime me kënaqësinë erotike që kërkonte nga autori.

Sa e njihni ju Lumturinë dhe çfarë dini për jetën e saj?
Zonja Kodra punon si kujdestare për moshat e thyera, që nuk janë në gjendje autonome. Është rritur jetime dhe jeton e vetme në Bresha të Italisë prej vitesh. Ka shpirt poetik, por nuk është poete. Ka një fare talenti në muzikë, por jo në ato nivele që mendon. Ka një qëllim të vetëm në jetë: Të bëhet e famshme me çdo kusht e me çdo çmim. Mirëpo nuk ka kualitetet e duhura dhe po e kërkon kohët e fundit në përplasje me personazhe publike për të tërhequr vëmendjen e opinionit shqiptar, se në Itali nuk ka asnjë shans. Të kthesh famën në qëllim në vetvete, sipas meje, është e rrezikshme dhe aspak produktive.

Jeni takuar me Lumturinë dhe si ka vazhduar miqësia mes jush?
Nisur nga fakti se ka pasur një vegjëli të vështirë dhe jeta e ka përplasur me probleme të shumta në familje e shoqëri, doja sinqerisht ta orientoja në jetë me një dashamirësi të rrallë humane. E dija që ishte tmerrësisht e dashuruar me mua dhe kërkonte domosdoshmërisht pohime definitive sentimentale. Por, unë i thosha se nuk duhej të ngutej, se një gjë e tillë ishte e parakohshme, se ndjenjat duhen maturuar me kalimin e kohës, pa sforco dhe imponime. Ajo kërkonte ethshëm qoftë edhe një pohim të vogël dashurie, por në këtë pikë ka pasur gjithmonë hermetizmin tim. Shpesh e kam këshilluar të heqë dorë nga imitimet shabllone e majmuneske që u bënte femrave italiane, por nuk më kuptoi asnjëherë, pasi një gjë thoshte e premtonte dhe një tjetër bënte praktikisht. Gjithsesi vazhdoi të ishte miqësore ndaj meje dhe u bë ndër fanset e mia më të zjarrta në faqet e mia letrare në Facebook.

Lumturi Kodra ju akuzon se e keni mashtruar dhe i keni marrë 15 mijë euro, ndërsa shoqes së saj 50 mijë euro. Si qëndron e vërteta?
Znj. Kodra ka qenë një prej sponsorëve individualë të letërsisë sime dhe ka dërguar herë pas here dhe në bazë të mundësive që kishte (sepse i kishte të kufizuara) një shumë prej jo më shumë se 2979 euro e paguar në harkun kohor 2015-2016, të cilës i zbritet një dërgesë prej 520 eurosh për motive udhëtimi të vetë asaj dhe 427 euro që ia kam dhënë unë borxh, pasi më tha se ishte mbytur në borxhe e taksa dhe donte ndihmë. Pra totali mbetet fiks 2032 euro. Nëse kjo vihet në dyshim, jam i gatshëm që një ekonomist i paanshëm të bëjë krahasimet e faturave dhe shumave përkatëse. Këto para i ka dërguar në harkun kohor të dy vjetëve dhe me dëshirën e saj të plotë. Nuk kam shkuar unë atje t’ia marr me mitraloz në dorë. Unë e kam falënderuar publikisht në faqet znj. Kodra siç kam falënderuar edhe sponsor të tjerë të letërsisë sime si persona fizikë apo juridikë.
Unë bashkë me redaktoren Klara Kodra dhe korrektoren Edona Paloka ia kemi rishikuar të gjitha poezitë (që në fakt ishin bejte) nga pikëpamja e stilit, përmbajtjes, janë redaktuar, korrektuar, radhitur e faqosur, janë shoqëruar me parathënie e pasthënie dhe publicitet në gazetën letrare. Të gjitha këto janë përmbledhur në një libër të vetëm së bashku me një libërth poezish që ia kishte përpunuar më parë poeti dhe shkrimtari i mirënjohur Vullnet Mato. Të gjitha këto, i janë bërë falas zonjës Kodra dhe kjo ka qenë një punë e vazhdueshme gati dy vjeçare. Zonja në fjalë ka paguar vetëm paratë e botimit, kopertinës dhe përkthimin.
Sa për akuzën e dytë mund të them se është qesharake, pasi unë këtu kam një kontratë huamarrje nga një fansja ime në letërsi, e cila për rolin që kam pasur në jetën e saj nëpërmjet letërsisë sime, desh të më dhuronte një apartament që të kisha kushte normale jetese. I thashë se preferoja të kisha në formë huazimi me këste sipas mundësive që do të kisha dhe akti të kryhej ligjërisht në studion e një noteri. Shuma e deklaruar është 30 mijë euro me akt noterial.

Lumturi Kodra ka folur edhe për një bashkëpunëtoren tuaj, duke treguar se keni pasur qëllime të tjera ndaj saj…?
Gjithë qëllimi i intervistës së zonjës Kodra ka qenë të më nxirrte mua si njeri dhe shkrimtar nën një dritë të errët, duke pasur si qëllim të godiste jo vetëm Amedeo Baçin, por letërsinë e tij real-romantike që po fiton lexues të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, duke qenë xheloze e ziliqare ndaj Edona Palokës, ka menduar të përçajë miqësinë solide që kam me poeten, redaktoren, korrektoren dhe analisten letrare Edona Paloka që njëkohësisht është edhe korrektore-redaktore e romaneve të mia së bashku me profesoreshë doktoreshë Klara Kodrën. Por, në të dyja qëllimet ka dështuar fund e krye.

Ju keni nisur një proces gjyqësor në Itali kundër Lumturisë. Çfarë do të bëni ndaj saj?
Meqë po më krijonte bezdisje të vazhdueshme nëpërmjet statuseve histerike thuajse të përditshme që bënte në faqet e saj me lloj-lloj shpifjesh e insinuatash kundër meje, duke e shpërfillur për një kohë të gjatë, mora vendimin që ta padisja civilisht në gjykatën e qytetit ku jeton, në Breshia të Italisë, nëpërmjet avokatit tim për akuzat që më kishte bërë publikisht në faqen e saj. Gjykata do e detyrojë të tërheqë gjithë postimet kundër meje dhe të përgënjeshtrojë publikisht ato që ka thënë. Në të kundërt do ta ndjek si çështje penale.
Akuzat janë të shumta, por si gjithmonë tullumbace në erë, nga ato mufka që vetëm zonja Kodra arrin të sajojë me fantazitë e saj të sëmura. Shkurt, një femër dyfytyrake dhe krejt e rëndomtë.

Së fundi flasim pak për krijimtarinë tuaj, pasi ju thoni se të gjitha akuzat ndaj jush bëhen për të goditur krijimtarinë dhe letërsinë që lëvroni…
Jam autor i një opusi letrar prej 20 romanesh të botuara dhe në proces botimi me trend real-romantik. Romanet janë përkthyer në pesë gjuhë të botës dhe kohët e fundit ka parë dritën e botimit në USA, ku do të shpërndahet në 50 shtete dhe të gjitha vendet anglisht-folëse, nga një prej shtëpive botuese më prestigjioze që përzgjodhi romanin tim të parë nga 8000 paraqitje dorëshkrimesh të muajit. Në këtë krijimtari bëjnë pjesë 15 romane në formën e sagës romanore për historinë personale të autorit, ndërsa të tjerët janë romane me subjekte të ndryshme nga jeta. Veç kësaj CV-ja ime intelektuale përmban 5-së mastera dhe diploma universitare brenda dhe jashtë vendit, 5-së gjuhë të huaja, mbi 10-të specializime në Europë. Detyra e fundit në administratën shtetërore ka qenë Shefi i Interpolit në fillim të viteve 90-të pranë Ministrisë së Rendit Publik. Dritare.net

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY