Nishani: Ja çfarë do të synojë angazhimi im për takimin Rama –...

Nishani: Ja çfarë do të synojë angazhimi im për takimin Rama – Basha

48
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një ekspluzive për emisionin “Arena” të Dritan Hilës në Ora News, se situata aktuale është tejet shqetësuese. Sipas tij, nëse nuk adresohet do të degradojë më tej.  

Duke folur për krimin në vend, Nishani thotë se situata është serioze dhe kërkon menjëherë dhe me çdo kusht një adresim në nivelin e përgjegjësive shtetërore, pasi sipas tij ka një evidentim të grupeve kriminale me establishmentin politik.

Intervista minut pas minute 

Hila: Si e shikoni situatën e sotme politike?

Nishani: Do të jem shumë i sinqertë me qytetarët përmes emisionit dhe televizionit tuaj, pa shtuar nota tragjike, por edhe pa e neglizhuar situatën, mund të them se është një situatë shumë shqetësuese, e cila nëse nuk adresohet do të shkojë drejt acarimit dhe degradimit të mëtejshëm për një sërë arsyesh. Situata është shumë kritike pavarësisht se nuk ka një tonalitet të konfrontimit në rrugë dhe unë i përgëzoj palët që nuk kanë nxitur konfrontimet dhe duhet të shmangim me çdo konfrontimet fizike mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve pasi jam kundër dhunës dhe besoj që duhet të punojmë të gjithë që të mos eksalojë situata në dhunë të panevojshme. Situata është kritike pasi sot opozita në Shqipëri ka zyrtarizuar mos pjesëmarrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Janë tejkaluar afatet e regjistrimit dhe kjo krijon komplikacion të madh për legjitimitetin e vijimësisë së institucioneve pas 18 qershorit.

Hila:
 Mendoni që opozita është përjashtuar nga pushteti apo opozita po vetpërjashtohet?

Nishani:
 Pa dyshim që përgjegjësia është tek të gjitha palët. Çdo palë duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që i jep Kushtetuta dhe sistemi politik. Unë shpesh herë kam adresuar shqetësimin tim që në procese madhore, të cilat kanë impakt për vendin në perspektivë afatmesme dhe afatgjatë, opozita pavarësisht cila forcë politike apo cili krah politik është në opozitë në një moment të caktuar, nuk mund të përjashtohet. Opozita përkundrazi duhet të jetë në pikëpamje cilësore e përfshirë.

Hila:
 Mos ju duket pak e vështirë pasi opozita ka vënë një kërkesë maksimaliste; qeveri teknike dhe nuk negociojmë me këtë qeveri…

Nishani:
 Unë nuk kam ndërhyrë dhe nuk interpretoj as qëndrimin që ka mazhoranca apo qeveria, sepse nëse Presidenti do të hyjë për të bërë gjykimet e qëndrimit të palëve, do ta vështirësojë akoma më shumë potencialisht qëndrimin e Presidentit të Republikës për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj krize. Secila nga palët ka të drejtën e legjitimitetit për të bërë kërkesat e saj. Opozita nga njëra anë për të konsideruar mungesën totale të sigurisë dhe të mundësisë që qytetarët të dalin dhe të votojnë lirshëm për cilën forcë ata mendojnë për zgjedhjet e 18 qershorit dhe ky është një pretendim që na vë të gjithëve në një angazhim dhe duhet të na vërë në angazhim, sepse e drejta për të dalë nga shtëpia, për të mos qenë i intimiduar, i frikësuar, i shantazhuar dhe për të vajtur tek kutia e votimit dhe për të votuar për atë që dëshiron të votosh në mënyrë të fshehtë, por ama të lirë është krejt kërkesë legjitime, ashtu siç ju e lidhët me kërkesën e qeverisë teknike. Qeveria gjithashtu është në të drejtën e saj, në qëndrim legjitim, sepse është një qeveri që ka dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 me një proces zgjedhor legjitim dhe është brenda mandatit të saj legjitim. Tani jemi në një situatë për të ofruar palët, për t’i ulur në diskutim dhe për të gjetur një zgjidhje që shkon përtej interesit politik të secilës palë por në adresim të një interesi politik (ne shpesh herë termin politik e shikojmë në konotacionin partizan të fjalës) por është politik në raport me vendin, shtetin, institucionet dhe shoqërinë, nga e cila gjenerojnë edhe të gjitha dinamikat e tjera, familjes, komunitetit dhe gjithë vendit. Unë nuk do komenton sa e drejtë apo e padrejtë është qëndrimi i opozitës apo reflektimi dhe përgjigja e qeverisë. Unë them se jemi në një situatë serioze, nuk duhet nënvlerësuar dhe duhet trajtuar sa më parë që të jetë e mundur sepse çdo kohë e cila kalon, nuk riparohet në kontekstin e kohës fizike, në mënyrë që të adresohen pastaj hapat institucional dhe hapat politik.

Hila:
 Zt. President, a ju kanë afruar rolin e ndërmjetësit nga ndërkombëtarët ose juve vetë a jeni afruar si ndërmjetës për t’i ulur në tavolinën e bisedimeve?

Nishani:
 Po! Është e vërtetë që kam marrë një iniciativë kontakti për të diskutuar në parim me aktorët kryesor politikë në vend duke i vënë në gatishmëri institucionin e Presidentit për të lehtësuar komunikimin e palëve. Kjo ofertë ka qenë për të marrë një miratim në parim midis palëve. Kam gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e të gjitha palëve që e pranojnë parimisht angazhimin e Presidentit të Republikës për të ndërmjetësuar le të themi dialogimin dhe komunikimin e palëve, por duhet që të theksoj faktin që Presidenti nuk mundet të angazhohet për të patur një agjendë që ka të bëjë thjesht me rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR-t për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, sepse rekomandimet e OSBE/ODIHR-t për Kodin Zgjedhor janë adresuar nga një komision parlamentar dhe Presidenti i Republikës do të angazhohet, mund të angazhohet për adresuar krizën politike dhe çështje që lidhen me krizën politike.

Hila:
 Por jo të negociojë problematikën. Në 2007-n, zt. Moisiu ka qenë negociator, bile u banalizua problemi edhe me çështje certifikatash.

Nishani:
 Unë mendoj që sot nuk është ajo situatë e 2007-s. Situata është shumë herë më serioze, shumë më e agravuar dhe polarizimi i palëve është shumë herë më i madh. Sot, opozita thotë se ne nuk mund të hyjmë në zgjedhje, sepse qytetarët shqiptarë, ata të cilët votojnë opozitën apo dëshirojnë të votojnë opozitën, janë drejtpërsëdrejti të kërcënuar nga persona me rekorde kriminale në shërbim të procesit elektoral për të penguar qytetarët për të marrë pjesë në procesin zgjedhor apo për të votuar sipas orientimeve që vijnë nga bota e krimit. Ky si shqetësim është shumë serioz dhe shumë i madh. Nga ana tjetër, qeveria thotë unë jam në legjitimitetin tim sepse jam një qeveri legjitime e zgjedhur normalisht dhe ashtu është, por duhet më së pari dhe ka përgjegjësinë e madhe të japë të gjitha garancitë opozitës që fushata elektorale dhe procesi zgjedhor duhet të jetë një proces që duhet të ketë garancitë e lirisë dhe të sigurisë nga bota e krimit. Në momentin që garantohen këto dy elementë, unë besoj që opozita duhet të vlerësojë dhe të ndërmarrë hapat e saj dhe të përmbushë përgjegjësitë kushtetuese.

Hila:
 Sot kemi një problematikë që opozita thotë se mund të manipulohen zgjedhjet. Juve e ndani si problematikë nga informacionet tuaja si president? Nga organet inteligjente dhe nga policie, keni informacion se mund të ndodhë diçka e tillë? Një fuqizim të krimit të organizuar në përkrahje të politikës.

Nishani: Së pari, desha të nënvizoj se as nuk përfaqësoj opozitën, as nuk përfaqësoj mazhorancën. Presidenti i Republikës është institucioni më i lartë i hierarkisë shtetërore, i cili është i gatshëm ta vendosë në dispozicion autoritetin e Presidentit të Republikës edhe në dispozicion edhe për mazhorancën edhe për opozitën. Faktet e agresivitetit të krimit të organizuar në Shqipëri janë evidente. Nuk marr përsipër që t’ia atashoj krimin e organizuar si një aktivitet njërës parti politike apo tjetrën.

Hila: E ka shprehur edhe zt.Meta problematikën..

Nishani: Kushdo e ka shprehur dhe është bindja ajo çka qytetarët shqiptarë kanë parë dhe shohin përditë. Situata e nisur që në vitin 2013 kur në Parlament mbërritën njerëz me rekorde kriminale është evidente. Situata që këta njerëz mbërritën jo vetëm në Parlament, por edhe në hierarkinë e administratës publike. Pra, këta njerëz kanë në rrethin e tyre individë me agresivitet të lartë kriminal dhe që janë angazhuar në procese elektorale edhe kjo është evidente. Ka një shqetësim të OSBE/ODIHR-t që paratë e pista nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, mund tç përdoren në interes të fushatës elektorale dhe procesit elektoral. Të gjitha këto elementë janë fakte dhe evidenca, të cilat ngarkojnë me përgjegjësi për ta trajtuar çështjen. Unë nuk do të ndërmerrja asnjë gjykim nëse unë do të atashoja një forcë politike apo një tjetër forcë politike se sa e angazhuar është në ndonjë grup kriminal.

Nishani: Ka videntim të grupeve kriminale me establishmentin politik

Hila: Unë kam në sensin a kemi një rritje të aktivitetit kriminal…

Nishani: Për fatin e keq kjo është e evidentuar Dritan dhe më duhet të them sonte me shumë keqardhje që përveç këtij fakti që një aktivitet të shtuar kriminal dhe një evidentim të grupeve kriminale me establishmentin politik. Kam konstatuar edhe nga eksperienca ime e mëparshme si një njeri që ka drejtuar në nivele të larta…

Hila: Ju keni qenë ministër Drejtësie dhe ministër i Brendshëm.

Nishani: Kam qenë në dy palë zgjedhje ministër i Brendshëm. Në zgjedhjet e 2009-s dhe në vitin 2011 dhe mund të them që sot Policia e Shtetit për fat të keq ka marrë ngjyra të forta politizimi. Nuk mund të pretendojmë për gjithë strukturën e Policisë së Shtetit, por në pozicione të rëndësishme vendimmarrëse kam konstatuar dhe i qëndroj fort jo bindje, por evidentimi faktesh dhe provash, Policia e Shtetit ka marrë nota të forta politizimi. Jo pa qëllim ka qenë edhe adresimi që i bërë në momentin e dekretimit të ministrit të ri të Brendshëm, fakti që Parlamenti dhe qeveria duhet të adresojë menjëherë hapat për të depolitizuar Policinë e Shtetit.

Kjo është e rëndësishme jo vetëm për opozitën, por edhe për Parlamentin, edhe për vetë qeverinë, sepse qeveria shqiptare është qeveria jonë, është qeveria e vendit, është e rëndësishme për imazhin e vendit dhe është shumë e rëndësishme për perspektivën se si shteti do të përballet me botën e krimit edhe në ditët dhe vitet që vijnë. Situata është serioze dhe kërkon menjëherë dhe me çdo kusht një adresim në nivelin e përgjegjësive shtetërore.

Vrasja e Artan Cukut, Nishani: Atak që vjen nga bota e krimit ndaj institucioneve të shtetit

Hila: Ju mendoni se shenjë e agravimit është edhe vrasja e komisarit të policisë zt.Artan Cuku?

Nishani:
 Akti kriminal i komisarit Artan Cuku, pa dyshim që është një goditje që i jepet shtetit. Është një atak që vjen nga bota e krimit ndaj institucioneve të shtetit shqiptar. Unë nuk do të nxitohesha të arrija në konkluzione sepse është një çështje që tashmë po hetohet. E vlerësoj kalimin e dosjes tek Prokuroria e Krimeve të Rënda sepse është një çështje që i takon Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe unë po e ndjek dhe do ta ndjek me shumë kujdes ecurinë e procesit të hetimit. Gjithsesi, unë nuk do të futesha në gjykime dhe konkluzione për sa kohë ka nisur hetimi i saj.

Hila: Shoqata e të larguarve nga puna jepte një shifër që janë larguar 1 300 kuadro policie nga viti 2013. Një shifër shumë e madhe. A ka vepruar kështu edhe PD-ja me ardhjen në pushtet me largimin e specialistëve?

Nishani: Është e vërtetë për fat të keq që ne kemi një kulturë të tillë të mos stabilitetit të administratës publike në tërësi, por është shumë herë më e ndjeshme kur kalojmë në agjenci siç është Policia e Shtetit apo agjenci të tjera që kanë aktivitet pune shumë më të ndjeshëm, siç janë siguria, mbrojtja, mjekësia apo arsimit. Nisur nga këto eksperienca të tilla ndër vite të nxjerrim mësimet e duhura dhe të orientohemi tek disa praktikave më konsoliduese dhe më serioze.

Hila: Sepse është e pa shembullt që njerëz që ndeshen me krimin, t’i lësh në mes të 4 rrugëve edhe pa armë shërbimi.

Nishani: Ne duhet t’i vlerësojmë specialistët. Pastaj mënyra e kontrollit të veprimtarisë së tyre profesionale apo njerëzore është e mundur përmes mekanizmave, pasi shteti ka mekanizmat kontrollues nga Presidenti e deri tek punonjësi më i thjeshtë. Nga njëra anë duhet të krijojmë strukturën e konsolidimit të njerëzve që janë të përkushtuar ndaj shtetit. Ne duhet të punojmë për të pasur mekanizma eficentë që kontrollojnë veprimtarinë e këtyre njerëzve.

Zgjedhjet pa opozitën, Nishani: Nuk mund të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve

Hila: Le të kthehemi edhe një herë tek kriza. A lejon Kushtetuta jonë shtyrjen e zgjedhjeve?

Nishani: Praktikisht sot afatet kushtetuese dhe ligjore të marrjes pjesë të opozitës më 18 qershor janë kaluar. Me afatin që parashikon Kodi Zgjedhor që opozita të regjistrohet, zyrtarisht janë djegur pasi opozita nuk është regjistruar. Nëse duhet të marrë pjesë në datën 18 qershor, atëherë duhet t’i krijohen afati i regjistrimit, por afati i regjistrimit është i lidhur me datën e zgjedhjeve. Pra, domosdoshmërish duhet ndryshuar data e zgjedhjeve që të rivendoset e drejta e opozitës për t’u regjistruar në afat. Rivendosja në afat është e vendosur gjithmonë me shtyrjen e një date.

Jashtë çdo lloj klisheje dhe kompleksi, palët, kjo nuk është një kërkesë e imja, por pikëpamja, palët duhet të nisin diskutimit nëse do të diskutojnë për shtyrjen e zgjedhjeve apo jo. Nëse bien dakord për shtyrjen e zgjedhjeve, atëherë duhet të shikojnë përcaktimet kushtetuese se sa mund të shtyhen dhe nëse shtyhen zgjedhjet, përfshirja dhe përgjegjësia për të përfunduar procedurat e tjera është edhe e opozitës dhe mazhorancës. Nëse nuk do të ketë dakordësi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia për të garantuar atë që opozita kërkon, i mbeten qeverisë dhe këtu mbetet të shikojmë.

Hila: Edhe zt.Meta ka thënë se nuk hyhet në zgjedhje pa opozitën….Si ju duket ky skenar?

Nishani: Mund të hyjë vetëm PS-ja, vetëm LSI-ja. Nëse opozita nuk hyn në zgjedhje, teknikisht do të kemi zgjedhje, por nuk do të kemi institucione me legjitimet pas zgjedhjeve. Legjitimet edhe institucional. Ka disa standarde ndërkombëtare për legjitimitetin e institucioneve të një vendi që pretendon të jetë demokraci e lirë. Pluralizmi dhe gara e barabartë në zgjedhje. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon detyrimisht të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur.

Nëse nuk kemi një proces të barabartë edhe në raport me standardet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë e deri tek ato të BE-së ku Shqipëria pretendon të hyjë. Ka disa standarde ndërkombëtare për vlerësimin e legjitimitetit. Unë mbetem tek legjitimiteti dhe jo tek teknikaliteti, për të vlerësuar legjitimitetin e institucioneve që prodhohen nga zgjedhjet. Kushtetuta e vendit tonë nuk pranon sistem tjetër politik plural.

Hila: Do jetë Partia Sfida e Gjergj Bojaxhiut. Janë 4 parti komuniste dhe mund të jetë këto parti opozitare.

Nishani: Unë po flas nga pikëpamja si e kuptoj unë dhe si e mendoj unë se e kupton bota dhe shqiptarët demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Nëse mendon se mund ta rikuperojmë sistemin e kaluar monist, kuptohet jo në përmasat e dhunës dhe asaj mbyllje, por në kuptimin politik dhe institucional, unë mendoj se nuk 
mund të rrezikojmë dhe të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve që do të prodhohen mbas zgjedhjeve parlamentare, legjitimitetin e Parlamentit, qeverisë, gjyqtarëve e prokurorëve dhe institucioneve që dalin. Pa dyshim që është përgjegjësi edhe e mazhorancës edhe e opozitës që t’i japin jetë demokracisë dhe legjitimitet shtetit shqiptar. Dhënia legjitimitet do të thotë që palët të kenë edhe një respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit. Nuk mund të bëhet duke përjashtuar në mënyrë kategorike përmes teknikalitetit njërën palë që ishte më e dobët dhe më e margjinalizuar siç është opozita. Ne kemi përgjegjësinë që në zgjedhje, duhet me doemos (këtu nuk ka asnjë lloj negociate) që qytetarët shqiptarë të kenë të gjitha garancitë që ditën e zgjedhjeve të dalin nga shtëpia pa qenë të shantazhuar dhe të votojnë të qetë dhe të pa qenë të orientuar dhe rezultati të dali ai që qytetari ka hedhur në kutinë e votimit siç ka dashur. Dhe ajo mazhorancë që merr besimin e qytetarëve ka legjitimitetin e plotë qoftë edhe me 70%.

Hila: E gjitha kjo nuk kërkon më thjesht një qeveri teknike. Do të kërkojë një ndryshim të korpusit zgjedhor. Natyrisht kërkon zgjatjen më tej të afatit të këtij Parlamenti apo jo?

Nishani: Unë nuk dua ta shoh me nota pesimizmi apo fataliteti. Në një moment të caktuar, kjo situatë duket sikur është fatale. Ne kemi aq eksperienca. Edhe në të shkuarën ka ndodhur shtyrja e zgjedhjeve. Nuk është ky thelbi. Duke qenë racional, duke mos e ekzagjeruar qoftë shtyrjen e zgjedhjeve, qoftë ndërtimin e mekanizmave që marrin përsipër garantimin e tyre, palët mund të gjejnë kompromis. Unë mendoj si mazhoranca si opozita, e kanë kuantin e nivelit të përgjegjshmërisë, që jo vetëm të ulen në bisedime, të gjejnë një zgjidhje për ta futur vendin në një proces për t’i shpëtuar këtij virusi shumë problematik që është futur në establishmentin politik dhe në sistemin tonë politik.

Hila: Zt.President doni t’i lini pa pushim politikanët këtë radhë…

Nishani: Politikanët e zgjedhur me vullnetin e tyre këtë angazhim. Askush nuk i ka vënë me zor. Unë nuk jam nga ata President që them se më vunë me zor.

Zgjedhja e Presidentit

Hila: Për zgjedhjen e Presidentit të ri kur fillon procedura?

Nishani: Kam qenë i nderuar dhe i privilegjuar që kam pasur fatin të shërbej në postin më të lartë të Shtetit Shqiptar. Është një post që patjetër bën me nder këdo që shkon në këtë zyrë, por i ngarkon edhe me përgjegjësi shumë të mëdha në raport me dinjitetin dhe integritetin sepse Presidenti i Republikës nuk ka në dorë mekanizma ekzekutivë. Ky institucion më shumë se çdo institucion tjetër duhet të reflektojë në emër të qytetarëve të vet, dinjitetin dhe integritetin e Shtetit Shqiptar. Ky ka qenë edhe motivi që më ka angazhuar. Procesi me sa kam dëgjuar, tashmë është afishuar në Parlamentin shqiptar. Është hera e parë që koincidon që zgjedhja e Presidentit të Ri me zgjedhjet për Parlamentin e ri. Ka qenë e parashikuar në Kushtetutë për fat të mirë që në rast se do të ndodhë kjo koincidencë është që i njihet e drejta Parlamentit që shpërndahet të zgjedhë Presidentin e ri të vendit. Kam parë në shtyp këto ditë që Parlamenti e ka futur në agjendë nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, i cili zgjidhet përmes 5 raundeve. Në tre raundet e para duhet të zgjidhet me 84 vota, pra me shumicë të cilësuar dhe nëse dështon në dy raundet e fundit mjafton një shumicë e thjeshtë me 72 vota. Presidenti i Republikës e mbaron mandatin më 24 korrik të këtij viti dhe Presidenti i ri i duhet të hyjë në zyrë më 25 korrik.

Hila: Nëse nuk do të rizgjidheni….

Nishani: Më 25 korrik do të jem qytetar dhe ish-President i Republikës. Unë uroj që të zgjidhet Presidenti i ri nga ky Parlament, por në rast se nuk do të ketë një zgjedhje të Presidentit unë mendoj se krahas shansit që i jepet Parlamentit aktual, gjithashtu ka edhe një situatë shkarkuese. Mos zgjidhja e Presidentit të Republikës nuk prodhon një krizë institucionale. Çështja e kompetencave është e zgjidhur në Kushtetutë. Ato i kalojnë automatikisht kryetarit të Kuvendit. Unë uroj që kjo legjislaturë të arrijë në një vendim dhe në një zgjedhje të Presidenti.

Hila: Juve do ta pranonit një rikandidim tuajin?

Nishani: Unë kam shprehur gatishmërinë për të vazhduar angazhimin tim. Së pari për shkak të eksperiencës së krijuar. Erdha në postin e Presidentit pas një eksperience të jashtëzakonshme personale, duke qenë dy herë ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë. Puna
 
në zyrën e Presidentit ka qenë një universitet më vete
 
dhe gjithashtu besoj se kam forca  dhe angazhim për të vijuar përfaqësimin e Shtetit Shqiptar në mënyrë dinjitoze në këtë post, duke i dhënë të gjithë garancitë qytetarëve shqiptarë se do të përfaqësohen nga ky president në mënyrë dinjitoze po aq sa janë përfaqësuar deri më tani. Kjo nuk varet tek gatishmëria ime sepse nuk jemi në një proces gare. Do të kishim garë nëse zgjidhej nga populli. Në sistemin tonë, por edhe në disa vende të BE-së, siç është Gjermania që zgjidhen nga Parlamenti. Unë jam zgjedhur nga një koalicion që përbëhej nga PD-ja që ishte forca kryesore, nga LSI-ja që vendosi ta mbështesë kandidaturën time dhe aleatë të tjerë. Sot kemi një konfigurim tjetër në Parlament. Forca që më propozoi është në minorancë dhe nuk i ka votat.

Hila: Është një pjesë siç është LSI-ja që ka votuar…

Nishani: Nëse do të ketë gatishmëri nga Parlamenti që kërkon doemos konsensusin e të gjitha forcave politike përfshirë edhe PD-në nëse do të ketë një vendim politik të tyre për të rinovuar kandidaturën e Presidentit, patjetër që unë do ta marrë përsipër. Unë nuk do të vijojë një tentativë për të krijuar përplasje të tjera dhe
 
copëtime midis forcave politike. Nuk do të bëhem një element
 që i përplas forcat politike.

Hila: A ka presion nga faktori ndërkombëtar që kriza politike të zgjidhet?

Nishani: Nuk mund të them presion. Të paktën unë nuk kam konstatuar presion, por di që ka angazhim nga faktori ndërkombëtar, është angazhim serioz, i cili duhet të ofrojë
 
besueshmëri tek palët, duhet të ofrojë standardin e paanshmërisë tek
 palët, kjo është e domosdoshme. Shqipëria nuk është vend i izoluar. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për rajonin dhe për stabilitetin në rajon edhe për procese integruese. Shqipëria e ka fituar për shkak të angazhimeve të saj këtë status. Jam i bindur që ky angazhim i faktorit ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë dhe pa dyshim do të ketë edhe mbështetjen time.

Hila: Rritja e tensionit ka bërë që zt.Basha t’i rriten truprojat. Është e vërtetë që shefit të opozitës përveç presioneve institucionale ka edhe presione nga bota e krimit të organizuar? Keni informacion?

Kërcënimi i Bashës, Nishani: Ka mjaft që synojnë destabilizimin e Shqipërisë

Nishani: Siguria e aktorëve kryesor politik sidomos në situata shumë të tensionuara politike që mund të eskalojnë në tensione sociale, është një element shumë serioz. E dyta, asnjëherë nuk duhet të neglizhojmë faktin që nuk kemi vetëm miq, por ka edhe mjaft aktor të cilët punojnë dhe synojnë dhe investohen për të destabilizuar Shqipërinë, për të destabilizuar rajonin. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi institucione për të parandaluar mundësinë e këtyre tentativave dhe unë mund t’ju garantoj së pari këtë. Shqipëria i ka të gjitha institucionet, të cilat i kanë kapacitetet për të parandaluar çdo tentativë të destabilitetit të brendshëm që mund të vijnë nga aktorë të jashtëm.

Duhet të mos neglizhojmë dhe të mos mendojmë që nuk ekzistojnë tentativa të tilla. Fakti i sigurisë të liderit të opozitës; mund t’ju them vetëm këtë (sepse nuk mund të hyj sot në detaje sepse është çështje shumë e ndjeshme), tashmë është duke u konsideruar dhe unë besoj do të konsiderohet me seriozitet nga agjencitë kryesore ligjzbatuese në vend.

Hila: Gjykata Kushtetuese sapo zgjati mandatin tuaj si kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ju e shikoni që reformë në drejtësi nga kontrolli që ushtronit ju dhe ministri i Drejtësisë në KLD, e kthen drejtësinë në një lloj sekti të mbyllur ku prokurorët dhe gjykatësit vendosin për veten e tyre.

Shkrija e KLD, Nishani: Shumë kriminelë mund të dalin nga burgjet

Nishani: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka nevojë për qartësime sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet me vijimin e punës së anëtarëve të KLD-së, por kur vijmë në rastin e Presidentit, në Kushtetutë ka një aneks që specifikon ndalimin e vijimit të Presidentit si kryetar i KLD-së më shumë se 8 muaj nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë. Jam duke u konsultuar me këshilltarët e mi politik dhe me anëtarët e KLD-së, që të mos e fusim në një ngërç vijimin e punës në KLD. Mund t’ju them se nëse KLD nuk do të funksionojë deri në krijimin e KLGJ-së,

 mund të dalin nga burgjet për shkaqe procedurale kriminelët që kanë kryer akte të rënda kriminale në vend.
 
Ju mund të thoni si mund të dalin? Mund të dalin proceduralisht sepse në KLD një nga çështjet që trajtojmë është delegimi i gjykatësve nga një gjykatë në tjetrën në momentin kur konstatojmë që gjykatësit e një gjykate e kanë të pamundur për efekte procedurale dhe përfshirjen në një çështje të caktuar për një kohë shumë të gjatë u ndalohet nga Kodi i Procedurës ta gjykojnë një çështje dhe gjykatësit e Krimeve të Rënda bie fjala nuk ka më gjyqtar për të gjykuar çështjen e një krimineli që ka kryer krime të rënda. Në këtë rast delegojmë gjyqtarë nga Gjykata e Tiranës le të themi.

Dhe kompensojmë këtë boshllëk që krijohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe anasjelltas. Kryhet ky lloj delegimi për të kompensuar pamundësinë e kryerjes së detyrës nga disa gjyqtarë që për shkaqe procedurale nuk e gjykojnë dot më një çështje. Nëse nuk do të ketë KLD derisa nuk është krijuar Këshilli Gjyqësor, do të thotë se nuk do të ketë një trupë që t’i delegojë këta gjyqtarë, do të thotë se digjen të gjitha afatet e paraburgimit dhe të dalin të gjithë kriminelët pa u gjykuar për efekte procedurale. Me këto afatet që u vunë në anekset kushtetuese dhe në ligjet më pas duke u nxituar dhe pa u menduar mirë për të na krijuar problematika të tilla. Për mua prevalon interesi i shtetit dhe jam në konsultë për të parë se si do të funksionojë KLD-ja deri në krijimin e KLGj-së.

Hila: Ju keni idenë se kjo reformë do ta zgjidhë problematikën? Po kalojmë nga një kontroll politik në një kontroll të brendshëm që kam dyshimet krijon një lloj omertaje..

Nishani:
 Me keqardhje dua ta them se jam detyruar edhe të gëlltis akuza të padrejta ndaj presidentit se nuk e mbështet reformën. Unë në fakt nuk e kam lënë veten të bie pre e këtyre gjykimeve tërësisht politike për ta futur Presidentin në një kompleks institucional dhe presidencial. Për t’i përgjigjur në mënyrë të koncentruar pyetjes suaj, i gjithë legjislacioni ynë është hartuar me ekspertizën e faktorit ndërkombëtar. Të gjithë pjesën e legjislacionit nga pikëpamja cilësore e kemi nga institucionet evropiane. Ajo që është cilësuar problematike ka qenë implementimi. Është rënë dakord që ligjet i kemi të mira, por nuk i zbatojmë. Edhe nëse sot po e ndryshojmë legjislacionin në themeli garancia se si do të zbatohet mbetet për t’u parë.

Një nga defektet kryesore që e rrezikon implementimin e tyre është mungesa e konsensusit politik dhe shmangia e aktorëve
 të rëndësishëm politik. Duke mos pasur besimin në fondament, do të ketë akuza dhe mos besime dhe do të jetë shumë e vështirë që njerëzit që do të vendosen dhe do të marrin vendime si gjyqtarë dhe prokurorë do të jenë në presion të madh dhe nëse këta njerëz do të kenë edhe ngarkesa apolitike do të ndodhemi në një situatë edhe më e vështirë se situata e sotme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë fatalitet. Është bërë një punë voluminoze dhe meraku im ka qenë jo në proporcion të drejtë me kohën, ka pasur nxitim të madh. Ka mbivendosje të ligjeve për çështje të caktuara që nesër mund të bëjë që institucione të caktuara t’i lënë përgjegjësi institucione të tjera.

Hila: A mendoni se këto ngërçe po krijojnë zgjatje të implementimit të reformës?

Nishani:
 Çështja e debatit për reformën në drejtësi ka vite që po bëhet. Në tetor të vitit 2014, unë iniciova një tryezë për reformën në drejtësi. Ishte iniciativë e presidentit të Republikës por e konsultuar me delegacionin e BE-së. Ishte një tryezë që nisi një proces mirë dhe nëse do të kishte vijuar në atë frymë do të kishte ngritur një bazament të mirë. Për shkak të qenit Presidentit në proces do t’i kishte dhënë një frymëmarrje tjetër gjithë procesit. Edhe sot e kësaj dite, unë e quaj një vendim të nxituar dhe të paargumentuar bllokimin e kësaj iniciative të Presidentit dhe nxjerrjen jashtë nga ana e mazhorancës parlamentare, e cila në raport me opozitën krijon distancën e mos besimit. Mos besimi dhe akte të njëpasnjëshme krijuan këtë situatë. Nëse ne duam ta fshehim, hajde ta fshehim.

Nishani: Institucionet e reja rrezikohet në mënyrë serioze  që nën influencë politike

Hila:
 A është reale që mazhoranca e majtë mund të ketë një lloj ndikimi në korpusin e ri të prokurorëve dhe gjyqtarëve që po krijohen?

Nishani:
 Sot opozita është tërësisht jashtë procesit të kompozimit të tyre. Kjo nuk do të thotë se nëse opozita do të ishte brenda procesit do të çonte njerëzit e saj, por do të ishte një filtër që njerëz me ngarkesa politike të shmangeshin nga të qenit pjesë e procesit. Në Komisionet e Vlerësimit në KLGJ dhe KLP që do të kenë pushtetin mbi gjykatësit dhe prokurorët, kemi një kompozim 6 me 5. 6 nga gjyqësori  dhe 5 nga ato që i zgjedh Parlamenti. Raporti 6 me 5 është një raport që krijon një margjinalizim të drejtpërdrejtë të njerëzve që vijnë nga fusha e drejtësisë se sa këta që i zgjedh Parlamenti.

Ka një komision paraprak në rastin e emërimit të një gjyqtari apo dënimit që përbëhet nga tre persona. Këta të tre nuk mund të jenë më pjesë e trupës që marrin vendimin përfundimtar Komisioni i Shqyrtimit Paraprak nuk merr pjesë në vendimin e mëpasshëm dhe ndodh që ajo 6 me 5 të kthehet në 4 me 4. Dhe në 4 me 4, ligji ka parashikuar që kryetari ka dy vota. Kryetari vjen nga radhët e shoqërisë civile që e ka zgjedhur politika me shumicë. Automatikisht, politika ka marrë mazhorancën në të gjitha këto komisione. E shpjegova me formulë për ta kuptuar se sa relevante është influenca politike ka në këto borde që kanë një pushtet të madh mbi gjykatën dhe prokurorinë.

Sot në Këshillin e Lartë të Drejtësisë që përbëhet nga 15 anëtarë, 10 vijnë nga gjyqësori dhe 5 vijnë nga politika përfshirë edhe Presidenti. Ka një probabilitet të lartë për pavarësisë. Unë si President në procesin e votimit jo në një por me dhjetëra raste kam dalë në
 
minorancë. Rrezikohet në mënyrë serioze  që këto institucione të jenë nën influencë politike.  

Hila:
 Si i gjykoni lirimet e fundit të elementëve të krimit të akuzuar për 5 vrasje?

Nishani:
 Nuk i komentoj vendime e Gjykatave por mbetem i vendosur që vendimet e gjykatave duhen verifikuar dhe mbetem i vendosur që të kërkoj rishikimin e këtyre vendimeve në rrugë institucionale.

Hila:
 Mendoni se është shenjë e kalbëzimit apo jemi ende në një proces tranzicioni?

Nishani:
 Ne shpesh herë mundohemi t’i kalojmë përgjegjësitë dhe të themi jemi në tranzicion. Tranzicioni është mbyllur në Shqipëri. Sistemi i Drejtësisë ka probleme madhore dhe serioze. Po ju them se sistemi drejtësisë ka gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe nëse i lëmë përballë shantazhit, për çfarë ndershmërie flasim. U garantohen disa standarde dhe ata vënë në dispozicion dinjitetin dhe profesionalizmin e tyre. OraNews.TV

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY