BRIAN WILLIAMS */ Java Rome 2016 – Të rrëzojmë pengesat përjashtuese dhe...

BRIAN WILLIAMS */ Java Rome 2016 – Të rrëzojmë pengesat përjashtuese dhe të veprojmë në mënyrë përfshirëse

88
0
Shares
brian williams, vogel

Brian Williams

Data 8 prill njihet si dita e Romëve dhe kjo datë festohet çdo vit në të gjithë botën. Ne festojmë vlerat që ky komunitet mbart, kontributin e pasur kulturor që Romët sjellin në shoqërinë tonë, si dhe progresin që shënohet për t’u mundësuar të gjithëve, duke përfshirë Romët dhe Egjiptianët,  realizimin e synimeve  që ata kanë në jetë. Por, kjo ditë na risjell në vëmendje edhe sfidat me të cilat përballen si komuniteti Rom edhe ai Egjiptian, duke përfshirë diskriminimin e vazhdueshëm dhe të papranueshëm.
Këtë vit, gjatë javës Rome, u impresionova shumë që pata mundësi të takohesha me disa profesionistë Romë të talentuar që kishin filluar punë pas diplomimit, Romë që kanë  fituar aftësi e që kanë nisur rrugëtimin e tyre profesional, një mësuese Rome që ka tejkaluar stigmën dhe opinionin e shoqërisë dhe është kthyer në model për komunitetin e saj, një këngëtar të  talentuar Rom, një grua e re Rome që thotë se një ditë dëshiron të bëhet deputete e Kuvendit dhe një muzikant Rom që u mëson fëmijëve Romë por edhe të tjerëve muzikë klasike në qendrën e tyre ku mirëpriten të gjitha komunitetet. Në këtë link: http://bit.ly/2oMkKNd, mund të shikoni një numër videosh që konretizojnë këto që thashë dhe të bindeni edhe ju.
Por gjatë vitit të fundit, kam takuar edhe Romë që jetojnë në kufijtë e skajshëm të shoqërisë. Në shtator të vitit 2016, së bashku me Zëvendëskomisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe me Avokatin e Popullit, vizituam disa familje Rome që jetonin në kushte të mjerueshme në breg të një lumi në Tiranë. Në këtë kuadër ka disa lajme të mira: Bashkia e Tiranës ka vendosur të përdorë fondet nga marrëveshja e shkëmbimit të borxhit me Italinë për të ndërtuar banesa të reja dhe, përmes financimeve të BE-së, UNDP po ndihmon në sistemimin e bregut të lumit. Zëvendëskomisionerja e Lartë ka premtuar se do të kthehet përsëri këtë vit, për të parë ecurinë e punimeve për përmirësimin e situatës.
Por ende nuk kemi shumë ngjarje me përfundime të lumtura. Shumë familje Rome dhe Egjiptiane po jetojnë në banesa që nuk i plotësojnë standardet, shumë fëmijë nuk po e përfundojnë shkollën, shumë individë kanë vështirësi për të pasur akses ndaj kujdesit shëndetësor, shumë prej tyre punojnë në mënyrë informale dhe të paqëndrueshme. Shumë prej raporteve dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit nuk ndiqen nga Kuvendi dhe as nga Qeveria; çdo ditë ka shumë  diskriminim – shumë paragjykime negative dhe stereotipe. Vihet re pakësim i dëbimeve nga banesat, por çdo dëbim që ndërmerret në kundërshtim me ligjin është një më shumë.
Një vit më parë, Qeveria paraqiti një Plan Veprimi 5-vjeçar për Romët dhe Egjiptianët. Ky plan, po mbështetet nga Bashkimi Evropian, i cili e konsideron përfshirjen e  komuniteteve Rome dhe Egjiptiane si prioritet  për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por edhe nga Zvicra e  Kombet e Bashkuara mes të tjerëve. Ndodh shpesh që planet e veprimit  shihen si dokumente burokratike ose thjesht si shkresa pa vlerë, por unë kam besim te këto plane, sepse ato janë një mënyrë për të  marë përgjegjësi e  kërkuar  llogari. 

Ecuria e zbatimit të Planit
Një nga synimet kryesore të planit ishte të rritej numri i të arsimuarve. Regjistrimi i djemve dhe i vajzave Rome dhe Egjiptiane në sistemin parashkollor dhe në atë fillor u rrit me më shumë se dy herë, nga 4,996 që ishte gjatë vitit 2015 në 11,681 gjatë vitit 2016.
Punësimi është gjithashtu një pikë e rëndësishme. Megjithëse nuk kemi të dhëna në lidhje me numrin e përgjithshëm të Romëve të punësuar, dimë se nga përpjekjet e qeverisë kanë përfituar më shumë Romë. Qeveria raporton se 224 të rinj Romë dhe Egjiptianë janë punësuar përmes zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit gjatë vitit 2016, krahasuar me vetëm 140 gjatë vitit 2015.
Një përparësi tjetër është përmirësimi i aksesit në shërbime shëndetësore. Gjatë vitit 2016, qeveria raportoi se 21,054 Romë dhe Egjiptianë janë pajisur me karta shëndeti falas.
Gjithashtu, një hap i rëndësishëm dhe pozitiv në drejtim të përmirësimit të gjendjes këtë vit ishte edhe hartimi i një ligji të ri për banesat sociale. Megjithëse nuk është miratuar ende nga Kuvendi, projekt-ligji rrit në mënyrë të konsiderueshme  mundësinë e strehimit, çka do të thotë se më shumë Romë e Egjiptianë do të mund  të përfitojnë ndihmë. Gjatë vitit 2016, 10 bashki kanë marrë fonde nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban, me një vlerë prej më shumë se 100 milion Lekësh, që deri tani janë përkthyer në grante të vogla që kanë ndihmuar 20 familje të përmirësojnë shtëpitë e tyre, ndërkohë që grante të tjera pritet të jepen në vijim.
Shumë më tepër duhet bërë, veçanërisht në fushën e strehimit të qëndrueshme dhe ndërtimit të komuniteteve të integruara, për luftën ndaj qëndrimeve paragjykuese në periudhën afat-shkurtër dhe afat-gjatë dhe për akses të plotë dhe të barabartë në shërbime. Portali në internet ROMALB që ofron të dhëna për ofrimin e shërbimeve – dhe i cili është ri-jetësuar në vitin 2016, do të ndihmojë ne llogaridhënien e të gjitha palëve.
Një nga pikat e forta të Planit të Veprimit për Romët dhe Egjiptianët është se ai përcakton kostot për zbatimin e tij, si dhe angazhime të qarta të Qeverisë në këtë kuadër. Për të gjithë periudhën pesëvjeçare, Qeveria ka deklaruar se i nevojiten rreth 56 milion Euro dhe se do të jepte për këtë qëllim nga buxheti 31 milion Euro, duke mbetur për t`u plotësuar një sasi prej 25 milion Eurosh. Megjithëse shifrat nuk është e lehtë të konfirmohen, sepse duhen të përllogariten shpenzimet  e disa prej ministrive, për vitin 2016, ne kemi përllogaritur se Qeveria ka shpenzuar rreth 3.400.000 Euro. Ky kontribut është i konsiderueshëm, por duhet të bëhet më shumë për të siguruar që ky angazhim të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2017 dhe në vitet në vazhdim.
Ekipi i OKB-së në Shqipëri, nga ana e vet, e sheh këtë ecuri si një përparësi të përfshirjes sociale dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe, me rëndësi të veçantë për Objektivin 10 për Zhvillim të Qëndrueshëm që fokusohet te reduktimi i pabarazive. Ne jemi krenarë që punojmë nga afër me Qeverinë, shoqërinë civile dhe partnerët për zhvillim, duke përfshirë BE-në, Zvicrën dhe Italinë.
Programi i UNDP-së po piloton programe këshillimi të orientuara drejt familjes, që zgjerojnë veprimtaritë mbështetëse për drejtimin dhe punësimin, fuqizimin e shoqërisë civile dhe mobilizimin e komunitetit për pjesëmarrje më të gjerë, që ndër të tjera, do të ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës në komunitete dhe fuqizimin e përpjekjeve të tyre për advokim. Këto përqendrohen veçanërisht në Shkodër, Durrës, Tiranë dhe Berat. Vitin e shkuar, 146 Romë përfituan nga programet e punësimit, shpenzimet e të cilave mbulohen me ndihmën e punëdhënësve. 
UNICEF-i mbështeti miratimin e një Ligji të ri për Shërbimet e Përkujdesit Shoqëror në vitin 2016, që përcakton mekanizma për qeverisjen vendore, në mënyrë që nga ana e tyre të ndërmerren shërbime për përkujdesjen shoqërore për familje të ndryshme dhe për fëmijë në nevojë, përfshirë Romët dhe Egjiptianët. Qindra fëmijë më shumë kanë përfituar nga të mësuarit në moshë të hershme, falë nismës kombëtare “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht”, ndërkohë që disa përpjekje të tjera kanë si qëllim të identifikojnë fëmijë që janë jashtë sistemit arsimor, shumë prej të cilëve janë Romë.  9.000 mësues (100% e mësuesve që punojnë në klasat e dyta dhe të shtata) janë trajnuar nëpërmjet modulit“Profili i Mësuesit  Përfshirës”.
Në sektorin e shëndetësisë, hartimi i Dokumentit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues 2017-2021, mbështetur nga Fondi i Kombeve te Bashkuara për Popullsinë i kushton vëmendje të veçantë mënyrës se si programet kombëtare të shëndetësisë u përgjigjen dhe trajtojnë pabarazitë, faktorët sociale, çështjet  gjinore dhe të  drejtat e njeriut.
Axhenda 2030 ka në thelb një parim të thjeshtë: askush të mos lihet pas. Të gjithë duhet të luajmë një rol. Në këtë javë Rome, i kërkoj të gjithëve, dhe jo vetëm Qeverisë, të punojmë  për të rrëzuar pengesat që shkaktojnë përjashtim dhe të veprojmë  në mënyrë përfshirëse. 

* Koordinator i Përhershëm i  OKB-së, në Shqipëri

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY