Rama e dëgjon live Bashën cdo ditë, grila e zyrës gjysëm e...

Rama e dëgjon live Bashën cdo ditë, grila e zyrës gjysëm e ngritur

54
0
Shares

Si u zhvillua dje mbledhja e qeverisë në orën 11.00, nën thirrjet e Bashës nën sallën e kabinetit

Sytë janë mprehur më shumë në mjediset për rreth dhe brenda Kryeministrisë. Kjo gjë ndodh prej 5 ditësh. Nëse punonjësit e administratës qeveritare hapin dritaret, shohin çadrën e protestuesve të opozitës, e nëse i mbyllin ato, sërish zhurmat hyjnë brenda zyrave të tyre. Si çdo të mërkurë, në orën 11:00 në Kryeministri u mblodhën të gjithë anëtarët e kabinetit për mbledhjen e javës.

Të parët që hynë nga dera e pasme e godinës, andej nga hyjnë zakonisht, ishin zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Vjollca Braho, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti e pak pas tij, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

E ndërsa ata u ngjitën në sallën e katit të dytë, ku mblidhet Këshilli i Ministrave, një urdhër erdhi për punonjësit e Gardës, në katin e parë: “Shtoni masat e sigurisë”. Në fakt, dy mund të ishin arsyet për këtë shtim masash: ose prania e të gjithë ministrave në të njëjtën godinë, ose ky ishte një urdhër në vazhdën e atyre që janë dhënë gjatë 5 ditëve të protestës së opozitës.

Por, gjithsesi masat e policisë jashtë godinës, ndryshe nga dita e parë e protestës, janë më të reduktuara. Punonjësit e Gardës në mjediset e jashtme të godinës së qeverisë janë më të kujdesshëm të kontrollojnë çdo mjet apo çdo person që hyn në institucion. Pak punonjës të FNSH-së janë aty rrotull, disa metra nga protesta, masa këto që në fakt janë marrë gjithmonë në raste protestash për çdo të papritur.

Në të njëjtën orë me mbledhjen e qeverisë, fiks në 11:00, zëri i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dëgjohej qartë brenda mureve të godinës së Kryeministrisë. Ajo që na thonë brenda zyrave të godinës, ku janë vendosur edhe ministritë pa portofol apo edhe Departamenti i Administratës Publike, zhurma e protestuesve është bërë shqetësuese. Veçanërisht ky është një problem për ata që punojnë nga ana e bulevardit, ku është vendosur çadra.

“Kemi ulur grilat për të bllokuar disi zhurmën”, na thotë një nga punonjëset e Kryeministrisë. Më e bezdisshme zhurma bëhet në orët e pasdites, kur në çadrën e protestës buçet edhe muzika. Më fatlumët duket se janë ata që i kanë zyrat nga ana e prapme e godinës. Por, përkundër shqetësimit të punonjësve, kreu i qeverisë, Edi Rama, siç na thonë bashkëpunëtorët e tij, e ka marrë me sportivitet të gjithë atë çka ndodh poshtë zyrës së tij.

Madje nga vëzhgimi i djeshëm, dritaret e zyrës së tij janë ndoshta të vetmet nga ana e bulevardit që e kanë pak të hapur grilën. Duket se kryeministri nuk ka nevojë ta dëgjojë në TV atë që thotë kreu i opozitës, Lulzim Basha, pasi e ka shumë pranë dhe e dëgjon më së miri.

Nuk kanë qenë të pakta momentet kur zhurma ka depërtuar edhe në aktivitete që janë zhvilluar këto ditë në sallën e quajtur COD, e cila ndodhet në katin e parë, nga pamja kryesore e godinës. Madje dje kryeministri, veç mbledhjes së përjavshme të qeverisë, drejtoi edhe një tjetër aktivitet, pikërisht në sallën e Hartave, atë të firmosjes së marrëveshjes me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për zbatimin e projektit për informacionin gjeo-hapësinor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën Tiranë-Durrës.

Gazeta Shqiptare

.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY