45 deputetë s’kanë folur asnjë fjalë këtë sezon, parlamenti kryesisht i debateve...

45 deputetë s’kanë folur asnjë fjalë këtë sezon, parlamenti kryesisht i debateve personale

41
0
Shares

Një monitorim i punimeve të Parlamentit në Tiranë nxjerr në pah shpenzimin e kohës nga deputetët për akuza të ndërsjella me sfond politik dhe miratimin e pak ligjeve.

Rreth 45 deputetë, ose një në tre anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë, nuk kanë thënë asnjë fjalë në seancat plenare apo gjatë punës së komisioneve kuvendore në sezonin e fundit shtator–dhjetor 2016. Ky kontigjent “vegjetues” është evidentuar nga një monitorim që ka realizuar Instituti i Studimeve Politike, një organizatë e njohur joqeveritare në Tiranë. Pasi vëzhguan aktivitetin e institucionit ligjvënës në sezonin parlamentar janar-korrik 2016 aktivistët dhe ekspertët e ISP-së rivendosën “lupën” për të dokumentuar gjithçka nga dita e punës për të zgjedhurit nga populli.

Krahas deputetëve “spektatorë”, monitorimi ka dokumentuar edhe aspekte, të cilat zbulojnë shpenzim të energjive pafund nga deputetët për agjendën e tyre personale politike sesa për pjesmarrje në diskutime projektligjesh apo çështjesh me dobi për zgjedhësit e tyre. Koha që ata marrin për të folur apo për të debatuar duket se ka lidhje me performancën para kamerave të gazetarëve, si në një fushatë elektorale.

Për shembull, deputetët kryesorë që kanë marrë fjalën thuajse në çdo seancë plenare të ditëve të enjte, ku ka transmetime direkte nga disa televizione informative, kur vjen puna tek seancat në komisionet parlamentare ata s’janë pjesmarrës fare. Shkaku është se në këto seanca nuk ka mbulim të zgjeruar mediatik.

Në 4 muaj janë miratuar vetëm 4 ligje

Drejtori i Institutit, prof.asc. Afrim Krasniqi, duke treguar për Deutsche Welle-n gjetje nga projekti monitorues përqëndrohet së pari tek mënyra se si punohet në disa prej komisionet kryesore parlamentare si i punëve të jashtme, mediave, ligjeve apo i ekonomisë, ku koha më e madhe e punës janë zënkat mes kryetarit dhe nënkrytarit të komisionit, që janë përfaqësues nga krahë të ndryshme politike. Në vend që deputetët ta orietojnë diskutimin e tyre bazuar tek përfaqësuesit që janë të ftuar për të informuar dhe prezantuar aktivitetin e institucioneve, komisioni përfshihet nga akuza kundërthëse mes kryetarit dhe nënkryetarit.

“Nëse në komisione energjitë harxhohen për replika personale dhe me sfond politik, nëse në seancë plenare koha shkon me luftë mes grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës, atëherë kuptohet dhe produkti. Për periudhën shtator – dhjetor 2016 Parlamenti arriti të miratojë vetëm 4 ligje. Justifikimet janë se ‘qeveria nuk sjell projektligje apo nuk ka nisma ligjore’, ose të tjerë thonë se ‘mungojnë iniciativat nga grupe deputetësh për ligje, siç e parashikon kushtetuta’ apo ‘se ka pak ekspertë ligjorë në Parlament’. Ne mendojmë se ka një deformim të punës se komisioneve në parlament, ku deputetët shndërrohen në mbrojtës ose kundërshtarë të flaktë të të ftuarve. Personalizimi i debateve ndodh dhe për shkak të situatës në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit të këtij viti”.

Aktivistë dhe ekspertë të Institutit të Studimeve Politike konstatojnë se disa prej deputetëve këtë periudhë e shohin si mundësi të artë për të bërë protagonistin tani që selitë e partive kryesore politike po draftojnë listat e deputetëve të Parlamentit të ardhshëm. Një konkluzion tjetër është dhe fakti se ligjet me karakter politik hyjnë menjëherë për procedura diskutimi dhe votimi në seancë plenare, pasi vlerësohen për interesa të vetë politikanëve që i mbështesin, ndërkohë që ligje që sanksionojnë funksionimin e institucioneve të caktuara presin për një kohë të gjatë në rradhë për shqyrtim. Pikërisht këto ligje janë me impakt për forcimin e sistemit demokratik dhe përmirësimin e performancës së institucioneve.

/DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY