ANALIZA/ Rama, kryeveziri që na mat brrylin dhe pozita e vështirë e...

ANALIZA/ Rama, kryeveziri që na mat brrylin dhe pozita e vështirë e Bashës

42
0
Shares

Analisti Agron Gejkmarkaj në një opionin publikuar sot në Panorama analizon situatën e vendit nën drejtimin e Ramës, numëron gjëmat që ndodhin përditë, që nga vrasjet, grabitjet e bankave, e policia që i bën sehir.
Nisur nga këshilla e një qytetari të dehur në rrugë,  ai shkruan
“I dehuri ka të drejtë të dehet përsëri, kur partia shndërrohet në frotë e skotë, kur dudumi shndërrohet në Demosten, kur shakllabani bëhet ministër, kur surratqerepi bëhet deputet, kur krimineli nderohet më shumë se çdo intelektual dhe të sikteris mbi bibliotekën, librat dhe shkollën tënde. I dehuri ka të drejtë të dehet përsëri, sepse Kryeministri ia ka dalë të rrethohet nga numra dhe maska.Sipas tij, I dehuri ka të drejtë të dehet përsëri, sepse Lulzim Basha, shefi i opozitës, është në pozitë të vështirë. Në oborrin e tij të gjithë duan të bëhen deputetë.
AGRON GJEKMARKAJ
Dje në rrugë më ndaloi një qytetar, të cilin nuk e njihja. Me gjasë kishte hedhur disa kupa shpejt e shpejt që në ag të ditës. Kushedi i yshtur nga cëgmi, për t’u ngrohur e pak për të mbytur ndonjë mërzi, ajo qerrateshe raki e kishte vënë përpara duke luajtur me tahmahin dhe hallin e tij.
Me guximin që karakterizon të dehurit dhe sigurinë, e cila dominon arsyen e çdo zog shqiptari, kishte vendosur të më jepte falas disa këshilla. Pa kortezi të theksuar, m’u paraqit e më tha mes gromësimash që shpërndante alkooli në disa metra katrorë:
“O zotëri, fol e shkruaj sa të duash se këta po bëjnë lekë, madje nëse nuk i kritikoni, mërziten se u mungon fasada demokratike! Do të ishte mirë të heshtni të gjithë. Ju jeni pa e kuptuar kolaboracionistë”. Me vikati në fytyrë teksa qortueshëm më tundi gishtin duke skërmitur ca fjalë në gjermanisht, të cilat nuk i mora vesh, si për t’i dhënë gjestit një solemnitet ushtarak.
M’u kujtua një paragraf nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, ku At Gjon Shllaku, filozofi e profesori që do pushkatohej nga banditët e Enver Hoxhës, “ndërtues të botës së re”, paskësh biseduar me një burrë me të meta mendore, të cilin françeskanët e mbanin aty në kuvendin e tyre për ta ndihmuar. Frati i thoshte, “a ta ndërrojmë kryet me njëri-tjetrin” dhe ai ikte me vrap ngaqë besonte vërtet se kokat ndërrohen.
Gjon Shllaku, duke qeshë, do të shprehej “ka ardhë koha me ja pasë lakmi një të marri”! Ishte viti 1944. Ndërsa sot, në vitin 2016, ka ardhë koha me ua pasë lakmi të dehurve, të cilët janë më të qartë se të gjithë ata që rrinë esëll gabimisht.
Ditë e trazuar, kthehem në shtëpi dhe shoh në lajme Kryeministrin që na mat bërrylin pa iu dridhur qerpiku i vet, duke dridhur qerpikët tanë nga befasia. Pasi ka eksperimentuar gjithçka, i është shkrepur në rradake, si qershi mbi tortë, para festave na mat bërrylin.
 nuk habitem nëse bën si Kadri Roshi në një film dhe na tregon live të pasmen. Hajde mos mendo që i dehuri nuk kishte të drejtë. Këtu, qindra miliona euro nga taksat tona shndërrohen në koncesione dhe prej tyre mbetet në kujtesë veç shifra marramendëse 300 milionë a më tepër euro.
Produkti i tyre u tret si flokë dëbore nga sytë tanë, për t’u shndërruar në pasuri e llogari bankare, vila, makina, pushime etj., ndërsa me pensionistët tallen për një shpërblim qesharak. Kryetari i Bashkisë flet për sheshin “Skënderbej”, por mbetet e paqartë nëse ka leje për garazhin poshtë tij. Në është ai abuziv apo jo? Parimi i mbretit-diell “shteti jam unë”, pa pasur asgjë mbretërore në ekzistencën e pretenduesve, është veç burim korrupsioni.
Ditë plot me lajme këto të funddhjetorit! Vidhen tri banka dhe hajnat, sipas parimit këmbët e lehta faqja e bardhë, bëhen erë dhe policisë i mbetet kujm veç një video nga kamerat e sigurisë për të vajtuar mbi të me refrenin “në të zënça dot gubere do ta bëj si tjatër herë!”. Kanabisi ynë po qeras gjithë Europën me bollëk, çdo ditë dhjetëra tonë. Ritmi i informacioneve për të ka rënë, sepse po merr statusin e lajmit rutinë. Ky është pranimi i së keqes si normalitet.
, herë pas here, na mban fjalime të nxehta e të ngrohta, rreshton motorët dhe makinat në shesh, të cilët bëjnë nga një xhiro hijerëndë rrugëve kryesore, si në paradë, si për të thënë “shteti e zë lepurin me qerre”. Shprehja standarde “policia është në punë” na shpon veshët çdo ditë.
Pyetja naive që bëjmë është: në çfarë pune? Ku punon dhe për kë policia? I dehuri ka të drejtë të dehet prapë kur shesh se vendi administrohet nga njerëz që kanë arsimim më poshtë se niveli mesatar i popullsisë. Ata e kane zët dijen, kulturën, arsimin, por nuk e fshehin pasurinë e pamerituar, madje ta plasin në fytyrë, e bëjnë vetë, e bëjnë gratë e fëmijët, servilët dhe shpurat përreth tyre. Ironia e fatit u ka vënë në gojë togfjalëshin “Reformë në Drejtësi” dhe fjalën “veting”.
I dehuri ka të drejtë të dehet përsëri, kur partia shndërrohet në frotë e skotë, kur dudumi shndërrohet në Demosten, kur shakllabani bëhet ministër, kur surratqerepi bëhet deputet, kur krimineli nderohet më shumë se çdo intelektual dhe të sikteris mbi bibliotekën, librat dhe shkollën tënde. I dehuri ka të drejtë të dehet përsëri, sepse Kryeministri ia ka dalë të rrethohet nga numra dhe maska. Pas tij s’ka më identitete, s’ka më individë. Ata njohin komandën, urdhrin dhe jo ligjin.
Në këmbim marrin karrierë dhe të mira materiale. Ky është triumfi total i barkut mbi mendjen, i instinktit mbi arsyen, i servilosjes mbi dinjitetin. Ky është triumfi i Kryeministrit, i cili me fitoret dhe sukseset e veta, apo dominimin total, po mund qytetarët dhe vendin e tij, duke e bërë atë të pajetueshëm. Tanimë, edhe brenda koalicionit të “Rilindjes” si zëvendëskryerilindas, Ilir Meta është përballë zgjedhjes historike “Sokrat i vuejtun apo derr i knaqun”.
Ai me grekët, me të drejtë, i ka ulur tonet, siç e lyp fqinjësia e mirë, por ta shohim në do ta joshë Sokrati apo jo, ndonëse LSI-ja fort sokratike nuk duket.
I dehuri ka të drejtë të dehet përsëri, sepse Lulzim Basha, shefi i opozitës, është në pozitë të vështirë. Në oborrin e tij të gjithë duan të bëhen deputetë.
Duan të gjithë ata që kanë qenë gjithmonë që e bëjnë atë punë, se tashmë u pëlqen, si një e drejtë hyjnore. Nuk ua bën zemra ta lënë, sikur demokratët apo edhe të tjerët duhet të votojnë historikisht për t’u gjetur atyre vend pune! Po kaq një aradhë të rinjsh, që kanë kuptuar se ia vlen të ecësh në shembullin e mësuesve e duan me domosdo një vend në Kuvend.
U bëhen sytë gacë dhe xhani prush mbyllin sytë e prehen ah do të bëhem deputet do më rritet ymri e shtohet hyqmi dorën nuk do ta nxjerr nga xhepi. Shumë syresh bëjnë çmos që kamera t’i kapë pranë Bashës, që ta shesin si promovim. Disa prej tyre, “të vjetër” a “të rinj”, duan një karrige për vete dhe s’e kanë hallin mbetet apo ikën Edi Rama, rri Shqipëria siç është apo bëhet më e mirë.
Opozita është e dënuar veç të ketë marrëdhënie me të vërtetën, pa bërë shumë politikë, ta shohë atë në sy dhe të bëhet zëdhënëse e saj, thotë një miku im poet. Kalbësia e sistemit ka prekur fort edhe PDnë. Bashës i duhet të bëjë edhe kirurgun. Nëse i dehuri që më këshilloi më lexon, e ftoj për kafe për të ma shpjeguar më mirë postulatin e tij. Ne kritikojmë, e Kryeveziri na quan kazan.
Të gjithë janë mësuar me këtë marrëdhënie, madje edhe qeshin. Ky është suksesi i Edi Ramës. Dilemë e madhe, të flasësh e të bësh fasadën, apo të heshtësh e të bësh fasadën?! Edi Rama të mat bërrylin.
Ai vran e kthjell si të gjithë despotët narcizistë të dashuruar me pasqyrën. Ky popull esëll nuk e thyen atë. Mbase i dehuri ia terezit më mirë. Pini, o njerëz, kënaqeni gurmazin, nomasni avuj për të shkurtuar çdo distancë njerëzore. Do të gjykoni më të drejtë se gjithë ditët e jetës të marra së bashku.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY