Në Shqipëri ka më shumë të paraburgosur se sa të burgosur

Në Shqipëri ka më shumë të paraburgosur se sa të burgosur

38
0
Shares

Ministria e Drejtësisë, propozon disa ndryshime të tjera në Kodin penal, ndërsa propozimet e saj, i ka hedhur për diskutim publik.
Kjo gjë bëhet e ditur nëpërmjet një letre që ministria e Drejtësisë i adreson grupeve të Interesit, ku vëren me shqetësim midis të tjerave se në Shqipëri ka më shumë persona në paraburgim se sa në burg.

Letra e plotë

Pas shumë konsultimesh që bëmë me Prokurorë, Gjyqtarë, Avokatë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, vërtetuam një shqetësim të kahershëm që ekzistonte në Ministrinë e Drejtësisë, atë të një drejtësie penale jo eficente.
Prej kohësh, ministrat e drejtësisë kanë konstatuar se në sistemin tonë penitenciar gjenden më shumë të paraburgosur sesa të dënuar. Nga ana tjetër, përdorimi i masës së sigurisë “arrest me burg” është një masë shtrënguese shumë e përdorur, pavarësisht masave të tjera alternative që legjislacioni penal parashikon.
Shoqëria civile dhe institucionet që monitorojnë zbatimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kanë bërë gjithnjë konstatime negative në lidhje me këtë gjendje. Drejtësia penale është më e prekshmja për sytë e opinionit publik, e për pasojë çdo raport konstatues merr edhe vëmendje të lartë.
Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të Prokurorisë dhe të Policisë së Shtetit kanë konstatuar se legjislacioni ynë procedural penal lejon aplikimin e dy dhe më shumë standardeve në vendosjen e masave të sigurisë në procesin penal.
Neni 27 i Kushtetutës përcakton termin “dyshim i arsyeshëm”, por Kodi i Procedurës Penale nuk e specifikon se çfarë do të thotë ky term në kushte konkrete. Mos detajimi i kësaj terminologjie bën të mundur përdorimin abuziv të masave të sigurimit ndaj personave të dyshuar për kryerjen e një vepre penale.
Kemi vlerësuar se duhet ta përkufizojmë dhe zbërthejmë mirë se çdo të thotë dyshim i arsyeshëm. Kjo nismë propozimesh sipas nesh përbën një transformim të madh të ndjekjes penale, sepse godet përfundimisht kulturën e abuzimit dhe të zbatimit selektiv, të interpretimit të gjerë dhe “sipas dëshirës” të ligjit, duke e vendosur atë në shina parimore dhe të barabarta për të gjithë.
Nga ana tjetër, ky transformim vendos në pozita të forta përgjegjshmërie prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, sepse tashmë këto ndryshime që ne propozojmë, kërkojnë saktësi hetimore dhe përgjegjshmëri të lartë në ushtrimin e ndjekjes penale.
Ndryshimet që propozojmë synojnë gjithashtu të vendosin Gjykatën e Lartë realisht në rolin e saj unifikues dhe drejtues të praktikës gjyqësore dhe jo si gjykatë e shkallës së tretë. Ky është një propozim gjithashtu me natyrë transformuese, sepse pritet të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si administrohet dhënia e drejtësisë penale në gjykata.
Përveç ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, propozojmë gjithashtu edhe disa ndërhyrje saktësuese në Kodin Penal në lidhje me:
– Rregullimin e disa dispozitave me qëllim përmirësimin e trajtimit të të miturve nga sistemi i drejtësisë penale;
– Zgjerimin e rasteve të aplikimit të masave alternative të vuajtjes së dënimit dhe orientimin drejt aplikimit të masës së arrestit me burg dhe dënimit me burgim, si masa të fundit;
– Rritjen e efikasitetit të luftës kundër kultivimit, trafikimit, tregtimit të bimëve dhe lëndëve narkotike, uljen e ofertës së drogës, dhe parashikimin e dënimeve proporcionale lidhur me sasinë e llojin e tyre;
– Rishikimin e veprave penale në fushën e shëndetësisë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mirëfunksionimin e sistemit.
Materialet e plota te shperndara per mendim i gjeni do te mundesohen se shpejti ne faqen zyrtare te Ministrise se Drejtesise.
Ministria e Drejtesisë mirëpret komente dhe sugjerime në adresën:

konsultime@drejtesia.gov.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY