Përmbytjet në autostradë, dëmi 10 milionë Euro, qeveria braktis bizneset

Përmbytjet në autostradë, dëmi 10 milionë Euro, qeveria braktis bizneset

101
0
Shares

Mbi 30 biznese të autostradës Tiranës-Vorë deklarojnë më shumë se 10 milionë euro dëme nga përmbytjet e mëngjesit të 8 nëntorit. Të gjendur përballë indiferencës totale të pushtetit lokal të Vorës e Tiranës dhe institucioneve qendrore, ata janë bashkuar dhe kërkojnë reagimin e institucioneve. Letra dërguar kryeministrit dhe zemërimi i sipërmarrësve: Shteti na ka braktisur. Ndarja e re territoriale lë si mall pa zot infrastrukturën kulluese…
Prej disa javësh, moti është i ftohtë dhe i thatë, por gjurmët e shirave të furishëm të mëngjesit të 8 nëntorit janë ende të dukshme në pjesën më të madhe të bizneseve të segmentit të autostradës Tiranë-Vorë. Ndërsa sipërmarrësit vijojnë të bëjnë llogaritë e dëmeve, ata rrinë me sytë nga qielli, me frikën se një përsëritje e përmbytjeve do të ishte fatale për ta.
Dhe nuk mjaftoi vetëm egërsia e natyrës, ata tashmë po përballen me një goditje tjetër edhe më të rëndë e të hidhur: indiferencën e pushtetit vendor të Vorës e Tiranës dhe institucioneve qendrore. Kur ka kaluar një muaj nga vërshimi i ujërave me rrëmbim brenda pak minutash, askush nuk është afruar të bëjë një vlerësim të shkaqeve që çuan në këtë katastrofë, nëse ishin thjesht natyrore, për shkak të infrastrukturës kulluese të amortizuar, apo dhe gabim njerëzor në hapjen e rezervuarëve. Por ajo që i shqetëson më shumë sipërmarrësit është fakti që nuk po punohet për të rregulluar kanalizimet e autostradës, apo infrastrukturën mbështetëse kulluese në të gjithë zonën ku ndodhi përmbytja, ndërsa ndarja e re territoriale ka shkaktuar një rrëmujë totale në kompetencat e pushtetit qendror dhe atij lokal.
Të gjendur përballë kësaj shurdhërie totale, teksa vëmendja e investimeve publike po shkon për fasadat e Rilindjes urbane, sipërmarrësit, pasi tentuan pa sukses të veçuar të tërhiqnin vëmendjen e pushtetit lokal e qendror, kanë krijuar Bashkimin e Bizneseve Vorë-Tiranë.
Në datën 18 nëntor, ata i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, kreut të Bashkisë së Tiranës, Bashkisë së Vorës, ministrave të Ekonomisë, Bujqësisë, Mjedisit, Financave e Drejtoreshës së Tatimeve, ku kërkojnë:
-marrjen e masave urgjente për rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen. Për këtë kërkojmë që në mënyrë urgjente të fillojë pastrimi dhe rehabilitimi i gjithë infrastrukturës së ujërave dhe aksesi i bizneseve (kanalet kulluese, përroi i Kasharit, nënkalimi i Kasharit, kanalet ujore nën trasenë e autostradës në këtë segment, deri në derdhjen e tyre në lumë etj).
-evidentimin dhe formalizimin e dëmit total aktual dhe potencial, përfshi edhe fitimin e munguar.
-Duke pasur parasysh që çdo gjë ndodhi në vetëm 5 minuta, do të kërkonim asistencën tuaj në zbardhjen e shkakut të kësaj përmbytjeje. Sipas vlerësimit tonë, përmbytja nuk është shkaktuar nga reshjet natyrore, por si pasojë e hapjes së portave të rezervuarëve të zonës (liqeni Gjokaj, Picar dhe Rezervuari Kashar).
-Është fakt që në mënyrë individuale, shumë biznese kanë komunikuar formalisht me disa institucione, por fatkeqësisht akoma nuk vërehet një reagim serioz për zgjidhjen e problemit.
Në letër paralajmërohet se “situata e bizneseve është tepër kritike dhe kërkon reagim serioz dhe konkret nga ana juaj. Në këto kushte, çdo vonesë mund të shoqërohet në mbyllje biznesesh dhe jo vetëm të huaja, por edhe vendase”.
Shkresa është e firmosur nga drejtuesit e 32 bizneseve në zonën e autostradës Tiranë-Vorë.
Arti Elezaj i kompanisë Artgres, i cili është përfaqësues i autorizuar i Këshillit të Bashkimit të Bizneseve Vorë-Tiranë tha për ‘Monitor’ se e vetmja përgjigje që kanë marrë nga kryeministri ishte një shkresë që e përcillte shqetësimin tek institucionet përkatëse, që atyre iu duk më shumë një reagim sa për të kaluar radhën. “Ndihemi të ofenduar e të braktisur nga ky pushtet, pasi askush nuk erdhi të pyesë se çfarë ndodhi e çfarë problemesh kemi, ndërsa taksat i kërkojnë një më një. Nuk pati asnjë reagim, as nga pushteti lokal dhe as nga ai qendror. Sot po detyrohemi që kanalet t’i hapim vetë”.
Institucioni më i disponueshëm ka qenë ai i Prefekturës së Tiranës, ndërsa nga të dy bashkitë, si ajo e Vorës, ashtu dhe e Tiranës nuk ka pasur asnjë interesim dhe askush nuk ka ardhur të shikojë nga afër situatën, pavarësisht se u është kërkuar shumë herë. Pjesa më e madhe e subjekteve janë nën juridiksionin e Bashkisë së Vorës, ndërsa pak prej tyre, por gjithsesi më të mëdhenjtë, janë nën atë të kryeqytetit.
Arjan Mene, administrator i Deka-s, thotë se përpara se të bashkohej me bizneset e tjera, ai iu drejtua fillimisht Bashkisë së Vorës për të raportuar dëmet. Në këtë Bashki ai u has me një rrëmujë totale, ku zyra e Emergjencave Civile ishte ende në krijim e sipër, me disa punonjës të rinj, që nuk dinin të jepnin drejtim për asgjë, madje institucioni nuk kishte as vulën përkatëse.
“Kjo është një klimë tepër e papërshtatshme për të bërë biznes”, thotë z. Mene. “Nuk kemi asnjë fjalë dhe asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore, lokale, apo qendrore”.
I revoltuar është dhe administratori italian i kompanisë APG, Ciro Donzella. Teksa ka mbi 20 vjet që jeton në Shqipëri dhe e ka mësuar mirë edhe gjuhën, ai nuk e kursen ironinë kur thotë se “këtu në Shqipëri kur është puna për të ngrënë, vijnë të gjithë, ndërsa kur ke një hall të gjithë largohen”. Ai llogarit një dëm prej 50 milionë lekësh për kompaninë e tij.
Reagimi i bizneseve
“Ndihemi të ofenduar e të braktisur nga ky pushtet, pasi askush nuk erdhi të pyesë se çfarë ndodhi e çfarë problemesh kemi, ndërsa taksat na i kërkojnë një më një. Nuk pati asnjë reagim, as nga pushteti lokal dhe as nga ai qendror. Sot po detyrohemi që kanalet t’i hapim vetë”.
Dëmet i kalojnë 10 milionë euro
Bizneset janë ende në fazën e vlerësimit të dëmeve, por nga disa llogaritje paraprake ato i kalojnë 10 milionë euro. Kompania e prekur më shumë është Alumil Albania, që gjendet nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, e cila ka llogaritur paraprakisht një dëm prej rreth 2.5 milionë eurosh, në materiale, por dhe prishjen e katër robotëve me vlerë 500 mijë euro secila.
Mene i Deka-s thotë se dëmi në kontabilitet, i konfirmuar dhe nga tatimet është 54 milionë lekë, ndërsa dëmi total, edhe nga fitimi i munguar e kosto oportune i kalon 100 milionë lekë. Në nëntor, kompania realizoi vetëm 30% të shitjeve të zakonshme mujore, duke lëshuar terren për konkurrencën. “Uji erdhi si dallgë nga muri rrethues dhe u përmbyt gjithçka brenda 5-10 minutash”, tregon Mene. Kompania është detyruar të blejë një copë tokë aty afër, që të mundësojë kalimin e makinave e të njerëzve, pas shkatërrimit të infrastrukturës.
Elezaj i Artgres pohon se dhe në kompaninë e tij, dëmi i kalon 50 milionë lekë. Aktiviteti ka rifilluar, pasi përndryshe nuk mund të mbijetonte dhe punonjësit kërkojnë pagesat, por shenjat e ujit kanë mbetur në katin e parë.
Sajmir Preni, administratori i EN&SHI 2007, që tregton tapete e dyshekë, thotë se ai është përmbytur katër herë në ditët famëkeqe të nëntorit, teksa tregon fotot pak pas përmbytjes, ku uji në magazinat tre metra të larta, i ka zaptuar mbi dy metra. Edhe ai përllogarit një dëm rreth 35 milionë lekë.
Në total, siç kanë saktësuar dhe në shkresën dërguar kryeministrit, bizneset që janë prekur nga përmbytja kanë investime prej mbi 150 milionë eurosh dhe kanë rreth 2000 të punësuar, kryesisht nga zona aty rrotull. Në listë ka kompani të njohura e të mëdha, si Alumil, Mercedes Benz, Deka, Olim, Artgres, Koral Sole, Millicolor, Shegatrans, Novatex, Concept Design, Euroclima, Global-gaz etj.
Dëmet
Bizneset janë ende në fazën e vlerësimit të dëmeve, por nga disa llogaritje paraprake ato i kalojnë 10 milionë euro. Kompania e prekur më shumë është Alumil Albania, që gjendet nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, e cila ka llogaritur paraprakisht një dëm prej rreth 2.5 milionë eurosh, në materiale, por dhe prishjen e katër robotëve me vlerë 500 mijë euro secila. Në total, siç kanë saktësuar dhe në shkresën dërguar kryeministrit, bizneset që janë prekur nga përmbytja kanë investime prej mbi 150 milionë euro dhe kanë rreth 2000 të punësuar, kryesisht nga zona aty rrotull. Në listë ka kompani të njohura e të mëdha, si Alumil, Mercedes Benz, Deka, Olim, Artgres, Koral Sole, Millicolor, Shegatrans, Novatex, Concept Design, Euroclima, Global-gaz etj.
Rrëmuja me basenet, tashmë janë të pushtetit lokal, por ai s’po i menaxhon dot
Një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 30 dhjetor 2015 ka urdhëruar transferimin nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave tek Bashkitë, të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit.
Si rrjedhojë, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, dhe asetet e paluajtshme, kaluan nga bordet e kullimit te bashkitë, në territorin e të cilave është vendndodhja e tyre. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, bashkitë janë përgjegjëse për administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të tyre, sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe sigurinë e digave të rezervuarëve që përdoren për ujitje dhe që u janë transferuar bashkive.
Vendimi parashikon që Bashkitë bashkëpunojnë dhe koordinojnë punën për planifikimin e nevojave për ujë për ujitje, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e sistemeve të ujitjes e të kullimit me strukturat rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, që administrojnë infrastrukturën kryesore në këto sisteme.
Por kjo rritje e kompetencave të bashkive, në kuadër të reformës së re territoriale, të paktën për zonën në fjalë, po rezulton problematike dhe basenet kanë mbetur si malli pa zot. Sipërmarrësit pohojnë se ata janë hasur në paaftësinë e Bashkisë së Vorës për të menaxhuar situatën, ndërsa personeli i baseneve është në proces transferimi.
Fatlum Nurja, ekspert i çështjeve vendore pranë USAID, pohon se bashkë me infrastrukturën e kullimit, bashkive u kanë kaluar dhe financat përkatëse, përmes transfertave specifike. Në disa bashki kjo ka funksionuar, si p.sh., në Shkodër, ku po rehabilitohen kanale që nuk janë hapur prej 20 vitesh, apo në Fier e Lushnjë.
Por, ai shton se kjo është dhe çështje prioritetesh të qeverisjes lokale se ku i kanalizojnë ata fondet, teksa kryetarët e bashkive janë të orientuar të investojnë në gjëra të dukshme për përmirësimin e pamjeve të bashkive që drejtojnë.
Ai pranon se ka dhe një zhvendosje të vëmendjes, pasi është hera e parë që kalon infrastruktura e kullimit te pushteti lokal, ndërsa ka pasur dhe akuza se fondet kanë qenë të vogla.
Sipas Bankës Botërore, duhen investuar 400 milionë dollarë për t’i vënë në eficiencë kanalet vaditëse dhe kulluese.
Shkaqe natyrore, apo mungesë investimesh në infrastrukturën e kullimit
Përfaqësuesit e bashkimit të Bizneseve Vorë-Tiranë thonë se Ministria e Bujqësisë, ndonëse nuk është më pronare e infrastrukturës së kullimit, është treguar bashkëpunuese. Ekspertët e saj kanë pohuar se sasia e reshjeve e rënë në datën 8 nëntor, ndonëse ishte intensive, nuk ishte më e larta e regjistruar.
Duke u gdhirë 8 nëntori i këtij viti kanë rënë 120 mm shi, ndërsa sasia më e madhe e regjistruar e reshjeve në atë zonë është në vitin 2007, me mbi 140 mm shi.
Kanalet nën autostradë, thonë sipërmarrësit, janë të bllokuara apo dhe të zaptuara, ndërsa dhe mbjellja e palmave në zonën Kashar-Laprakë është shoqëruar me ngushtim të kanaleve kulluese. Këta faktorë janë kombinuar me bllokimin e përroit të Limuthit, por dhe me hapjen e dyshuar të rezervuarëve të liqeneve Gjokaj, Kashar dhe Picar. Për këtë arsye, bizneset thonë se është e domosdoshme të bëhet një hetim për shkaqet që çuan në përmbytjen masive dhe të merren masat e menjëhershme për të rregulluar infrastrukturën kulluese, që një rast i tillë të mos përsëritet më. Por deri tani, nga autoritetet qendrore e lokale ka pasur vetëm heshtje dhe injorim të fakteve.
Shkaqet
Kanalet nën autostradë, thonë sipërmarrësit, janë të bllokuara apo dhe të zaptuara, ndërsa dhe mbjellja e palmave në zonën Kashar-Laprakë është shoqëruar me ngushtim të kanaleve kulluese. Këta faktorë janë kombinuar me bllokimin e përroit të Limuthit, por dhe me hapjen e dyshuar të rezervuarëve të liqeneve Gjokaj, Kashar dhe Picar.
Kronika e një katastrofe të paralajmëruar
Elezaj na tregon një ankesë, me të cilën i është drejtuar Bashkisë së Vorës, që në maj të vitit 2015, ku i kërkon pastrimin e kanaleve kulluese, pasi ambientet rrezikonin përmbytjen, teksa kanalet nuk ishin pastruar. “Në territorin tim i kam pastruar vetë prej 10 vitesh”, thuhet në ankesën e dërguar Bashkisë së Vorës.
Në datën 11 nëntor të këtij viti, Artgres i ka dërguar sërish shkresë Bashkisë së Vorës, pasi ajo e datës 8 nuk ishte protokolluar, ku e informonte për përmbytjen në një lartësi mbi një metër. “Arsyeja që po jua dërgojmë lidhet me faktin që kanali kullues nuk është pastruar asnjëherë dhe pas shumë kërkesash që ju kemi dërguar, por që kanë rënë në vesh të shurdhët. Ju kemi njoftuar dhe më parë se kanali ngjitur me Dua Gaz dhe rrugën që lidh me hotel Roya Hill është i zaptuar dhe i bllokuar. Nuk keni marrë masat për hapjen e kanalit të bllokuar, për këtë arsye ndërmarrja jonë është përmbytur. Ju kërkojmë urgjentisht të hapet kanali. Kërkojmë që taksat vendore për pronën, për arsye jo shërbimi të na kthehen dhe të mos na planifikoni për vitin 2017. Kërkojmë shërbime dhe kushte të favorshme për të bërë biznes, që lidhen direkt me shërbimet e infrastrukturës dhe pastrimin e kanaleve kullues”, thuhet në shkresë.
Por kërkesa ka rënë në vësh të shurdhët, dhe sot kompania po detyrohet vetë të hapë kanalin, që të shmangë dëmin ekonomik në rast se bie sërish shi.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi
Përroi i Limuthit te City Park është kufiri ndarës mes Bashkisë së Tiranës e asaj të Vorës. Por, kur vjen puna për ndarjen e kompetencave apo për marrjen përsipër të përgjegjësive, topi kalon sa në një institucion te tjetri, ndërsa askush nuk merr përsipër përgjegjësitë.
Pavarësisht ankesave të shumta të bizneseve, për mungesë bashkëpunimi dhe mosreagim ndaj kërkesave të vazhdueshme të tyre, kryetari i Bashkisë së Vorës, z. Fiqiri Ismaili, nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi. I kontaktuar nga ‘Monitor’, ai tha se Bashkia e Vorës nuk ka atribut ligjor për përmbytjet. Ai pohoi se përmbytjet ndodhën vetëm nga shirat me intensitet të lartë, ndërsa mohon që të ketë hapje të digave të rezervuarëve.
Bashkia i ka marrë të gjitha masat brenda kompetencave të veta, duke pastruar kanalet, thotë ai, teksa shton se masat janë marrë dhe nuk pret të ketë përmbytje të tjera. Ndonëse infrastruktura kulluese i ka kaluar me vendim qeverie pushtetit lokal, z. Ismaili thotë se kanali kryesor varet nga Ministria e Bujqësisë. Ai shton se janë vetë bizneset që kanë bllokuar kanalet dhe duhet t’i pastrojnë.
Në Bashkinë e Tiranës, prej kohësh mungon transparenca dhe ky institucion nuk i është përgjigjur një kërkese për të drejtë informimi të ‘Monitor’ lidhur me mënyrën se sa të ardhura janë mbledhur nga Bashkia këtë vit dhe si janë shpenzuar ato.
Burime zyrtare nga Ministria e Transporteve pohuan se kanalizimet në autostradë nuk janë kompetencë e institucionit të saj të varësisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar. Dashamir Xhika, drejtor i Autoritetit tha se kanalizimet janë 4 metra larg autostradës, por pavarësisht kësaj ata kanë ndihmuar në ditën e përmbytjes me vendosjen në dispozicion të makinerive. Ministria e Transporteve pohon se ajo ka në pronësi vetëm akset kombëtare.
Në Ministrinë e Ekonomisë, që ndër të tjera ka për qëllim hartimin e politikave për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për nxitjen e SME-ve, investimeve, eksporteve, shoqërive tregtare, lirisë së ofrimit të shërbimeve dhe zbatimit të plotë të parimit të trajtimit kombëtar dhe mosdiskriminimit, si dhe koordinon sektorin e ndihmës shtetërore, nuk na u përgjigjën nëse kanë hartuar ndonjë plan për të ndihmuar bizneset e përmbytura të autostradës.
Monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY