DOKUMENTI/ “Baroni” i drogës Klement Balili shpallet në kërkim në Greqi

DOKUMENTI/ “Baroni” i drogës Klement Balili shpallet në kërkim në Greqi

88
0
Shares

Dokumente të policisë greke të para nga BIRN tregojnë se 44 vjeçari, aktualisht drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit në Sarandë dhe biznesmen në këtë qytet, është shpallur në kërkim nga autoritetet greke – i dyshuar si drejtues i një grupi trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike. Policia shqiptare thotë se “operacioni po vijon”.

Një biznesmen shqiptar, i cili është njëkohësisht drejtor në administratën publike, u shpall me të hënën (9 maj) në kërkim në Greqi i dyshuar si kreu i një grupi që ka trafikuar sasi të stërmëdha marijuane nga Shqipëria në shumë vende të Europës.
Policia greke kreu një operacion masiv gjatë ditëve të fundit, duke arrestuar një duzinë njerëzish dhe duke konfiskuar rreth 678 kilogramë marijuanë të fshehur në një ishull të vogël në Greqinë e Veriut.
Sipas skemës së zbuluar nga policia greke, trafikantët përdornin skafe të shpejta për të transportuar marijuanën nga Shqipëria për në Greqi e më pas, përdornin kompani transporti rrugor false për të transportuar drogën në vende të tjera Europiane.
Dokumente të policisë greke të para nga BIRN tregojnë se Balili është shpallur në kërkim, i dyshuar si një nga krerët e grupit të trafikut.
“Të akuzuar për shkelje të ligjit N433/13 për ‘lëndët narkotike’ , ligjit 187 të kodit penal të ‘Organizatave Kriminale’ dhe të nenit 8 Kod Penal ‘Krimet e kryera në shtetin fqinj’ të akuzuar por jo të arrestuar janë tre persona, ndër ta dhe Klement Balili i Sabaudinit dhe Nazes lindur në 20/03/72 në Shqipëri dhe banues në Sarandë për shkeljet e mësipërme”, shkruhet në dokumentet e policisë greke.
“Për  transportin e lëndës narkotike (kanabis të papërpunuar) nga Shqipëria në Greqi  dhe Europën Lindore, Balili kishte rolin e sponsorit dhe të organizatorit dhe drejtonte transportin në sasi shumë të mëdha  me rrugë tokësore me kamiona të mëdha dhe nga deti me skafe. Krahu i tij i djathtë që merrej me transportin dhe magazinimin nga Greqia e tutje ishte Alifandi Georgio,” vijon më tej dokumenti.
Në regjistrin civil shqiptar i njëjti shtetas duket se ka emrin Kelmend Balili.

Policia shqiptare në dilemë
Ndërsa autoritetet greke kanë shpallur në kërkim Balilin, policia shqiptare zyrtarisht thotë se “operacioni po vazhdon”.
Policia shqiptare është vënë nën akuzë nga një pjesë e medias greke dhe Partia Demokratike në Tiranë për mosbashkëpunim dhe mosveprim për shkak të aludimeve për lidhje politike të Balilit me politikanë të lartë shqiptarë.
Rrjeti televiziv CNN në gjuhën greke, raportoi se kishte informacione se gjatë një takimi mes policisë greke dhe policisë shqiptare, oficerë të policisë shqiptare u kishin thënë se nuk mund të kryenin arrestime për shkak të lidhjeve politike të të dyshuarit.
Partia Demokratike në Tiranë akuzoi Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si mbështetës të Balilit duke iu referuar lajmit të CNN të Greqisë.
Policia e Shtetit i hodhi poshtë akuzat. “Policia e Shtetit shpreh indinjatën e saj rreth akuzave tërësisht abuzive nga Partia Demokratike,” shkruhet në deklaratë.
Vetë i akuzuari foli në media duke mohuar akuzat dhe duke i cilësuar ato “sulme politike”.
Deri në mbrëmjen e të mërkurës, Balili nuk është arrestuar. Burime policore greke thanë për BIRN se ai mund të arrestohet së shpejti.

Lidhjet politike
Balili rezulton një person me lidhje të shumëfishta politike. Kryetari aktual i Bashkisë Delvinë, Rigels Balili, i ditëlindjes 1985, është nip i të dyshuarit. Ai fitoi zgjedhjet i kandiduar nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim me 72 për qind të votave.
Lidhjet politike të Klemend Balilit shfaqen edhe në një kronikë televizive të Ora News, ku kreu i Kuvendit Ilir Meta, Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe ish-deputeti i zonës Koço Kokëdhima, shfaqen në ceremoninë e inaugurimit të hotelit Santa Quaranta, një investim multimilionësh për një hotel luksi në qytetin e Sarandës, pronë e familjes Balili.

Hetimet greke
Hetimet greke patën nisur mbi një vit më parë pas kapjes së sasive të konsiderueshme të drogës në raste të ndryshme, që dukeshin se kishin lidhje me njëra-tjetrën. Sipas policisë greke, më 25 janar 2014, në Patra, një shtetas bullgar u arrestua duke transportuar 451 kilogramë kanabis. Në prill 2014, një sasi tjetër prej 678 kilogramësh u kap në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Në prill 2015, policia britanike kapi 23 kilogramë kokainë, ndërsa në Bullgari u kapën 531 kilogramë kanabis. Të gjitha këto ngarkesa lidhen me të njëjtën organizatë të trafikut ndërkombëtar.
Policia greke ndërhyri në mbrëmjen e së hënës duke arrestuar pesë anëtarë të bandës në Zakintho dhe sekuestrimin e një sasie tjetër të stërmadhe prej 678 kilogramësh kanabis. Në Patra u arrestuan dy anëtarë të tjerë të cilët e kishin dërguar drogën me skaf.
“Nëndrejtoria e Antidrogës pas hetimeve prej muajsh në lidhje me aktivitetin kriminal të anëtarëve që jetojnë në Greqi, në bashkëpunim me Zyrën D.E.A të Ambasadës së SH.B.A-ve në Athinë dhe me shërbimin homolog të Policisë Shqiptare për pjesën e veprimit të organizatës kriminale që kishte të bënte me boshtin ballkanik, së bashku me kryerjen e inspektimeve të gjera, mbledhjen e materialeve informative dhe ballafaqimit të analizës së të dhënave të informacioneve kriminale, arriti të konstatonte strukturën, mënyrën e veprimit dhe taktikat e organizatës kriminale  si dhe aktivitetin e saj ndërkombëtar si në vende të Evropës Perëndimore ashtu edhe në vendet e Ballkanit,” shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë greke.
“Lidhur me lëvizjen e sasive të kanabisit të papërpunuar nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Evropës perëndimore, shtetasit shqiptar 44-vjeçar (banues jashtë shtetit) i ishte besuar roli i financuesit, por edhe drejtimit të transporteve nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Evropës, në rrugë rrugore me kamionë por edhe në rrugë detare me skafe,” vijon më tej njoftimi.

Autor: Gjergj Erebara
BIRN
Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY