Votohet ne 126 vota, Rezoluta mazhorancë – opozitë

Votohet ne 126 vota, Rezoluta mazhorancë – opozitë

54
0
Shares

Mazhoranca dhe opozita kanë miratuar me 126 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim rezolutën e përbashkët, për të cilën ranë dakord pas negociatave me eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, të cilët u angazhuan për normalizimin e jetës parlamentare në Shqipëri. Përpara votimit, me kërkesë të Palokës, kryetari i Kuvendit Ilir Meta lexoi “Projekt/rezolutën e marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”. Partia Demokratike është rikthyer në Kuvend, pas rreth pesë muaj bojkot ndaj këtij institucioni. Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie.
Në fjalën e tij përpara ligjvënësve, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka theksoi se marrëveshja e arritur është në favor të të gjitha palëve dhe “një mundësi e mirë për të shpëtuar politikën shqiptare nga zhytja në llumin e krimit dhe korrupsionit”.
Paloka nënvizoi arsyet që e shtynë opozitën drejt bojkotit parlamentar, ndërsa tha se “deputetët rikthehen me kokën lart me vullnetin dhe dëshirën që parlamenti të kthehet në tempullin e demokracisë, mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të qytetarëve”.
“Bojkoti për ne u bë një zgjedhje e detyruar, pasi ky parlament u kthye në vendin ku u shkelën dhe u dhunuan të drejtat e deputetëve. Nuk vumë kushte, as nuk kërkuam favore nga mazhoranca, kërkuam vetëm që kjo mazhorancë të mos bënte sikur nuk e dinte se çfarë kërkonte opozita. Bojkoti sado i padëshiruar nga ne tërhoqi vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtare, të cilët i dhanë vlerësimin e duhur situatës në Shqipëri. Kjo rezolutë u jep përgjigje shqetësimeve madhore që opozita ngriti dhe që imponoi largimin tonë nga parlamenti. Kjo marrëveshje është jo vetëm në interes të demokracisë shqiptare, të qytetarëve shqiptarë por edhe në interes të partive politike.  Ne besojmë realisht se kjo marrëveshje është në favor të të gjitha palëve. Për ne kjo qeveri e ka mbyllur ciklin e saj dhe duhet të ikë në shtëpi. Garantojmë qytetarët se interesi i tyre është i vetmi interes i yni. Do të jemi në parlament për të mbrojtur deri në fund këtë interes”, deklaroi Paloka.
Përpara rikthimit të demokratëve në Kuvend pati edhe disa kundërshti lidhur me rendin e ditës së seancës plenare. Demokratët kërkuan ndryshimin e rendit të ditës, duke propozuar që seanca të niste me miratimin e rezolutës dhe më pas të votoheshin vetëm marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nuk kërkojnë debat politik. Por Kuvendi vijoi punimet sipas rendit të ditës, pa bërë asnjë ndryshim, madje pa mbërritur ende deputetët e opozitës, të cilët ishin ende në mbledhjen e grupit në selinë e PD-së dhe zunë vendet e tyre në Kuvend disa minuta me vonesë.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY