Opozita rikthehet sot në Parlament, arrihet marrëveshja PD-PS

Opozita rikthehet sot në Parlament, arrihet marrëveshja PD-PS

48
0
Shares

Kuvendi mblidhet sot në seancën plenare, që është dhe e fundit për këtë sesion, ndërsa pritet me interes kthimi i opozitës në jetën parlamentare pas një bojkoti pesë mujor. Mazhoranca dhe opozita pas 8 orësh negociata mbrëmjen e 23 dhjetorit 2014 arritën të firmosin marrëveshjen për t’i dhënë fund bojkotit në Kuvend. Draft-rezoluta e dy europarlamentarëve Kukan- Fleckenstein qe do ti paraqitet sot Kuvendit është firmosur në orën 23:00 të mbrëmjes së 23 dhjetorit nga 4 negociatorët, Genc Pollo e Oerd Bylykbashi si përfaqësues të PD-së dhe Taulant Balla e Petrit Vasili si përfaqësues të maxhorancës.
Pas takimit të tretë të mbajtur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, deputeti Genc Pollo ka pranuar se është nënshkruar një marrëveshje dhe se gjithçka do të diskutohet në seancën e kësaj të mërkurë mes grupeve parlamentare në parlament. Pas kësaj, Taulant Balla ka konfirmuar se nuk ka ndryshime të variantit të eurodeputeteve. Negociatat mes palëve u ndërprenë pa një marrëveshje në mbrëmje, për të rinisur rreth orës 23:00 në Kryesinë e Kuvendit, prej nga u dol me një gjuhë të përbashkët mes palëve.
Ngërçi mes palëve është krijuar pasi demokratët kërkuan ndryshimin disa prej pikave të draftit nga marrëveshje e arritur me negociatorët e Parlamentit Europian. Mësohet në pikën ku thuhet që “shumica të mos përdor shumicën e cilësuar prej 84 votash, aty ku ekziston mundësia”, demokratët kërkojnë që shumica të mos ketë të drejtë të përdorë 84 votat. Së dyti, demokratët kërkojnë edhe dekriminalizimin e deputetëve të tanishëm të Parlamentit. Një tjetër pikë, është ajo ku thuhet që opozita të kthehet në Kuvend në mënyrë përfundimtare. Partia Demokratike kërkon që kjo pikë të lihet thjesht “opozita duhet të kthehet në Kuvend”, çfarë nënkupton daljen sërish nga Kuvendi. Vendimi i demokratëve për tu rikthyer në Kuvend tashmë i mbetet negociatave të orëve të vona të mbrëmjes së të martës, ndërkohë që sot rreth orës 09:30 pritet edhe mbledhje e grupit demokrat. Pas negociatave të zhvilluar pasditen e së martës, ngërçi për pikat e draftit u konfirmua edhe nga deputetët pjesëmarrës në këtë takim.
Pas arritjes së nënshkrimit të marrëveshjes, përfaqësuesi i mazhorancës Taulant Balla u shpreh se marrëveshja është pranuar nga të dyja palët, ndërsa nuk ka ndryshime nga varianti ‘Kukan’. Më tej Balla tha se pret që marrëveshja të votohet të mërkurën në Kuvend. Edhe përfaqësuesi i opozitës, Genc Pollo tha se fjalën e fundit rreth marrëveshjes do e thonë nesër grupet parlamentare. Ndërkohë, Petrit Vasili tha se nëpërmjet marrëveshjes u arrit thelbi parimor i eurodeputetëve, ndërsa sipas tij marrëveshja duhet t’i shërbejë klimës mes palëve.
Në emër të mazhorancës Taulant Balla dhe Petrit Vasili ftuan opozitarët të jenë të pranishëm nesër në Kuvend për ta miratuar atë pikë e presje, pa i hequr apo shtuar gjë. Ndërsa Partia Demokratike “rikonfirmoi vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. “I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim,” deklaroi PD-ja.
Rezoluta e PE u përshëndet nga të dyja kampet. Dy negociatorët e Parlamentit Europian publikuan dje rezolutën mbi marrëveshjen PS-PD për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, rezolutë që çoi në orën 15:00 në takimin ndërmjet deputetëve të mazhorancës dhe të PD-së në Kryesinë e Kuvendit.
Ndërkohë, rendi i ditës i Kuvendit përfshin diskutimin e disa projektligjeve, si dhe votimin e disa çështjeve të tjera. Mes tyre veçohen ndryshimet në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore”; ato në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ndryshimet në ligjin e ‘prokurimit publik’, etj. Gjithashtu, Kuvendi pritet të miratojë dhe tre kandidaturat për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare dhe të Drejtorit e Nëndrejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së; miratimin e kandidaturave për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; projekt-rezolutën “Për njohjen dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit”, si dhe projekt-vendimin “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY