Detaje/Drejtësia në Shqipëri duhet të presë disa muaj, ende pa institucionet e...

Detaje/Drejtësia në Shqipëri duhet të presë disa muaj, ende pa institucionet e reja

206
0
Shares

Ende nuk do të mund të kemi institucionet e parashikuara nga reforma në drejtësi.  Kjo për shkak se nga procesi i rivlerësimit, janë shkarkuar shumë kandidatë dhe kjo sjell pamundësinë për të mbledhur anëtarët e nevojshëm.

Këshilli i emërimeve në Drejtësi, Këshilli I Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë tre insitucionet e larta të cilat ndodhen në udhëkryq dhe pa anëtarë. Sipas gjendjes së krijuar, ato  nuk do të mund të ngrihen, deri në përfundim të përmbylljes së fazës së parë të procesit të rivlerësimit.

Janë dhe vetëm 6 nga 57 emrat e listës së parë që do të duhen të kalojnë Vettingun, por kjo nuk shpejton aspak krijimin e këtyre institucioneve.

Si paraqitet situata deri tani?

Nga lista me 57 emrat e parë, 21 janë rrëzuar deri më tani, ndërsa për 5 të tjerë procesi u ndërpre për shkak të dorëheqjes së tyre. Janë 26 të konfirmuar dhe 7 të tjerë për të cilët ende nuk është dhënë vendimi, shkruan Zëri i Amerikës.

Sipas ligjit, 6 anëtarët që vijnë nga radhët e gjyqësorit për Këshillin e Lartë gjyqësor përzgjidhen, 3 nga gjyqtarët e shkallës së parë, ku së paku njëri duhet të jetë i një gjykate jashtë Tiranës, 2 të tjerë nga Gjykatat e Apelit, ku njëri sërish duhet të jetë nga një gjykatë jashtë Tiranës dhe anëtari i 6 nga Gjykata e Lartë.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar:

Manjola Xhaxho – Gjykata e Tiranës

Marçela Shehu – Gjykata e Kurbinit

Alma Brati – Gjykata e Tiranës

Astrit Faqolli – Gjykata e Tiranës

Dritan Hallunaj – Gjykata për Krimet e Rënda

Brunilda Kadi – Gjykata e Tiranës

Nga këta Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit bën që të plotësohen kriteret, dhe ajo automatikisht siguron vend në KLGJ e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët, do t’i nënshtrohen votimit për dy vendet e tjera.

Sa i përket dy vendeve me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar dy kandidatë:

Ilir Toska – Gjykata Apelit Tiranë

Nertina Kosova – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda

Por që të dy vijnë nga Tirana. I vetmi që kishte konkurruar nga rrethet ishte Besim Trezhnjeva i Apelit të Durrësit i cili u rrëzua. Për këtë arsye Gjykata e lartë ka hapur thirrjen për gjyqtarët e Gjykatave të Apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për t’u zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ

Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë nuk do të duhet të ketë votim, pasi i vetmi i rikonfirmuar është anëtari i saj Medi Bici. Kandidati tjetër, për në KLGJ Artan Zeneli u rrëzua.

E njëjta situatë është dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Për tre vendet nga prokuroritë e Shkallës së parë janë kualifikuar 5 prokurorë, ndërsa tre të tjerë janë ende në pritje.

Dritan Prençi – Prokuroria Kukës

Vat Staka -Prokuroria Shkodër

Antoneta Sevdari – Prokuroria Tiranë

Gentian Osmani – Prokurori e Krimeve të Rënda

Besnik Muci – Prokuroria e Krimeve të Rënda

Nga këta Dritan Prençi, është i vetmi nga jashtë Tiranës e pritet të kalojë automatikisht. Të tjerët do t’i nënshtrohen votimit për dy poste

Problematike situata për dy anëtarët që do të duhet të përfaqësojnë Prokuroritë e Apelit. Deri më tani nuk ka asnjë të konfirmuar. Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u rrëzuan. Kandidati tjetër, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës ju nënshtrua sot seancës dëgjimore. Edhe nëse ai do të konfirmohet sërish mbetet një vend i paplotësuar. Ndërsa për kandidatët nga Prokuroria e Përgjithshme, për 1 post në KLP, janë dy prokurorë që kanë kaluar testin, Anila Leka dhe Kostaq Beluri. Pritet ndërkohë dhe rezultati për Ramadan Trocin.

Pamundësia për të ngritur KLGJ-ën do të shtyjë në kohë zgjidhjen e ngërcit në Gjykatën e Lartë. Ndërsa mungesa e KLP-ës do të zvarrisë më tej ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit dhe Prokurorisë antikorrupsion. Nisja e një procesi të ri për kandidatët e tjerë që do të hyjnë në garë për të plotësuar anëtarët e të dy institucioneve kërkon të paktën tre muaj vetëm për rivlerësimin, pa llogaritur procedurat e tjera.

Pa zgjidhje dhe situata në Gjykatën Kushtetuese, duke qenë se dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka të konfirmuar vetëm 3 nga 9 anëtarët.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY