Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula ka reaguar sot në lidhje me hapjen e vilës 31 në ish Bllok, vila ku jetonte diktatori Enver Hoxha.
Ajo propozon që Vila të shërbejë për një mësim më të thelluar të historisë duke përfshirë edhe dosjet e Sigurimit të Shtetit.
DEKLARATA E SULËS/ Sot, si Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kam një propozim të hapur bashkëpunimi për Shoqatën që administron Vilën 31, tani e njohur si “Vila 31 Art Explora”, banesë e pronarëve historike, të përndjekur, dhe më pas e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhes.
Koçi Xoxe dhe Enver Hoxha ishin dy nga aktorët më të rëndësishëm të regjimit komunist në Shqipëri, ku rolet e tyre në shtypjen dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë janë të dokumentuara gjerësisht.
Koçi Xoxe, si Ministër i Brendshëm, drejtonte Sigurimin e Shtetit, një organ i represionit dhe terrorit gjatë viteve të para të komunizmit. Nën drejtimin e tij, Sigurimi i Shtetit zhvilloi fushatat e para të mëdha kundër “armiqve të klasës”, duke përdorur metoda të tilla si arrestime pa gjyq, tortura, dhe ekzekutime, duke zbatuar me zell politikat e Hoxhës.
Enver Hoxha, nga ana tjetër, ishte udhëheqësi suprem i Shqipërisë komuniste dhe arkitekti kryesor i politikave që do të përcaktonin fatin e vendit për dekada. Ai personalisht nënshkruante platformat e punës dhe vendimet që çonin në shtypjen e opozitës, kolektivizimin e dhunshëm, dhe izolimin e Shqipërisë nga bota e jashtme. Dokumentet historike na tregojnë se ai shpesh nënshkruante me dorën e vet vendime që çonin në arrestime, dënime të rënda, torture dhe madje edhe ekzekutime, duke treguar përgjegjësinë e tij direkte për shumë nga krimet e regjimit komunist.
Une besoj se këtu ka një mundësi të rëndësishme për të pasuruar përvojën e vizitorëve përmes:
Një ekspozite të përkohshme për të eksploruar jetën private të Hoxhës dhe Xoxes në kontekstin e rolit të tyre drejtues e urdhërues në survejimin, kontrollin, përndjekjen dhe terrorin e ushtruar.
Punëtori e seminare mbi ndikimin e diktaturës në kulturën dhe artin shqiptar, me theks propagandën dhe censurën.
Krijimi i materialeve informative për të dhënë një pasqyrë më të plotë të kohës së komunizmit në Shqipëri.
Ture të specializuara me histori dhe dëshmi nga dosjet e Sigurimit, për një edukim historik më të thelluar. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/