MIGENA DEMIRXHIU/ Para se të mbërrinte “Rilindja Demokratike”

MIGENA DEMIRXHIU/ Para se të mbërrinte “Rilindja Demokratike”

154
0
Shares

Nga Migena Demirxhiu (Marrë nga faqja në Facebook)

Më 5 janar 1991, pas rreth pesë dekadash shtypjeje dhe censure të ashpër komuniste, mungesës së të drejtës për të folur, shkruar, ndarë idetë dhe opinionet pa u përballur me ndëshkimin, u botua numri i parë i Gazetës “Rilindja Demokratike”, e cila u kthye në një tribunë refleksionesh mbi regjimin komunist të së shkuarës dhe mbi demokracinë e shumëpritur të së ardhmes.

Që në fillimet e instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Mediat ishin të kontrolluara nga pushteti i kohës. Për përmbajtjen ideologjike të tyre kujdesej Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo Drejtoria e agjitacion-propagandës. Shtypi i shkruar dhe mediat, Televizioni dhe Radio ishin në shërbim të propagandës së shtetit.

Shtëpitë botuese, gazetat dhe revistat që botoheshin para ardhjes së komunistëve në pushtet u mbyllën. Revistat me emër si “Hylli i Dritës”, apo “Përpjekja Shqiptare, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. Një komision letrar në Lidhjen e Shkrimtarëve, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorëve shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani.

Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste, më vonë Partia e Punës. Shtypi qendror përfshinte organin zyrtar të shtypit të Partisë, Zëri i Popullit, Zëri i Rinise, Bashkimi, Puna, Mësuesi, Drita, Luftetari dhe Sporti Popullor. Shtypi Lokal perfshinte rreth 27 gazeta, të cilat ishin në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, si një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar.

Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të rreptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët dhe gazetarët u bënë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim, një pjesë të madhe të trupës artistike.

Kujtojmë bashkë në kete ditë Nebil Çiken – i pushkatuar; Xhemal Farkën – vdekur në tortura, Fiqiri Llagamin – dy herë i dënuar, vdekur në burg, Musine Kokalarin – e burgosur, Kolë Berishën – i pushkatuar, Aleks Mavraqi – i pushkatuar, Gjon Shllakun – i pushkatuar, Zoi Xoxen- i burgosur, Beqir Ajazin- i burgosur, Koço Seminin- i burgosur, Petro Markon – i burgosur, Rrok Kolajn- vdekur në burg, Beqir Haçin – i burgosur, Zhan Gorguzin- i burgosur, Andon Frashërin – i burgosur, Kolë Tromarën – i pushkatuar, Mitrush Kutelin – i burgosur, Lazër Radën- i burgosur, Akile Tasin- i burgosur, Lazër Shantojën – i pushkatuar, Guljelm Dedën – i burgosur, Kristo Floqi – vdekur në burg, Kristo Krikën – i burgosur, Gjergj Bubanin- i burgosur, Ihsan Libohovën – i burgosur, Pashko Gjeçim – i burgosur Arshi Pipën – i burgosur, Selfixhe Ciu – e internuar, Marian Skanjetin – i burgosur; Et’hem Haxhiademin – i vdekur në burg; Fadil Kokomanin – i pushkatuar; Fatos Lubonjën- i burgosur; Vangjel Lezhon- i pushkatuar Niko Kotanin- i burgosur, Trifon Xhagjikën – i pushkatuar, Havzi Nelën- varur, si disa nga emrat që spikatën në fushën mediatike.

Totalitarizmi promovoi izolimin ekstrem dhe paranojën. Dënimi i gazetarëve, gjykimi, e jo në pak raste, ekzekutimi i tyre, ishin ndër mënyrat e mbytjes së fjalës së lirë, mendimit kritik, opinionit të pavarur dhe qasjes intelektuale ndaj realitetit.

Kjo është një ditë e të gjithëve!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY