Genc Pollo: Marreveshja per asociacionin kushtezohet nga konteksti

Genc Pollo: Marreveshja per asociacionin kushtezohet nga konteksti

53
0
Shares

Ish zv/Kryeministri dhe ish kreu i komisionit te Integrimit ne Parlament, Genc Pollo ne nje interviste te tij ne gazeten Panorama me gazetaren Valentina Madani, komenton situaten ne veri te Kosoves, tensionet mes Prihtines dhe Beogradit si dhe ‘varesine’ krinike te vendimarrjes se shqiptareve nga Perendimi.

VM: Kryeminstrin Albin Kurti e kritikon opozita kosovare se po dëmton afatagjatë marrëdheniet me Perëndimin. Edhe në Tiranë KM Rama thotë se për shkak të Albinit Kosova po humbet “miqtë kreatorë” ShBA e BE. A nuk ju duket se këta po i vënë pikat mbi i?

  1. Pollo: Së pari është përherë më e kollajtë të predikosh. Por Kosova do të kishte nevojë për një minimum konsensusi politik në këtë moment kritik. Mund të polemizojnë sa të duan për çështje të tjera, po do të lipsej të ishte dakordësuar i gjithë faktori politik, se ku është limiti i pakalueshëm i Asociacionit dhe për njohjen faktike që Kosova duhet të marrë nga Serbia në shkëmbim. Ky është edhe thelbi i planit “franko-gjerman”!

VM: Pra nuk ka dëmtim të rëndë më Perëndimin siç kritikohet Albin Kurti?

  1. Pollo: Në Kosovë por edhe në Shqipëri ka një trajtim romantizues të “partnerëve euroatlantikë”. Kuptohet se kjo buron nga përvojat historike formative. Por teprimi vjen ose nga naiviteti i ndershëm, ose nga instrumentalizimi malicioz. Nuk më hiqet nga mendja se si para pak vitesh një kor zërash publikë i damkosnin si “antiperëndimorë” të tërë figurat politike që prononcoheshin kundër planit për copëtimin territorial të Kosovës.

VM: Po, por Kosovës e qeverisë në Prishtinë po i kanosen sanksione nga Washingtoni e Brukseli dhe kjo ndodh për herë të parë.

  1. Pollo: E vërtetë, prandaj nevojitet realizëm dhe jo shumë romantizëm. Së pari për Kosovën e për Shqipërinë partnerë dhe aleatë të pazëvendësueshëm mbeten Bashkimi Europian dhe ShBA. Së dyti nuk jemi më në kohën e luftës së Kosovës e të shpalljes së pavarësisë së saj kur Perëndimi e kishte prioritet dhe i jepte përkrahje pothuaj të pakushtëzuar. Një çerek shekulli më vonë raportet e forcës në botë kanë ndryshuar paksa dhe prioritetet e Perëndimit, sidomos me luftën në Ukrainë, janë të tjera.

Aktualisht duket se diplomatët ndërmjetësues mes Prishtinës e Beogradit po kujdesen më shumë që të lidhin Serbinë mbas qerres së Perëndimit; nganjëherë edhe në kurriz të Kosovës. Masat për njohjen faktike mes dy shteteve, që eshtë thelbi i planit franko-gjerman po shtyhen “prapa liste”. Ndërkohë në krye të listës po shënojnë kërkesat e Serbisë si Asociacioni i Bashkive me shumicë Serbe. Personalisht mendoj se është iluzion të joshësh Serbinë aktuale me karrota e t’a bësh për vete. Por kjo duket se sot është politika e BE/ShBA dhe druaj se do të lërë pasoja.

Nga ana tjetër po të hamendësojmë se Prishtina e Beogradi nuk merren vesh (dmth nuk zbatojnë marrëveshjet) edhe kësaj radhe dhe tentativa ndërmjetësuese BE/ShBA do të ndodhë mbas 10 vjetësh nuk jam i sigurtë se konteksti do të jetë më i favorshëm për Kosovën. Pra e thënë metaforikisht Kosova është mes Shilës e Karidbit!

VM: Këshilla juaj për z. Kurti?

  1. Pollo: Farkëtim i një konsensusi të gjerë politik për të ofruar një Asociacion të arsyeshëm kundrejt njohjes faktike sipas marrëveshjes së shkurtit në Bruksel; që e quajmë edhe plani franko-gjerman.

VM: Në fillim ju pyeta edhe për kritikat e Rama ndaj z Kurti. Pastaj Rama ka hartuar edhe një koncept për Asociacionin? A ju duken me vend këto?

GP: Në vitin 2011 në Leposaviq grupet kriminale serbe vranë policin kosovar Enver Zymberi e në vijim u krijuan tensione serioze me Serbinë; kryeministri Thaçi erdhi në Durrës për konsultime të ngushta me kryeministrin Berisha. Shqipëria nuk është fuqi e madhe por sidomos në kriza të tilla mund të ndihë Kosovën me shpjegime, lobime e ndërmjetësime. Gjatë krizës së tre policëve të rrëmbyer vështirë të imagjinosh kryeministrin Kurti të vijë në Tiranë për të kërkuar ndihmën e Ramës. Dhe më duket se pakashumë kjo mund të thuhej edhe për kryeminstrat e mëparshëm si Haradinaj, Hoti e Mustafa.

Rama vetëm se retorikisht kërkoi lirimin e policëve duke dhënë një provë tjetër të padobisë politike të Ballkan Hapu dhe të raportit personal që ka vendosur me Vuçiçin.

VM: Por Rama thotë se ka një koncept të shkëlqyer për asociacionin të hartuar nga ekspertët më të mirë europianë.

  1. Pollo: Në një roman të Kadaresë, hasim një gjirokastrit, i cili gjatë luftës çdo dy javë i dërgonte letër Fuqive të Mëdha. Shkruante për hallet e qytetit, e të Atdheut të vet. Nuk dihet ndikimi i këtyre epistulave por të paktën gjirokastriti në fjalë kaq mund të bënte. Tashti propozimi i Ramës: Berlini, Parisi e Brukseli kanë ekspertë plot, edhe më të mirë se ata të Ramës. Aty janë hartuar plane e koncepte sa të duash. Problemi nuk është tek koncepti por te garancitë që merr në shkëmbim Kosova për njohjen faktike, e më vonë zyrtare, nga Serbia. Këtu Tirana mund të ndihmonte. Jo në mënyrë decisive se nuk është fuqi e madhe. Por shumë më shumë se gjirokastriti i Kadaresë. Fatkeqësisht Rama duke i bërë jehonë akritike çdo kërkese të diplomatëve e ka margjinalizuar rolin e Shqipërisë; në rastin më të keq i ka shtuar komplikime Kosovës. Duke tentuar që vetë të bëhet i pëlqyeshëm me disa ndërkombëtarë.

VM: Por çfarë do të duhej të bënte Rama.

  1. Pollo: Nëse Rama do të kishte ndërtuar një raport besimi me Prishtinën dhe do të donte sinqerisht të ndihmonte kauzën e Kosovës dhe stabilitetin në rajon ai do të këshillonte privatisht KM Kurti. E theksoj privatisht dhe jo me diplomaci megafoni siç ka bërë deri tash. Dhe do i thoshte që të fokusohej më shumë tek plani franko-gjerman e më pak te targat, kryebashkiakët e policët në komunat e veriut. Si dhe t’a garantonte se në çdo tribunë ndërkombëtare do të apelonte për njohjen nga Serbia sipas planit në fjalë. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh. Sepse ka ndodhur Ballkan Hapu e miqësia me Vuçiçin.

VM: Po ju e shihni si rrezik Asociacionin? Sepse bëhet fjalë për modele europiane të marra nga italia apo Finlanda.

  1. Pollo: Shikoni! Autonomia e gjerë për popullsinë gjermanofone në Alto Adige (Tirol i Jugut) u akordua nga Roma, vetëm kur Italia e Austria e pasluftës, tashmë shtete demokratike, dialoguan e krijuan besim reciprok.

Në Finlandë fiset Sami, apo Lapët siç i kemi mësuar në shkollë, mund të marrin cfarëdo lloj autonomie pa krijuar shqetësim gjeopolitik. Njëlloj si rezervatet e indianëve lëkurkuq në Amerikë. Por në vendet balltike, jo larg nga Finlanda, ka një pakicë ruse e cila pjesërisht nuk ka marrë shtetësinë përkatëse dhe që ankohet se nuk i respektohen të drejtat sipas standarteve të OSBE-së e të Këshillit të Europës. Ndërkohë që në këto shtete balltike është shtuar frika se mos ariu rus, që formalisht i njohu shtetet balltike tri dekada më parë, tashmë agresiv i keqpërdor këto pakica si kolonë e pestë. Me një fjalë gjithçka varet nga konteksti e jo nga norma abstrakte.

VM: Pra vlejnë apo jo për Kosovën?

  1. Pollo: Secila mund të vlejë, me kusht që Serbia të normalizojë marrëdhënien me Kosovën e të mos jetë më kërcënim për të !

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY