ARTAN FUGA/ Mbi sekretin e jetës që nuk është pikërisht kjo që...

ARTAN FUGA/ Mbi sekretin e jetës që nuk është pikërisht kjo që bëhet*

37
0
Shares

Nga Artan Fuga

Ka një problem civilizimi ynë, problem që më tepër kap të pasurit, pushtetarët, ambiciozët sesa njerëzit e thjeshtë!

Kam përshtypjen se nuk është kuptuar thelbi dhe qëllimi i jetës sikurse e kanë kuptuar me fetë e tyre edhe popujt Lindorë edhe ata Perëndimorë.

Ata e kanë të rrënjosur në fe dhe në edukatën filozofike që jeta është fare e përkohëshme. Si shkruante romaku i madh për “the shortnest of the life”? Për shkurtësinë e jetës!

Qëllimi i fundit i jetës, shkruante në mijëra faqe Frojdi, si më i madhi njohës i shpirtit njerëzor, është vdekja. Vdekja që i sheshon të tëra, dhe vendos barazinë e njerëzve që nga Mbreti, Diktatori, Mashtruesi, Kozmonauti, deri të Varrëmihësi!

Se poqese kjo filozofi do të ishte kuptuar mirë atëhere njerëzit do të jetonin më modestisht, do të kishin më pak vese dhe ambicje, do të ishin më të qetë dhe do ta gëzonin më shumë jetën! Nuk do vriteshin për parà, për pronës, për pushtet! Sepse çfarë e do mor ditëzi pushtetin, pronën, paranë e akumuluar poshtë krevatit, kur nëse humb jetën ato bëhen të gjitha pluhur e hi!

Jeto me qetësi, mos vrapo e rend si i cmendur, jetoe këtë çastin këtu, mos shko turravrap drejt asgjësë!

Kërkon shtëpi me hapësira gjigande dhe kujton se e ke pronë! Jo mor jo, me qera je aty, dhe një ditë do ta lesh! Mos u mëso me të se do të të dhëmbi koka kur të shohësh sesi muret e saj do të bëhen të ftohta akull!

Do pushtet të përjetshëm robi dhe harron të jetojë! Por, çfarë bën a derëzi, çfarë bën, po një ditë, herët a vonë, do ta lesh! Por, humbe me miq, me shokë, me kënaqësi, me liri, u mbylle si gushkuq a si pallua, a si gjel deti në kotec! Dhe një ditë të gjithë do kenë pushtet mbi trupin tënd!

Po c’i mbledh ato parà o qyqar, pa fund, parà, parà, harxhove jetën, kur me pak mjete do kishe jetuar si njeri, o oooo, pak verë, mish të pjekur, kos deleje, sallatë me vaj ulliri, ndonjë bakllava, do të jepte kënaqësi!

Po nuk të mbrojnë nga absolutja ato! Vetëm vuajtjen do ta shtojnë! E ka thënë romaku, greku, kinezi po deshët i lashtë!

Pse do të ngrihesh kundër urtësisë!

I braktise miqtë, fisin, komshinjtë, kolegët sepse deshe parà pa fund dhe kujton se ia mbërrite qëllimin, por nuk ke ku shkon, si në lojëra fati, të gjitha aty do t’i lesh, kot harxhove kohë, mund, u lodhe në psilliqe!

E ja kështu, si të pafe për dekada, por edhe duke hequr filozofinë nga edukimi, edhe me ato tekste filozofie për ibret në shkolla, ku ta mësojë njeriu i shkretë marrëdhënien e jetës me vdekjen? Të kuptojë se vdekja e pritshme është i vetmi instrument absolut që i jep kuptim dhe gëzim jetës?

E kam thënë, në Shqipëri hapin vende për pune për hoxhë, prift, dervish, shumë mirë, por vende pune për filozofë, sociologë, antropologë as mos bëj shakà të kërkosh! Bëhuni muratorë vetëm!

Dhe në këtë mënyrë ka njerëz, jo pak, që duke e harruar përkohësinë e gjërave në jetë, jepen si të marrë pas pasurisë, makinave superlluksoze, shtëpive si vila me mermeri, pushtetit, postit, cmendurisht, vrapojnë drejt hiçit!

Dhe këtu nxjerr kokën ai i squti, që jeta dhe urtësia e parardhësve e ka bërë të kuptojë që më mirë me pak sesa me shumë, dhe shkon për qejf të vet pas pune në eskursion, shëtit, lexon, rri me miqtë, shëtit. E di sekretin ai e di!

Ngjyen bukë me vaj ulliri në një poçe të vogël, e gëlltit gjithë lezet dhe shtrihet në një divan të thjeshtë duke lexuar a dëgjuar muzikë!

Nuk është aq budalla sa duket! Dhe shikon kortezhe funebre njerëzish që kanë kujtuar gabimisht se janë të pavdekshëm! E për rjedhojë kanë harruar të jetojnë!

*titulli i edituar nga redaksia

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY