SAMI NEZA/ Alibia e procedurës për të rrëmbyer Partinë Demokratike

SAMI NEZA/ Alibia e procedurës për të rrëmbyer Partinë Demokratike

317
0
Shares

Si po zhvillohet procesi i rrëmbimit të PD përmes kuvendit të 18 dhjetorit nga drejtuesit e saj dhe pse ky proces është sundim i vullnetit të pakicës mbi atë të shumicës.

Përgjatë gjithë kuvendit të 18 dhjetorit u mbyllën sytë ndaj kuvendit tjetër të thirrur nga demokratët e Foltores me 11 dhjetor. Nisur nga procedura dhe mbështetur mbi të për rrëmbimin e  partisë, drejtuesit e saj nuk ishin në gjendje të konstatonin dhe ta diskutonin pjesën tjetër të demokratëve që qartësisht nuk e kanë dashur kreun e PD, Lulzim Basha.

Procedura është mbret në administratë. Por ajo nuk e ka atë vlerë në organizime shoqërore. Për shembull me dhjetra protesta janë thirrur në Tiranë nga organizata të ndryshme apo edhe individë pa procedurë. Kanë mbledhur qindra e ndonjëherë edhe mijëra qytetarë. Mbahet mend protesta kundër ardhjes së lëndëve helmuese ushtarake për tu shkatërruar në vendin tonë. Ishte protestë pa kurrfarë procedure që detyroi Kryeministrin Edi Rama te dilte nga fjala që I kishte dhënë Sekretarit të Shtetit të SHBA, John Carry dhe zëvëndëspresidentit të asaj kohe, Joe Biden. Për me tepër ishte përballja e parë me një vendim amerikan, gati strategjik për nga rëndësia që kishte ai për aleatin tonë. Në njëfarë mënyre ishte protestë antiamerikane për nga forma, bile një grup protestuesish të inkurajuar nga NGO, financuar nga Sorosi, që drejtohen nga ish blloku u nisën të protestojnë edhe përpara ambasadës amerikane. Natyrisht nuk u nisën pa strategji. Në mungesë të të dhënave mund të supozohet se në dejet e tyre vërshoi antiamerikanizmi i të parëve të tyre, ose Rama e orientoi protestën atje për të shfryrë sadopak presionin përpara zyrës së tij.

Kush mund të gjejë ndonjë urdhër, ftesë, kërkesë, listë pjesëmarrësish apo ndonjë dokument tjetër vecse pamjeve televizive dhe shkrimeve në gazeta që dokumentojnë atë protestë që kishte kapacitet të shënonte edhe dorëheqjen e Edi Ramës.

Megjithatë  një parti politike nuk është në këtë standard, pra në standardin e grupeve apo shoqatave, por nuk është as në standardin e  administratës publike, ku nëse nuk zbaton urdhrin nis një procedurë hetimi administrativ dhe mund të largohesh nga puna.

Në një parti politike ashtu si në cdo organizim vullnetar, sepse është vullnetar, shumica merr vendime ndërsa pakica u bindet atyre duke pasur mundësinë për t’u rritur deri në një shumicë të re.

Për shkak të cilësisë kryesore të partisë që është vullnetarizmi, procedura nuk del në plan të parë. Kjo për shkak se procedura në rastin më të mirë e anashkalon vullnetarizmin dhe në rastin më keq e shtyp atë. Prandaj statutet e partive politike lënë hapësirë që procedura të mos cënojë në të paktën një rast substancën e organizmit politik, vullnetarizmin. Pra i hap shteg vullnetarizmit që të marrë pushtetin, dhe ky është rasti tek statuti i PD kur ¼ e anëtarësisë se kuvendit kombëtar kërkon mbledhjen e kuvendit pavarësisht vullnetit që e ka apo nuk e ka kryesia e partisë, kryetari I partisë, këshilli kombëtar. Secili prej këtyre institucioneve janë nën kuvendin në hierarkinë e partisë.

Megjithatë edhe këtu nevojitet pak procedurë e cila mbetet e tillë edhe nëse refuzohet të njihet nga nivelet e tjera të partisë që sic thashë më sipër janë nën kuvendin në hierarki.

Nga përfaqësues të anëtarësisë, në rastin konkret Foltorja, e deklarua se duan të mbledhin kuvendin. Kryetari I PD, Lulzim Basha tha se nuk do të lejonte asnjë kuvend antiamerikan apo që shqyrton vendimet amerikane duke deformuar edhe qëllimin e kuvendit. Atëherë demokratët përmes Berishës që drejtonte procesin e Foltores deklaruan se do të mbledhin firmat (procedurë), dhe do të thërrasin kuvendin (vullnet). Ata e realizuan procedurën, mblodhën firmat, dhe thirrën kuvendin që ishte vullnet.

Në këtë moment kryesia e PD-së, në mënyrë të pabesueshme, vendosi me shumicë votash të thërriste një tjetër kuvend, një javë më pas, me rend tjetër dite, duke u mbështetur në procedurë për të mbytur vullnetin ose substancën e një partie politike që është vullnetarizmi.

Cështja e verifikimit të firmave e nxjerrë si argument ra për shkak se firmat e kuvendit të anëtarësisë ishin publike, pra kishte akses të mjaftueshëm nga kushdo të verifikonte një pjesë apo të gjitha. Edhe kjo pjesë e procesit u fut në një procedurë edhe më demokratike por edhe më strikte njëhkosisht. Dhe kjo ndodhi në kushtet kur kryetari i PD kishte deklaruar se nuk lejonte kuvend. Pra edhe kryetarit që kishte deklaruar bllokimin e vullnetarizmit, i është dhënë mundësia të verifikonte.

Ndërkaq regjistrimi në protokollin e PD është një shaka tjetër e madhe. Gjithë protokolli I PD në gjithë jetën e saj është tre arka vendime, pasi vetëm vendimet, kryesisht ato të këshillit kombëtar, kuvendit dhe kryesisë protokollohen. Protokolli nuk është zyrë më vete por kabineti I kryetarit është njëhkosisht edhe protokoll, një procedurë në konflikt interesi dhe që bie ndesh me parimet strikte të procedurës në të gjithë institucionet, ku protokolli shërben si njësi e pavarur nga pjesa tjetër e administratës dhe cdo levizje lë gjurmë e shënohet njësoj si në regjistrat e noterit dhe kjo procedurë nuk ndikohet nga drejtuesi i institucionit.

Megjithatë firmat ishin të depozituara në selinë e PD-së dhe mund të protokolloheshin nga kabineti i kryetarit nëse do të kishin vullnet për ta futur në shinat hermetike edhe vullnetin. Megjithatë kjo pjesë nuk përbën kurrfarë problemi. Vullnetarizmi është i dokumentuar dhe kjo do të sanksionohet edhe në procedura të tjera gjyqësore nëse cështja do të shkojë në gjykatë. Ato e përfaqësojnë procedurën duke rrëzuar kështu shtyllën kryesore ku qëndron vendimi i kryesisë së PD për thirrjen e kuvendit të 18 dhjetorit, ndryshe vendimi për të ndarë partinë demokratike.

Drejtuesit e selisë që u vetkonfirmuan nga kuvendi i 18 dhjetorit duhet të kenë parasysh se procedura nuk është procedurologji, as procedurizëm. Është thjesht një tërësi rregullash të brendshme permes të cilave nuk mund të kanalizosh anëtarësinë vullnetare, pra as nuk mund të shërbejë si platformë teorike për të rrëzuar këtë koncept që mban gjallë pluralizmin dhe që është më i vjetër se edhe vet pluralizmi e që mbahet mend qysh me “magna carta” e mbretit britanik John rreth viteve 1200.

Problemi tjetër edhe më i madh që rrëzon edhe një tjetër parim të madh mbi të cilin mbështeten shoqëri të tëra dhe vendimarrje pa fund që mbajnë në këmbë botën është ai shumicës mbi pakicën.

Të hypur mbi kalin e procedurës, dhe të bindur se procedura nuk verifikohet nga jashtë por vetëm nga brenda dhe se kundër procedurës nuk mund të ngresh asnjë dorë dhe për më tepër procedura sundon, drejtuesit e kuvendit të 18 dhjetorit, konkretisht kryetari i komisionit të zgjedhjeve Jemin Gjana dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi gënjyen publikisht mbi numrin e delegatëve të kuvendit të 18 dhjetorit. Gënjeshtra si ves më vete nuk përbën problem të madh. Ka plot njerëz që kanë varësi nga gënjeshtra dhe nuk bëjnë dot pa të, ke edhe të tjerë që nuk bëjnë dot pa u gënjyer, por kjo është në  nivel individësh. Kur gënjeshtrën e përdor për të marrë mendjen e një grupi të madh njerëzish përmes mediave dhe forumeve të mëdha sic është kuvendi, atëherë qëllimi justifikon mjetin. Dhe qëllimi është mbajtja me cdo kusht e pronësisë mbi procedurën në PD, pra mbi vulën, firmën, zyrën, statutin.

Mbajtja e kuvendit të 11 dhjetorit e përjashtoi edhe si statistikë edhe si qëllim, por edhe si procedurë mbajtjen e kuvendit të 18 dhjetorit. Brenda një trupe drejtuese sic janë delegatët është e pamundur që një pjesë e tyre të japë pëlqimin edhe për shkarkimin e kryetarit të PD, edhe për mosnjohjen e kuvendit të 18 dhjetorit, edhe të shkojë në kuvendin e 18 dhjetorit e të votojë të kundërtat. Këtu hyn procedura si e panegocueshme që kërkonte që delegatët që votuan më 11 dhjetor të mos votojnë me 18 dhjetor. Ndryshe ky lloj votimi korruptohej, nuk kishte kuptim. Nëse kjo do të ndodhte, pra nëse Gaz Bardhi dhe Jemini do të ndiqnin procedurën dhe jo vullnetarizmin brenda një forumi ku tashmë kufijtë që ndajnë vullnetarizmin me procedurën janë të qartë, pra është procedurë kryesisht, këta lloj delegatësh duhej të ishin ndalur në votim. Por kuvendi prej 5004 delegatësh që ishte ulur në gjithsej 1900 ulëse, nuk kishte kuorumin të merrte vendime, pra 3820 delegatë.

Megjithatë kuvendi vijoi. Në fakt trupa e delegatëve të 11 dhjetorit pothuajse nuk shkoi në atë të 18 dhjetorit. Në këto kushte Basha e nisi kuvendin dhe mori vendime me një pjesë delegatësh që e mbështesin atë, dhe më pjesën tjetër me njerëz që nuk ishin delegatë apo që nuk ishin as demokratë. Mediat pasqyruan, aq sa mundën, edhe fëmijë brenda sallës së madhe, edhe persona që nuk kanë pasur kurrë lidhje me PD. Në procesin e publikimit para medias të emrave të delegatëve në kuvendin e 18 dhjetorit sërish u shmang transparenca. Dhe transparenca nuk është të lexosh emra pa fund para gazetarëve që nuk kanë as mundësi, as kohë dhe as instrumentet të verifikojnë emër për emër sipas kësaj forme. Transparencë është të mos fshehësh mekanizmat e verifikimit të listës dhe mekanizmat ishin detyrat e delegatëve në strukturat e PD-së dhe cilit seksion apo grupseksion i përkisnin kushdo nga ata që ishin në listë. Kuvendi i 11 dhjetorit e bëri këtë në mënyrë të vazhdueshme, seksion për seksion dhe në prani të të mediave por edhe personave të interesuar.

Gazment Bardhe e fshehu vazhdimisht këtë celës të transparencës përpara gazetarëve njësoj sic u fsheh me 10 dhjetor teksa atë ditë deputetja Ina Zhupa numëroi njësoj si Greta Kardeli të hënën një listë të gjatë për të veshur me mjegull sa më shumë njerëz. Megjithatë jam i sigurtë se të dy listat nuk janë njësoj.

Përfundimi kryesor i kuvendit të selisë nuk ishte thjesht ndarja e partisë por rrëmbimi i partisë. Veshën maskat, dorezat, dhe iu sulën listave, anëtarësisë duke fshirë emra e shtuar emra duke zhvendosur sekretarë e anëtarë kryesie, duke zhdukur armikun Berisha nga të gjitha ‘fotot’, etj. Është rasti i vetëm në një vend me demokraci ku pakica e verifikuar, e dokumentuar si e tillë edhe në procedura, falsifikon dhe rrëzon shumicën duke provokuar  një konflikt afatgjatë mes vetë anëtarësisë dhe ndërkohë i  jep dhuratë qeverisë së korruptuar të Edi  Ramës, paketë për krishtlindjet dhe vitin e ri një opozitë të shembur me sukses.

Është mendjelehtësi të mendosh se, përmes këtij falsifikimi ku procedura përdoret si alibi për të nisur një tjetër procedurë për të vjedhur një institucion të madh që përfaqëson gjysmën e shqiptarëve, çështja është mbyllur. Ky është vetëm fillimi dhe procesi ende nuk është zbardhur mirë dhe nuk është përtypur deri në fund. Por edhe nëse të gjithë mbyllin sytë, edhe askush nuk ka ndërmend të vrasë mendjen se cfarë ndodhi në Partinë Demokratike, edhe askush të mos ketë vullnet ta zbardhë, përfshirë këtu edhe median, bile përfshirë këtu edhe Berishën që inicioi më herët se të tjerët këtë proces, ka një tjetër verifikues për raste të tilla. PD e selisë, ose PD e Bashës nuk i shmanget dot. Ta shohim, por unë e di shumë mirë se cfarë do të shoh. Dhe nuk ka pse edhe të tjerët të mos e dinë mirë se cfarë do të shohin.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY