GENC POLLO/ Të mos dëgjojmë hipokritët që thonë ‘bëni si them unë...

GENC POLLO/ Të mos dëgjojmë hipokritët që thonë ‘bëni si them unë po jo si bëj unë’

63
0
Shares

Nga Genc Pollo (Fjala e mbajtur në Kuvendin Kombëtar, 11 dhjetor)

Shumë prej jush e kujtojnë,  më të rinjtë e kanë dëgjuar nga prindërit.

Se para tre dekadash, studentë, burra e gra, qytetarë kurajozë, në një mot të ftohtë si ky i sotmi sfiduan regjimin komunist dhe filluan çmontimin e tij kudo në vend
dhe gradualisht çelën një epokë të re: të Shqipërisë demokratike dhe europiane.
Ku qytetarë të lirë e me dinjitet zgjedhin udhëheqësit e tyre por edhe i shlarkon ara sipas ligjit.

Ka disa që shkruajnë e thonë se ky ndryshim i madh epokal e i shumëpritur, thjesht ishte produkt e pasojë e ndërkombëtarëve, e Glasnostit në Moskë e trysnisë dhe frymëzimit që vinte nga Europa e Perëndimi. E nuk i njohin meritë të madhe guximtarëve të Dhjetorit.
Por nuk është kështu. Edhe pse agonia e diktaturave në Lindje i inkurajoi të gjithë. Doni një argument: shihnin shtetin fqinj ku deri para një viti e njëjta parti mbeti në qeveri që e kishte marrë pushtetin që në vitin 1944.
Doni një shembull tjetër pak më larg: Kuba e bukur, ende lëngon nën komunizëm edhe pse është vetëm 150 milje larg nga Florida, nga toka e njerëzve të lirë, siç thotë hymni amerikan.
Thjesht sepse populli atje ende nuk ka gjetur forcën e brendëshme të vërshojë masivisht, në rrugë e sheshe.

30 vjet më vonë koha na thërret sërish.

Së pari askush nuk e zëvendëson dot të zotin e shtëpisë;
as nuk mundet e as nuk lipset.
Për sa kohë flasim e duam vërtet njerëz të lirë.

Së dyti, kur fatkeqsisht kemi hyrë në mandatin e tretë të një regjimi autokrato-kleptokratik, Shqipërisë i nevojiten tre gjera:

1-Opozitë 2-Opozitë; 3- prapë Opozitë.

Dhe zonja delegate e zotërinj delegatë opozita sot jeni ju, jemi të gjithë ne.
Nuk e them këtë për të konfirmuar legjitimitetin e kuvendit të Partisë Demokratike. Nuk është fare e nevojshme. Ata pak, sa gishtat e dorës , që mund të kenë paturpësinë t’a mohojnë ata flasin nga koshi i plehrave të historisë.
Por e them për të theksuar me të madhe se është përgjegjësi e jona të rikthejmë Atdheun tonë në shinat e normalitetit kushtetues e demokratik.
Të kujdesemi që gjithkush i lirë e sigurt të mund arrijë lumturinë e begatinë e tij e të familjes së tij;
i papenguar nga një regjim që po ndan pasurinë kombëtare me 12 vetë dhe shtyn popullin në skamje, në dëshpërim e në emigracion.
Të bëjmë që Shqipëria të jetë një Republikë e denjë dhe e respektuar.
Se nuk mund të jetë anëtar i denjë dhe i respektuar i NATOs një shtet ku qeveria me babëzi korruptive gjymton masivisht bazat detare të flotës luftarake.
Se nuk mund të jetë kandidat i denjë e i respektuar i Bashkimit Europian një shtet që me dorën e qeverisë kthehet brenda vitit në eksportues nr. 1 të kanabisit në tërë kontinentin.
Të mos dëgjojmë hipokritët që thonë ‘bëni si them unë po jo si bëj unë’; çfarëdo gjuhe që të flasin ata.
Ky Kuvend i mbledhur sot e me vendimet e marra shënon pikën e kthesës. Piken e kthesës historike.
Me forcë vullneti e qartësi ndërgjegjeje do të ecim përpara e askush nuk na ndal.
Suksese e fitore !

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY