AGRON GJEKMARKAJ/ Letër Bledi Çuçit dhe Gledis Nanos për pulat e mjaltin...

AGRON GJEKMARKAJ/ Letër Bledi Çuçit dhe Gledis Nanos për pulat e mjaltin e Shënkollit

60
0
Shares

Nga Agron Gjekmarkaj

Natë për natë me kamionçina u afrohen shtëpive, stallave, bahçeve dhe marrin çfarë t’u bëjë Zoti nafakë. Policia, e lodhur nga betejat e humbura, është mbyllur në komisariat. Nisen ndonjëherë makina, u mbetet rrugëve dhe nuk është çudi që hajdutet e dhembsur t’u japin një dorë për ta shtyrë.
Pas masakrës elektorale bëtë atje ekspeditë ndëshkimore dhe hoqët më pak besnikët dhe çuat toptanbesnikët e Partisë se helbete nuk u treguan në lartësinë e grabitjes së votave. Një hierarki të paaftësh, një taraf rilindësish me uniformë qeveris Policinë në Qarkun e Lezhës.

Shënojeni këtë. Gromësijnë mejhaneve gjatë ditës dhe bëjnë gjumë qerratenjsh. Çdo natë thyhet një shtëpi. Qeverisë një lopë, një viç, ca dele e dhi, ca derrkucë, ca motorë papaqë e kile mjaltë e rakie, groshë e patate, djathë e të regjura, të vjedhura, i shërbejnë për subjekt barsolete për të argëtuar Kryeministrin, por për fshatarët pa asnjë të ardhur janë mjetet e ekzistencës. Toka të begata janë ato të Bregut të Mates, të Ishull Lezhës e Zejmenit, punëtorë janë njerëzit, por të vështirë e kanë jetën.
Po, po, atje i gëzohen shiut kur bie për grurin e misrin, u gëzohen vezëve, kecit e qengjit, shumë prej tyre jetojnë me to, me dinjitet me djersë, nuk i vjedhin kujt asgjë. Verën e pinë nga ajo e bahçes që e bëjnë vete, rakinë po ashtu, djathin gjithaq. Ministrit dhe Kryepolicit ajo verë mund t’u shkaktojë aciditet, djathi nuk është i përpunuar dhe ndikon te kolesteroli se ka yndyrë, ndaj zor t’ia kuptojnë vlerën.
Kjo është shakaja e hidhur e një realiteti që përkeqësohet në një vend ku sundon hajduti dhe fshihet polici, ku ka rënë ligji dhe është ngritur vjedhja, ku cenohet dinjiteti dhe forcohet frika, ku shtohet propaganda dhe zvogëlohet e vërteta në kurriz të njerëzve që nuk dalin në ekran.
Zotni ministër, zotni kryepolic, harxhojeni një ditë, shkoni në Lezhë, mblidhini ata dreq vartësish, merruni seriozisht me gjendjen, inkurajojini që të ruajnë pulat e lopët, të ruajnë pronën dhe sigurinë! Kaq e meritojnë njerëzit apo jo, qoftë edhe nga një qeveri karnavalesh?!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY