Qeveria, projekt per tu kthyer te taksa e sheshte e mbrojtur nga...

Qeveria, projekt per tu kthyer te taksa e sheshte e mbrojtur nga opozita

93
0
Shares

Qeveria shqiptare do të prezantojë shumë shpejt një kuadër të ri fiskal të vlefshëm deri në vitin 2029, për të cilin ka kërkuar ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Projekti i çon politikat e taksave drejt një kursi të sheshtë. Pragjet e Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimit mbi të Ardhurat duhet të thjeshtohen më tej drejt një norme të sheshtë rreth 15%, ndërsa pritet të krijohet një mekanizëm i ri që taton paratë e korrupsionit dhe veprimtarive të paligjshme.

Modeli fiskal që qeveria e Shqipërisë ka ndjekur në 7 vitet e fundit, duket se nuk i ka siguruar asaj të ardhurat e synuara për të financuar kontratat e mëdha koncesionare, të cilat do të kërkojnë një rritje të detyrueshme të shpenzimeve buxhetore në dekadën në vijim.
Teksa financimi me borxh të ri është konsumuar, qeveria është përgatitur për ndryshime thelbësore të kursit të politikës fiskale, duke lajmëruar rikthimin e taksës së sheshtë në tatimin mbi fitimin dhe rimodelim të pragjeve të taksimit. Krahas ndryshimeve sasiore në nivelet tatimore, taksimi do të zgjerohet edhe në paratë e krimit dhe korrupsionit. Personat që gëzojnë pasuri të paligjshme, edhe pse nuk janë objekt hetimi, mund të jenë taksapagues.

Me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria po harton një strategji afatmesme për grumbullimin e të ardhurave buxhetore, me synim për t’i rritur ato me 2,2-3 pikë përqindje të PBB-së në periudhë afatmesme, e barasvlershme me rreth 410 milionë euro, duke i çuar afër mesatares rajonale prej 30% të PBB-së. Kjo shumë do të gjenerohet duke ndryshuar thellësisht politikën fiskale në dy drejtim kryesore, rikthimin e taksës së sheshtë në nivelin 15%, duke tentuar sheshim mbi tatimin e pagave dhe Tatimin mbi Fitimin. Bizneset me xhiro 14 milionë lekë nuk do të paguajnë TVSH dhe Tatim-fitim.

Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të hartuar një program të ri fiskal. Dokumenti i FMN-së të cilën e disponon Monitor po rishikohet nga qeveria, e cila ka nisur të aplikojë disa nga këto rekomandime. Qeveria shqiptare ka njoftuar së fundmi aplikimin i TVSH dhe Tatimit mbi Fitimin në bizneset me xhiro vjetore 14 milionë lekë, reformë që është pjesë e propozimeve të FMN-së.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe industrisë, Nikolin Jaka, tha se, përjashtimi i biznesit me xhiro 14 milionë lekë nga tatimfitimi siguron përfitime të drejtpërdrejta për biznesin dhe është një nxitje pozitive për ekonominë në tërësi, por ai argumentoi se, aplikimi i të njëjtit prag për heqjen e TVSH do të nxisë më tej informalitetin. Jaka tha se Dhoma e Tregtisë ka të njëjtin qëndrim që ka shprehur prej vitesh për të bërë pragun e TVSH-së në nivelin zero, si e vetmja mënyrë për të luftuar evazionin në të gjithë zinxhirin e tregtimit.

Drejt një takse të sheshtë 15%

Strategjia fiskale afatmesme, e hartuar nga qeveria shqiptare dhe e asistuar nga FMN, propozon rikthimin e taksimit të sheshtë në nivelin 15% për të gjitha nivelet, tatimin mbi fitimin dhe një rishikim të TAP (tatimit mbi pagat drejt këtij niveli).

Për tatimin mbi fitimin mbi biznesin, politika e re fiskale synon vetëm dy pragje, 0% për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë dhe 15% për bizneset mbi këtë prag. Deri tani, bizneset me qarkullim vjetor nga 0 në 5 milionë lekë paguajnë zero tatimfitim, ndërsa nga 5 në 14 milionë lekë kanë tatim të thjeshtuar prej 5%. Në vend operojnë rreth 91 mijë subjekte të vogla, dhe gati 80% e tyre deklarojnë më pak se 5 milionë lekë, dhe si rrjedhojë janë të përjashtuar edhe aktualisht nga tatimfitimi.

Ndaj kjo lëvizje nuk pritet të ketë ndonjë efekt të madh në buxhet. Tatimfitimi në nivelin 15% është më i larti në rajon. Aktualisht një normë 15% tatimfitimi aplikon vetëm Serbia. Bosnja, Maqedonia dhe Kosova e kanë nivelin e tatimit mbi fitimin 10%, ndërsa Mali i Zi 9%.

Tatimi mbi pagat, drejt sheshimit

Ndryshimet e shpeshta në politikën tatimore vitet e fundit kanë futur elemente që e kanë bërë të padrejtë pagesën e taksave. P.sh., punonjësit paguajnë ndjeshëm më shumë tatim mbi të ardhurat dhe kontributet sociale sesa profesionistët e pavarur që fitojnë të njëjtin nivel të ardhurash.

Politika aktuale tatimore, me disa pragje të tatimit të pagës, ka krijuar mundësi për shmangie artificiale të taksave, të tilla si vetëpunësimi fals, ndarja e bizneseve për të qëndruar brenda nivelit të ulët të tatimit mbi të ardhurat personale (TAP), analizon Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për shembull, shumë të vetëpunësuar kanë copëzuar deklarimin e pagës në tre vende, duke shmangur pagesën e taksave për një pagë mujore bruto që arrin 180 mijë lekë dhe duhet të tatohej me 23%.

Nga hetimi që u është bërë sjelljes së bizneseve, përgjithësisht shikohet se tendenca e shmangies është për të paguar tatime mbi pagën dhe tatim mbi fitimin, jo më shumë se 15%. Fondi Monetar propozon që të thjeshtohen pragjet e Tatimit të pagave, duke propozuar heqjen e pragut 30 mijë lekë profesionet e lira, pasi është bërë shkak për evazion fiskal artificial.

Shqipëria ka shumë shkallë të progresivitetit për tatimin e të ardhurave në raport me rajonin. Kjo e ka ndërlikuar taksimin e pagave, duke e renditur Shqipërinë në një nga vendet me informalitetin më të lartë në rajon, që shkon deri në 31% në punësimin jobujqësor sipas Bankës Botërore.

Aktualisht, pagat deri në 30 mijë lekë nuk tatohen. Pagat nga 30,001 deri në 150 mijë lekë tatohem me 13%, ndërsa mbi 150,001 lekë tatohen me 23%. Ministria e Financave po shqyrton mundësinë për të mos tatuar një minimum që nuk është vendosur ende dhe për të rikthyer tatimin e sheshtë për pjesën tjetër. TAP, në nivelin 15% për pagat do të rriste tatimet për shumicën e të punësuarve dhe do të ulte tatimin për ata që marrin paga më të larta se 150 mijë lekë në muaj. Aktualisht, sipas INSTAT, rreth 43% e të punësuarve marrin paga deri në 30 mijë lekë në muaj, ndërsa rreth 57% paguhen sipër këtij niveli, dhe vetëm 3,7% marrin paga mbi 150 mijë lekë.

Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon të tatimit mbi pagën. Në Serbi, Bosnjë dhe Maqedoni, tatimi mbi pagat është i sheshtë me 10% për të gjitha kategoritë, ndërsa Kosova ka tatim progresiv që nis nga 0, 4, 8, dhe niveli më i lartë 10%, duke e bërë vendin me tatimin më të ulët të pagës në rajon. Ndërsa në Malin e Zi, ka dy pragje të tatimit mbi pagën 9 dhe 11%.

TVSH, pragu i xhiros 14 milionë lekë në vit

Kryeministri Rama ka deklaruar se po shqyrtohet edhe mundësia e përjashtimit të biznesit të vogël (deri në 14 milionë lekë) nga TVSH. Aktualisht, bizneset mbi 2 milionë lekë qarkullim vjetor janë të përfshira në TVSH. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, janë rreth 32.5 mijë subjekte të vogla të përfshira në skemën e TVSH-së, të cilat nëse miratohet ky vendim, do të dalin nga skema e TVSH-së. Subjektet e vogla të përfshira në TVSH përbëjnë gati 59% të numrit të tatimpaguesve gjithsej të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, sipas informacionit zyrtar të tatimeve.

Pragu i qarkullimit vjetor për përfshirjen në TVSH u ul dy vite më parë, nga 5 në 2 milionë lekë, por FMN analizoi se kjo politikë nuk dha rezultate në të ardhura, por përkundrazi rriti barrën e punës për administratën tatimore. Vitin e kaluar, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 18.1% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare të financave.

Deri në fund të vitit 2019, në vend kishte 113,829 tatimpagues gjithsej, sipas Regjistrit të Tatimeve (Në këtë shifër nuk janë përfshirë 44,667 fermerë). Nga këta, 91 mijë janë biznese të vogla dhe 22.7 mijë janë tatimpagues të mëdhenj. Fondi Monetar ndërkombëtar rekomandon që pragu i përjashtimit të TVSH të mos jetë më pak se 8 milionë lekë në vit deri në 14 mln lekë.

Do të tatohet ekonomia informale dhe korrupsioni

Fondi Monetar ka rekomanduar disa mekanizma për të tatuar taksat e shmangura nga korrupsioni dhe krimet e tjera financiare. Në këtë drejtim do të ndihmojë shkëmbimi i informacionit mbi llogaritë bankare në rang global, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.

Organet fiskale mund të jenë aktorët kryesorë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Zbulimi i evazionit mund t’i çojë organizatat kriminale para drejtësisë. FMN sugjeron se në afat të shkurtër, paratë e krimit dhe korrupsionit mund të taksohen nëpërmjet auditorëve me metoda indirekte, të cilat tashmë gjenden në udhëzimet e OECD-së dhe institucioneve të tjera financiare, ndërkombëtare.

Rastet e synuara të një pasurie të konsiderueshme të pashpjegueshme u japin auditorëve fuqi të qartë për të vlerësuar detyrimin tatimor me metoda indirekte. Në mënyrë specifike sugjerohet të luftohet evazioni fiskal i lidhur me bizneset offshore. Këto informacione mund të sigurohen nga korniza ligjore për shkëmbimin automatik të llogarive financiare.

Fillimisht, qeveria shqiptare duhet të nxisë deklarimin vullnetar të shqiptarëve që kanë llogari jashtë, në mënyrë që ato të paguajnë tatimin pa u penalizuar. Sipas Ministrisë së Financave, kjo do të arrihet nëpërmjet amnistisë fiskale. Nëse këto vetëdeklarime nuk bëhen gjatë periudhës së amnistisë, atëherë autoritetet tatimore mund të marrin të dhëna nga autoritetet tatimore të vendeve ku shqiptarët mbajnë llogari të fshehta. Zakonisht llogaritë e jorezidentëve në bankat offshore janë para të krijuara nga evazioni, korrupsioni dhe aktiviteti kriminal.
Sektori i ndërtimit, sipas FMN, duhet të jetë në fokus, pasi analizat tregojnë se sektori është i nëntaksuar dhe tashmë duhet të përfshihet në TVSH.

Kërkohet eliminimi i përjashtimeve tatimore të TVSH dhe akcizës

FMN propozon krijimin e një sistemi fiskal të thjeshtë dhe pa përjashtime tatimore, pasi këto bëhen shkak për evazion dhe shmangie fiskale. Ministria e Financave përllogarit se nga përjashtimet tatimore mungojnë të ardhura sa 5,4% e PBB-së në vit. Sektorët me të ardhurat më të mëdha të falura janë administrata publike, shërbimet e pasurive të patundshme, shërbimet arsimore dhe shërbimet e shëndetit njerëzor përkatësisht 0.84, 0.74, 0.71, dhe 0.64% e PBB-së.

FMN kërkon heqjen e përjashtimeve të TVSH për agroturizmin, ilaçeve, hoteleve, të disa lloj importesh etj. Gjithashtu kërkon që të aplikohet vetëm një prag akcize si për prodhuesit e vegjël ashtu, edhe ata të mëdhenj.
FMN lajmëron se, nëse nuk hiqen këto pragje, projekti i fiskalizimit nuk do të japë rendimentin që pritet.
Shqipëria ka një nivel grumbullimi të TVSH në raport me PBB në rreth 3% më pak se rajoni. TVSH është e nënarkëtuar në shumë sektorë, por sektori i ndërtimit është veçanërisht problematik.

Përvoja ndërkombëtare tregon se ndërtimi është shumë i ndjeshëm ndaj mashtrimit të TVSH-së, përgjatë zinxhirit të furnizimit të nënkontraktuesve. Gjithashtu, kërkohet të vihen prita ligjore për të parandaluar skemat mashtruese të TVSH, duke zgjeruar gamën e palëve që duhen penalizuar.

Projekti i ri fiskal i hartuar nga FMN mbi të cilin qeveria po harton dokumentin afatmesëm fiskal

1 -Të zgjerohet baza e taksave

? Duhet të nisë aplikimi i TVSH -së në shërbimet private të shëndetit / arsimit, ilaçet pa receta, në shërbimet financiare dhe në shitjen e banesave.
? Të eliminohen të gjitha përjashtimet e TVSH-së në inputet e ndërmjetme.
? Të eliminohen të gjitha përjashtimet dhe stimujt për akcizat, taksat kombëtare dhe tatimin në pronë.
? Hiqni tatimin -fitimin e reduktuar dhe përjashtimet ndaj bizneseve
? Eliminoni skemën e kompensimit 6% për fermerët

2 -Rregullime në normat e taksave

? Eleminoni nivelin 6% të TVSH-së dhe taksoni të gjitha mallrat dhe shërbimet në normën standarde
? Rritni nivelin e taksave të pasurisë
? Rritni tarifat e taksave të mjedisit dhe paketimeve plastike

3 -Thjeshtoni sistemin e taksave

? Unifikoni shkallën e taksave mbi fitimet në 15%
? Kaloni nga stimulimet e bazuara në fitim në stimuj të bazuar në kosto për sektorët prioritarë.
? Hiqni pragun e TAP për deklaratat individuale të profesioneve
? Harmonizoni nivelin e TAP me Sigurimet Shoqërore
? Rritni pragun e xhiros vjetore në 14 mln lekë për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin.

4 -Përmirësimi i hendekut ligjor sidomos në TVSH

? Optimizimi i fiskalizimit dhe kontrolli me bazë rrisku
? Mekanizmi i tarifës së kundërt për sektorin e ndërtimit
? Përqendrim i kontrolleve me plane të qarta në për sektorët e identifikuar me rrezik të lartë
? Mekanizma shtesë kundër skema të mashtrimit me TVSH-në.

5 -Ulja e informalitetit në tregun e punës

? Zgjeroni kategorinë e personave që duhet të paguajnë TAP
? Forconi sanksionet penale
? Përmirësoni analizën, informacionin dhe shkëmbimin e të dhënave
? Zhvilloni partneritete me biznesin dhe komunitetin
? Përmirësoni cilësinë dhe besueshmërinë e pasqyrave financiare
? Zbatoni një Plan Veprimi për uljen e parasë cash në ekonomi
? Ulni shmangien artificiale të taksave
? Themeloni një njësi speciale anti-shmangie dhe forconi masat ndëshkuese

6 -Taksoni pasuritë e pajustifikuara

? Synoni taksimin e pasurive të pajustifikuara nëpërmjet metodave indirekte
? Përdorni informacioni për evazionin fiskal të krijuar nga llogaritë offshore
? Inkurajoni deklarimin e llogarive offshore nëpërmjet vetëdeklarimit
? Zgjeroni Vetëdeklarimin duke përfshirë edhe fondet dhe aktivet vendase
? Krijoni një grup pune që të hetojë dhe kontrollojë vetëdeklarimet
? Mblidhni taksat e shmangura që kanë lidhje me korrupsionin dhe krimet e tjera financiare në bashkëpunim me agjencitë e tjera

7 -Ulja e kostove për tatimpaguesit

? Zhvilloni një strategji të shërbimit të taksapaguesve
? Përmirësoni udhëzimet teknike dhe interpretimin e tyre
? Përmirësoni produktet tatimore dhe modelo procesin duke i këshilluar përdoruesit
? Paguani në kohë rimbursimet e TVSH-së dhe vilni taksat dhe tatimet ndaj ndërmarrjeve shtetërore
? Transferoni funksionin e apelit të taksapaguesit në Drejtorinë e Përgjithshme të tatimeve
? Forconi integritetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave

8 -Rritja e pavarësisë në drejtimin e institucioneve fiskale

? Jepni më shumë autonomi në hartimin, organizmin dhe menaxhimin e buxhetit
• Siguroni stabilitet në drejtimin e tatimeve dhe doganave

9 -Rrisni kapacitetet institucionale të administratës tatimore

? Strukturën e monitorimit fiskal shndërrojeni në drejtori auditi
? Konsolidoni punën operative në jo më shumë se 3 zyra rajonale
? Kanalizoni të gjitha pyetjet telefonike në qendrën kombëtare të thirrjeve
? Zgjeroni aktivitetet e qendrës së thirrjeve

10 -Rrisni kapacitetet teknologjike

? Zgjeroni marrjen e të dhënave nga palët e treta
? Sigurohuni se magazina e të dhënave të zbatohet me fiskalizimin
? Aplikon një softuer modern për të analizuar të dhënat në partneritet me universitetin

11 -Zhvilloni një forcë të aftë punë në administratën fiskale

? Zgjeroni akademinë e taksave, duke realizuar partneritet me universitete dhe juridiksione të tjera tatimore.
? inspektorët të trajnohen me bazë industrish
? Rekrutoni një staf të mirëtrajnuar

12 -Modernizoni administratën doganore

? Përmirësoni lehtësimin e tregtisë
? Përqendroni profilin e rriskut dhe analizat me bazë rrisku
? Rritni bashkëpunimin në luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës
? Rritni përgjegjësinë për taksat e lidhura me karburantet, duke caktuar një agjenci të posaçme
? investoni në IT

13 -Forconi Kuadrin Legjislativ

? Azhurnoni Kodin Doganor për të modernizuar dhe thjeshtuar aktivitetin e Administratës doganore
? Përmirësoni ligjet për të siguruar mbledhjen efektive të taksave nga
ekonomia dixhitale
? Merrni masat legjislative për të forcuar kontrollet mbi shmangien dhe evazionin ndërkombëtar të taksave
? Azhurnoni ligjin për taksën e pasurive të patundshme, duke rishikuar për vlerësimet
? Të miratohet legjislacioni për të vendosur kufij në transaksionet e parave cash në shërbimet e profesioneve
? Të miratohet legjislacioni për të detyruar profesionet të instalojnë makina për pagesat me kartë. Monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY