Pse nuk po mbaron rruga Shkoder Velipoje

Pse nuk po mbaron rruga Shkoder Velipoje

107
0
Shares

Nga Anila Dushi

Në dhjetor 2017 pak muaj pasi Edi Rama kishte marrë mandatin e ri qeverisës dhe kur ende kishte në ajër “dashuri” të mbetur prej marrëveshjes së majit 2017 me opozitën, kryeministri dhe kryebashkiakja (në detyrë) e Shkodrës Voltana Ademi, u takuan për të monitoruar punimet e rrugës Shkodër-Velipojë.

Në videon e trasmetuar për këtë rast në “ERTV” në Facebook dëgjohet Ademi të bëjë një përmbledhje të problemeve teknike të rrugës që priste të zgjidheshin, përfshi një rrugë dytësore, kanale kulluese, përmirësimin e sigurisë në Bërdicë dhe shpronësimin e banorëve.

Ish-drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Benet Beci thotë se po punohej dhe se problemet e vëna në dukje nga Ademi “mund të zgjidheshin”. Në këtë moment Rama urdhëron: “Jo mund, duhet. E tha kryetarja”.

Në video thuhet edhe se rruga, 18.3 kilometra me vlerë 2.3 miliard lekë, do të përfundohej në fillim të qershorit 2018. Por dy vjet prej këtij trasmetimi, rruga e cilësuar me “me rëndësi strategjike” nga Rama është larg fundit. Prej një viti punimet në të janë ndërprerë dhe 900 metër rrugë mbetet e papërfunduar. Arsye, siç thonë banorët e zonës së Berdicës, është mos dhënia e dëmshpërblimit dhe çmimi sipas tyre qesharak për shpronësimin dhe mungesa e dokumenteve për pronësisë.

Vlera e dëmshpërblimeve në projektet publike janë shpesh arsye e përplasjeve mes banorëve dhe qeverisë. BIRN ka gjetur në shkrime të mëparshme që vlerësimet janë larg çmimeve të tregut dhe shpesh dhënia e tyre zvarritet me vite. Borxhet e shtetit ndaj pronarëve të shpronësuar shkojnë në rreth 50 milionë euro.

“Pjesa e papërfunduar i përket lotit të parë, segmenti që devijon nga rruga e vjetër dhe më pas lidhet me rrugën e ndërtuar. Vlera për metër katror e tokës nuk ka përfshirë bimët dhe pemët si dhe është larg çmimit të tregut”, tha Isuf Meta, banor i Berdicës dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak.

Isuf Meta tha se qeveria ka afruar një çmim prej 27 lekë për metër katrorë rreth 270 mijë lekë për dynym. “Kjo është qesharake pasi çmimi i tregut është 10 fish më shumë, 3 milionë lekë për një dynym. Duhen rreth 250 milion lekë për të bërë shpronësimin sipas tregut”, tha Meta. Mosdhënia e dëmshpërblimit për tokën bëri që kjo rrugë të përdorej nga banorët e zonës për të mbajtur mullarët me bar të thatë.

Ndërkohë në rrugë mungojnë mbikalimet për njerëzit dhe kafshët dhe gjatë verës rruga përdoret njëkohësisht nga automjetet dhe tufat e bagëtive.

Pjesë e papërfunduar e rrugës Shkodër-Velipojë. Foto:Anila Dushi.

Banorët po ashtu thonë se nuk janë pyetur për projektin, i cili ka ndryshuar tre herë, ndërsa shtojnë se edhe pjesa e përfunduar e rrugës shfaq një sërë problemesh. Ajo sipas tyre nuk eviton përmbytjet, nuk ka xhepa ndalues në zonat e populluara dhe nuk ka nivelim. Nga ana tjetër ashtu siç paralajmëronte Ademi zgjedhja teknike për rrethrrotullimin te Harku i Berdicës paraqet probleme dhe është burim aksidentesh.

E pyetur nga BIRN kryebashkiakja në detyrë Voltana Ademi, tha se tashmë kishte një vendim qeverie për dëmshpërblimet, por tha se vlera nuk kishte ndryshuar. “Lidhur me çmimin ka patur kundërshtime, por ai nuk ka ndryshuar është ai që kapërcaktuar qeveria që në fillimme referencën ligjore, pavarësisht se çmimi real i tregut është më i lartë”, tha Ademi. Ajo tha se kjo nuk do të ndryshonte, pasi çmimi përcaktohej nga qeveria.

Por Ademi tha se një pjesë e banorëve nuk kishin mundur të siguronin dokumentet e nevojshme dhe se aplikimet për të marrë hipotekën ishin kthyer pas.

Ademi megjithatë premtoi se Bashkia e Shkodrës “do të ndihmojë dhe asistojë banorët në përpilimin e saktë të dokumentacionit”. Ajo po ashtu tha se i kishte kërkuar FSHZH që të përshpejtojë procedurat për pagesat dhe se kishte shpresa që rruga të përfundonte në fillim të kësaj vere.

Por mjaft prej banorëve refuzojnë vlerën e dëmshpërblimeve dhe kundërshtojnë vijimin e punimeve nëse nuk bëhet një rivlerësim i pronës së tyre.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY